Në një aktivitet të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë (AmCham), bizneset i janë ankuar drejtoreshës së DoganaveShqiptare për procedurat e skanimit dhe të përpunimit të mallrave. Alketa Uruçi, anëtare në bordin e AmCham, ka pohuar se një sërë biznesesh kanë hasur vështirësi, sidomos në diferencat në peshimin e mallrave rifuxho. “Për to ka gjobitje, pasi quhen deklarime jo të sakta, – ka thënë Uruçi. – Ende nuk kemi marrë përgjigje për çështjet që i kemi referuar nga vështirësitë që hasin bizneset.”
Më tej, janë vënë në pah edhe një sërë problemesh që, sipas Uruçit, lidhen me parapagesat e bëra në periudha të ndryshme, për të cilat rezultojnë mosrakordime në sistem e të dhënave. Njëkohësisht, përfaqësuesja e AmCham kërkoi nga Doganat Shqiptare zgjatjen e kohës së procedurave, sidomos ato që kryhen në Portin e Durrësit.
Pranvera Fagu, drejtoresha e Doganave Shqiptare, u përgjigj, duke thënë se do të ndërmerren disa përmirësime ligjore, me qëllim ofrimin e shërbimeve më cilësore. “Ne si administratë doganore kemi gjithmonë diçka për të ndarë me biznesin për të përmbushur misionin tonë për të ofruar një shërbim sa më cilësor,” – tha Fagu.
Ndërkohë, përfaqësuesit e Dhomës Amerikane të Tregtisë janë ankuar edhe për referencat, si një ndër çështjet që ende nuk i është dhënë zgjidhje nga Doganat Shqiptare. “Çmimet referencë kanë kosto shtesë për eksportet, – ka theksuar Uruçi. – Administrata tatimore nuk rimburson TVSH mbi çmimet e references, dëmi është i shumëfishtë.”
Pak ditë më parë, shoqatat e biznesit i kanë dërguar një shkresë drejtoreshës së Doganave Shqiptare, ku ankoheshin se krahas pagesës së tarifës prej 22 euro për deklaratë doganore, si rrjedhojë e kontratës së skanimit mes qeverisë shqiptare dhe Rapiscan, bizneset po përballen dhe me kosto të tjera indirekte, si rrjedhojë e kufizimit të orareve të punës në pikat doganore, me qëllim që t’i krijohen kushte konçesionarit për skanim.
Marrë me shkurtime nga Monitor.al