Për të parë nga afër lehtësitë që programi mbështetës krijon për fermerët, kryeministri Edi Rama ishte në një pikë të grumbullimit, në Urën Vajgurore. Drejtuesi i firmës Lorenc Hatija u shpreh optimist për ndihmën e përfituar, duke treguar se falë saj ai arriti të rrisë numrin e të punësuarve indirekt nga 1000 vetë në 2700 vetë.  Në bisedë me të, kryeministri Rama u shpreh se programet e ndihmës financiare të mundësuara nga qeveria garantojnë mbështetjen më të madhe që i është dhënë zhvillimit të prodhimit bujqësor, eksporteve dhe punësimit njëkohësisht.

"Në janar kemi patur një rritje të eksportit, nga 1.1 miliardë lekë janarin e kaluar, në 1.5 miliardë lekë këtë janar. Ka një rritje të eksportit dhe ka një rënie të importit të disa prodhimeve bujqësore, që kanë patur një zhvillim më të konsiderueshëm, falë mbështetjes që kemi dhënë. Kemi hapur një cikël komplet të ri për bujqësinë me mbështetjen e qeverisë shqiptare që ka ngritur një fond garancie dhe me bankat e nivelit të dytë, që falë bashkëpunimit tonë me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, janë të gatshme të japin kredi me interesa shumë të favorshme për bujqësinë. Kjo, e kombinuar me programin e financimit të ujitjes dhe kullimit, programi më i madh që ka financuar një qeveri shqiptare në këto 25 vjet për të siguruar që pastrohen të gjitha kanalet dhe të sigurohet ujitja dhe kullimi, ne kemi besim se do të na japë një hop cilësor dhe sasior,” – tha kryeministri Rama.