OKB-ja ndërhyn për rehabilitimin e lagunës së Kune-Vainit. Fondi Global Mjedisor (GEF), nëpërmjet Programit Mjedisor të Kombeve të Bashkuara, do të shërbejë si një agjenci zbatuese për fondin prej 1 903 000 dollarësh, të dhënë nga GEF për Ministrinë e Mjedisit.

Burime nga Kuvendi njoftojnë se këto ditë do të nisë shqyrtimi dhe miratimi i marrëveshjes mes qeverisë dhe Programit Mjedisor të Kombeve të Bashkuara (UNEP), për Fondin Global Mjedisor, për projektin “Ripërtëritja e lagunës Kune-Vaini, nëpërmjet përshtatjes së bazuar në ekosistem”, i cili do të realizohet nëpërmjet një granti të akorduar nga GEF.

Në fokus të projektit është ekosistemi, arritja e përshtatjes të lagunës së Kune-Vainit, si edhe komuniteteve banuese pranë saj. Marrëveshja, sipas relacionit të Këshillit të Ministrave dërguar Kuvendit, synon të kontribuojë në zhvillimin ekonomik dhe social të zonës së Kune-Vainit, duke bërë të mundur dhe rritjen e kapaciteteve në nivel qendror dhe të komuniteteve lokale që jetojnë pranë sistemit të lagunës, që të përshtaten ndaj ndryshimit të klimës. UNEP do të sigurojë që aktivitetet të kryhen në përputhje me politikat, kriteret dhe procedurat e UNEP dhe GEF. Kjo marrëveshje hyn në fuqi me nënshkrimin e palëve dhe do të vazhdojë deri më 30 qershor 2019.