Shoqata e Transportuesve Ndërkombëtarë ka shprehur shqetësim për gjobat e dyfishta, të cilat bartin një paradoks të madh. Në linjat e transportit të udhëtarëve Greqi-Shqipëri dhe anasjelltas, nëse udhëtarët pajisen me bileta në gjuhën shqipe gjobiten nga pala greke dhe nëse biletat janë në gjuhën greke gjobiten nga pala shqiptare. Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës pritet të zhvillojë një takim në fund të janarit me autoritetet e shtetit fqinj për të adresuar këto probleme.

Realiteti është i tillë: nëse një autobus, që përshkon linjën ndërkombëtare Shqipëri-Greqi, nuk i pajis udhëtarët me bileta në greqisht do të gjobitet, por edhe nëse bën të kundërtën dhe pajis udhëtarët me bileta greke kur shkel në tokën amë, sërish gjobitet.

Gjatë publikimit të analizës vjetore të Shoqatës së Transportuesve Ndërkombëtarë, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Nikolin Jaka, i ka kërkuar qeverisë të respektojë ligjin e reciprocitetit me vendet e tjera.