Projekti për ndërtim kapacitetesh, financuar nga Zvicra për rritjen e përfitimeve të Shqipërisë nga gazsjellësi TAP dhe për menaxhimin e një tregu të ri të gazit nisi aktivitetet sot, në formën e një seminari. Një ekip me ekspertë ndërkombëtarë dhe shqiptarë u ngrit dhe plani i punës u prezantua, me qëllim për të asistuar Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë që të vendosë rregullat dhe politikat e para për zhvillimin e një tregu të gazit në Shqipëri. Ministri i energjisë dhe industrisë Damian Gjiknuri tha se “i kemi vendosur vetes një objektiv shumë të rëndësishëm në këtë projekt për krijimin i kapaciteteve teknike për gazin, siç është krijimi i Institutit të Naftës dhe të Gazit, një institucion aq i nevojshëm për Shqipërinë.”
Ndërkohë ambasadori zviceran Christph Graf tha se “gazsjellësi TAP do të lidhë Shqipërinë me korridoret dhe rrjetet kryesore ndërkombëtare, do të lidhë Shqipërinë energjetikisht me botën.”
Vitin e shkuar qeveria zvicerane dha 6 milionë Euro për të ndërtuar kapacitetet, për të mundësuar më shumë përfitime nga linja e TAP, dhe për të menaxhuar tregun e ri të gazit në Shqipëri. Një nga rezultatet e para do të jetë krahasimi dhe përmirësimi i marrëveshjes me konsorciumin e TAP, ku ekspertët e projektit do të rishikojnë marrëveshjen e vendeve dhe do të ndihmojnë Shqipërinë që të nxjerrë përfitime të ngjashme me ato të vendeve të tjera. Projekti po sheh mundësinë e lidhjes së furnizimeve nga TAP me termocentralin e Vlorës, i cili aktualisht nuk prodhon energji.