Operatorët turistikë kanë ngritur si shqetësim taksat e larta në këtë sektor, duke kërkuar rishikimin e taksës së fjetjes dhe TVSH. Zak Topuzi, presidenti i Shoqatës së Turizmit, i cilësoi çmimet të larta për turistët. Por, me sa duket, Agjencia Kombetare e Turizmit anashkaloi kërkesat për ulje të taksave dhe premtoi zgjidhjen e disa prej problemeve më të prekshme, siç është furnizmi me ujë, energji dhe ndërhyrja në infrastrukturë në disa zona.
Në një takim në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, operatorët turistike i kanë bërë thirrje qeverisë të rishikoje taksën e fjetjes dhe TVSH. "Ndoshta do një lobim më të madh që qeveria të kuptojë që turizmi nuk është një industri që duhet penalizuar me taksa, por është një industri që detyrimisht kërkon stimulime për të arritur rezultate, siç ka arritur rajoni, – ka thene Zak Topuzi, presidenti i Shoqatës së Turizmit. – Problemet e tjera që kanë qenë gjatë vitit që kaloi, në jug ka qenë problemi i ujërave të ndotura, them se duhet të marrë fund këtë vit, ndërprerjet e energjisë elektrike por dhe tensioni i ulët."
Këto diskutime të ministrisë me grupet e interesit synojnë që të zgjidhin disa problematika të rëndësishme në sektorin e turizmit vetëm pak muaj para hapjes së sezonit turistik të verës.