Ekonomia është në krizë prej pandemisë dhe muajve të karantinës, jo vetëm në vendin tonë, por edhe në disa shtete të tjera. Megjithatë rënia ekonomike në Shqipëri është me numër dy shifror. Instituti i Statistikave (INSTAT) raporton se gjatë tremujorit të dytë të vitit 2020, ekonomia shqiptare ka shënuar një rënie drastike me më shumë se 10.2%, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Muajt Prill-Maj-Qershor në fakt përkojnë pikërisht me periudhën kur vendi u izolua për shkak të Covid-19, gjë që solli në vendin tonë tkurrjen më të fortë ekonomike që prej vitit të krizës së piramidave në vitin 1997.

Sipas INSTAT, të gjithë sektorët në periudhën e pandemisë kanë rezultuar me tkurrje, por më e larta ishte në degët tregti, transport, akomodim dhe shërbim ushqimor. Me rritje kanë rezultuar vetëm dy degë, bujqësia dhe pasuritë e paluajtëshme. Kjo e fundit shpjegohet me faktin se pas tërmetit, pati një interes të shtuar të qytetarëve drejt agjentëve imobiliare për të ndryshuar shtëpi.

Ky është tremujori i tretë radhazi me rënie vjetore, duke e futur zyrtarisht ekonominë vendase në recesion. Për të gjithë vitin qeveria parashikon që rënia ekonomike të jetë rreth 4.5% ndërkohë parashikimet e institucioneve ndërkombëtare si FMN, BERZH edhe Bankë Botërore janë më të zymta dhe flasin për një rënie ekonomike nga 5% deri 9%.