Në vijim të turit, “Bashkëqeverisja me njerëzit”, ministrja e Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, njëherësh deputete e zgjedhur, Milva Ekonomi, së bashku me deputetët e zgjedhur në qarkun Durrës, Rolant Xheliaj dhe Klodiana Spahiu zhvilluan një takim me banorët e zonës së Manzës dhe Ishmit.

Në fjalën e saj, ministrja Ekonomi tha se kontakti i drejtpërdrejtë me qytetarët do të jetë i vijueshëm teksa theksoi se zyra e deputetit do të jetë e hapur gjatë gjithë kohës për çdo qytetar i cili do të ketë nevojë.

“Këto dëgjesat që po bëhen tani kanë për qëllim këtë gjë, që ne të arrijmë të bëjmë një qeverisje që i duhet shqiptarëve. Ne do të kemi një zyrë deputeti, që është funksionale gjatë gjithë kohës, dhe ai takohet me përfaqësues të çdo ZAZ-je për të kuptuar se si funksionon marrëdhënia që ka shteti me qytetarët, si shërben shteti ndaj qytetarëve”, u shpreh Ekonomi.

Ndërkohë deputeti Xhelilaj tha se “në takimet që do të kemi në vazhdimësi, duke filluar nga ky i sotmi, do të kemi rast të komunikojmë me njëri-tjetrin për problemet që ka zona, për ato që duhen zgjidhur dhe që do jenë në vëmendjen tonë”. Ndërsa deputetja Spahiu bëri të ditur se “kontakti me qytetarët, marrja e problematikave prej tyre, por edhe sugjerimi i zgjidhjeve është një nga gjërat më të rëndësishme për të qeverisur me qytetarët”.

Nga ana e tyre, banorët e zonës së Manzës dhe Ishmit kërkuan që mandatin e dytë bujqësia të ketë një vëmendje më të madhe, si duke rritur subvencionet për fermerët por edhe për më tepër investime në sistemin vaditës. Përmirësimi i shërbimit ndaj qytetarëve sa i përket Aluiznit ishte një tjetër çështje e ngritur nga banorët gjatë dëgjesës së zhvilluar me deputetët.