Buxheti i shtetit ka arkëtuar 42% më pak para se plani gjatë dy muajve të parë të vitit 2016 si pasojë e uljes së çmimeve të naftës dhe mineraleve në tregjet ndërkombëtare. Ministria e Financave ka publikuar treguesit fiskal, ku konstatohet se vetëm ulja e rentës minerare ka ndikuar që në buxhet të mungojnë 65 milion lekë gjatë periudhës janar-shkurt. Sipas Ministrisë së Financave, kjo ka ardhur pasi në dy mujorin e parë të 2015 arkëtohej 3 lekë për 1 litër naftë, ndërsa në dy muajt e parë të 2016 u arkëtuan vetëm 1.5 lekë për litër.

Megjithatë forcimi i dollarit kundrejt lekut shqiptar e ka ulur disi efektin negativ, pasi në të kundërt buxhetit të shtetit shqiptar do t'i mungonin edhe më shumë të ardhura sesa plani fillestar.

Përtej këtij treguesi negativ, buxheti i shtetit në dy muajt e parë të këtij viti ka arritur objektivat në mbledhjen e të ardhurave. Të ardhurat totale janë realizuar në masën 60.2 miliard lekë, ose afërsisht 586 milionë lekë më shumë se plani dy mujor i vitit 2016.