Ekonomia shqiptare mbështet në pjesën e saj më të madhe në sektorin e tregtisë.Të dhënat e Institutit te Statistikave (INSTAT) për strukturën e ndërmarrjeve tregojnë se në tregti operojnë rreth 50 përqind e ndërmarrjeve, çka tregon se ekonomia shqiptare mbështetet më së tepërmi në shitjen dhe blerjen e produkteve pa ndikim të ndjeshëm në ecurinë ekonomike. Ndërsa përsa i përket numrit të të punësuarve, numrin më të lartë e zënë ndërmarrjet me nje deri në kater punonjës. Ndërmarrjet që mbizotërojnë në ekonominë shqiptare janë kryesisht në sektorin e tregtisë, ku përfshihen tregtia me shumicë dhe pakicë dhe riparimi i automjeteve.
Në raportin e fundit të INSTAT për strukturën e ndërmarrjeve, vihet re së në vendin tonë në tregti operojnë rreth 50 % e ndërmarrjeve, ndërsa në aktivitetin prodhues operojnë vetëm 19 %. Sipas ekspertëve, këto fakte tregojnë se ekonomia shqiptare nuk është e orientuar tek prodhimi dhe eksportet, çka do të thotë se edhe impakti në ekonomi është më i vogël. Ndërsa, sipas madhësisë, ndërmarrjet me nje deri ne kater të punësuar mbizotërojnë me 88.8 %, ku prodhuesit e shërbimeve zënë 79.1 %. Në raport konstatohet gjithashtu se investimet më të mëdha janë realizuar në fushën e telekomunikacionit, duke zënë rreth 37.4 % të totalit të investimeve.
Por, sipas INSTAT, sektori i industrisë përpunuese ka pasur normën më të lartë të rënies të numrit të ndërmarrjeve aktive, me rreth 11.3 %. Të njëjtin trend ka pasur edhe sektori i ndërtimit, i cili vlerësohet me normën më të ulët të rritjes.