Për herë të parë pas një dekade ekonomia europiane do të shënojë rritje.
Parashikimet janë bërë nga Komisioni Europian, ku 2017-ta vlerësohet që të sjellë një rritje në nivelin 1.6% për të gjitha shtetet e Bashkimit Europian, të pasur më pas në vitin 2018-të me një rritje në nivelet 1.7%.
Pavarësisht kësaj, komisionari për Ekonominë dhe Financat, Pierre Moscovici, gjatë prezantimit të këtij raporti në Bruksel, tha se pasiguritë sërish janë të shumta: aktet terroriste dhe efektet që pritet të japin në nivel global politikat e reja të SHBA-së.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës paraqesin qartësisht burimin e dytë më të madh të pasigurisë. Në një periudhë afatshkurtër, Prodhimi Kombëtar Bruto global pritet të rritet më shumë sesa ishte parashikuar, por në një periudhë afatmesme ndryshimi i politikës tregtare së SHBA-ve mund të dëmtojë tregtinë ndërkombëtare. Gjithashtu, rritja e nivelit të interesit të dollarit më shumë se ç’pritej mund të dëmtojë ekonomitë në zhvillim,” tha ai.
Ekonomia europiane pret që papunësia të zbresë nga 10 në 9.1%. Rënia e punësimit ka qenë një gangrenë për vende si Spanja, Italia, Greqia e Portugalia, megjithatë borxhet e larta sovrane dhe ruajtja e mekanizmave në buxhet mbeten një sfidë për këto shtete.