Paketat e përbashkëta turistike rajonale do të sjellin më shumë turistë. Për këtë, Agjencia Kombëtare e Turizmit, në bashkëpunim me shoqatat e turizmit dhe hotelerisë në vend, po ftojnë grupe operatorësh turistikë të rajonit për t’i njohur ata me destinacionet turistike shqiptare.
Sot, një grup operatorësh turistikë të qarkut të Janinës, nga Greqia, nisën një vizitë dyditore në Shqipëri, ku po njihen me destinacionet turistike shqiptare. Kreu i AKT, Ardit Çollaku, gjatë një takimi mes operatorëve turistikë të dy vendeve tha se vizita e sotme tregon më së miri frymën e mirë të bashkëpunimit gjithnjë në rritje. "Kjo frymë bashkëpunimi, tha ai, ndikon drejtpërdrejt në rritjen e fluksit të turistëve dhe objektivit të përbashkët, një turizëm gjithëvjetor. AKT është një partner në zgjidhjen e problematikave që mund të dalin në të ardhmen," – siguroi Çollaku.
Ndërsa kryetari i Shoqatës së Hoteleve të Qarkut të Janinës, Konstandin Vllaho, u shpreh se vizita në Shqipëri synon të shqyrtojë e materializojë marrëveshjen e bashkëpunimit të realizuar në fund të shkurtit. Ndërsa një ndër përfaqësuesit e hotelerisë në Janinë, Sam Kundunis, theksoi se synohet përgatitja e produkteve turistike të përbashkëta në mënyrë që të rritet konkurrueshmëria në treg. Këto produkte do të jenë në turizëm, sport, kulturë, mjedis etj.
Agjencia Kombëtare e Turizmit po punon për hartimin e paketave turistike me të gjitha vendet e rajonit. Javën që shkoi, Shqipërinë e vizituan edhe operatorë turistikë të Dubrovnikut, nga Kroacia.