Për herë të parë që nga viti 1999, rritja e pagave në sektorin publik në terma realë rezultoi negative për vitin 2015, bëhet e ditur nga INSTAT, ku të punësuarit në shtet morën pagë efektivisht më të ulët se sa më 2014. Pagat e sektorit publik në Shqipëri gjatë vitit 2015 pësuan një rritje reale negative për herë të parë në mbi 15 vjet, si pjesë e programit të qeverisë për të mos rritur pagat e sektorit publik me synimin për të mbajtur të ulëta shpenzimet dhe borxhin publik.
Sipas të dhënave të INSTAT, paga mesatare bruto e sektorit publik qe në masën 54 mijë lekë, me një rritje prej 1.8 përqind në krahasim me vitin 2014, kur paga mesatare bruto qe pak më shumë se 53 mijë lekë. Në të njëjtën kohë, Indeksi i Çmimeve të Konsumit u rrit me 1.9 përqind, gjë që bën që paga reale, e cila llogaritet si pagë minimale minus inflacionin, të zbresë në minus 0.1 për qind.
Kjo është hera e parë në 15 vjet që paga në sektorin publik pëson rënie në terma realë. Në fakt, pagat në sektorin publik kanë që nga viti 2012 që janë në stanjacion ose rritje minimale. Rritja reale për vitin 2014 qe 0.1 përqind ndërsa më 2013 qe 2 përqind.
Marrë me shkurtime nga Reporter.al