Përmes disa postimeve në Twitter, kryeministri Edi Rama i është përgjigjur akuzës së Lulzim Bashës se do të largojë Milva Ekonomin nga Kuvendi për ta emëruar në krye të Bashkisë së Durrësit, për të firmosur miliona dollar për inceneratorët.

Rama shkruan se PD ka një marrëdhënie fiziologjike me kaosin urban dhe mbeturinat, ndërsa vijon se qeveria e tij është e vendosur për të vijuar koncensionet e inceneratorëve, pasi nuk do që Shqipëria të mbushet me vargmale me plehra.

REAGIMI I RAMËS

Lulëzim, unë e di që Partia Demokratike ka një marrëdhënie fiziologjike me kaosin urban dhe mbeturinat, jo vetëm sepse një mbeturinë të komunizmit dhe një rrëmujaxhi patologjik e ka lider prej 30 vjetësh, po edhe sepse kurdo e kudo ka qeverisur plehrat i ka pasur male krenare!…

Por do ti s’do ti, doni ju s’doni ju, Shqipëria e Rilindjes Urbane dhe e fushave sanitare të përpunimit teknologjik të mbetjeve nuk do të ndalet deri kur në asnjë cep të shtëpisë sonë të përbashkët të mos digjen e mos kalben plehra, sepse mesjeta juaj ka vdekur e s’kthehet më!…

Prandaj Lulëzim hiq dorë nga nostalgjia për mbeturinat që ke mbi krye e mbi supe dhe harroje se duke sharë,akuzuar,shpifur do ta kthesh Tiranën, Durrësin, Elbasanin, Fierin e Shqipërinë, në epokën e vargmaleve të turpshme me plehra në emër të popullit që mezi të pret në 25 prill!