Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, njëherësh edhe kandidate për deputete në Qarkun Durrës, Milva Ekonomi, së bashku me kandidatët për deputetë Alban Ramohitaj dhe Ledion Lako zhvilluan një takim me arsimtarët e qytetit të Durrësit.

Gjatë bashkëbisedimit, Ekonomi bëri një prezantim të reformave që qeveria ka ndërmarrë gjatë këtyre katër viteve në sistemin arsimor duke e vënë theksin tek arsimi profesional dhe arsimi i lartë. “Kur filluam të qeverisnim vendin, para 44 muajve, pamë që sistemi arsimor kishte nevojë për shumë ndërhyrje dhe mbase për ndërhyrjet më të rëndësishme kishte arsimi i lartë dhe profesional”,- u shpreh Ekonomi.

Më tej, ajo shtoi se gjatë këtij mandati të parë qeverisës “arritja më e madhe është e dy situatave ku mësimdhënia është përmirësuar dhe e dyta ku diplomat nuk shiten dhe nuk blihen më, por janë diploma që fitohen me meritë”.

Duke u ndalur tek programi i qeverisë për mandatin e dytë sa i përket arsimit, ministrja Ekonomi bëri të ditur se në sajë të programit 1 miliardë dollarë për rindërtim është parashikuar rikonstruksioni dhe ndërtimi i 140 shkollave në të gjithë vendin.

“Ne kemi marrë përsipër që në mandatin e ardhshëm qeverisës të krijojmë nga programi që ne kemi 1 miliardë dollarë për rindërtim, mundësi për rikonstruksionin dhe ndërtimin e 140 shkollave të reja në të gjithë vendin”, -theksoi Ekonomi.