Një raport i fundit i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim mbi ekonomitë e Ballkanit Perëndimor nxjerr në pah prapambetjen e dukshme të ekonomisë shqiptare dhe natyrën primitive të saj. Raporti, i cili analizon me hollësi eksportet në të gjitha vendet e rajonit, del në përfundimin se Shqipëria jo vetëm që ka peshën më të ulët të eksporteve industriale, por edhe brenda këtij grupi ka eksportet më të prapambetura.
Sipas raportit, vetëm 45 përqind e eksporteve shqiptare vijnë nga industritë e përpunimit, çka përbën nivelin e dytë më të ulët në rajon pas Malit të Zi, ku pesha e eksporteve të manifakturës është vetëm 20 përqind. Në vendet e tjera, kjo shifër është mbi 50 për qind, ndërsa në Maqedoni eksportet e mallrave industriale zënë 80 përqind të totalit, një rezultat i politikave agresive që ky vend ka ndjekur gjatë viteve të fundit në tërheqjen e investimeve të huaja, veçanërisht në industrinë e automobileve.
Pesha e ulët e eksporteve industriale tregon se Shqipëria nuk është integruar në zinxhirin tregtar të Bashkimit Europian dhe mbetet në hallkat e fundit të zinxhirëve ndërkombëtare të ofertës. Sipas raportit të BERZH, eksportet shqiptare konsistojnë kryesisht në ushqime, duhan, pije, minerale dhe metale, dhe vetëm një pjesë e vogël janë produkte të cilat vijnë nga industritë e avancuara si ajo e elektronikës, pjesëve automobilistike etj, të cilat garantojnë vlerë të lartë të shtuar.
Marrë nga Syri.net