Paratë që emigrantët kanë dërguar tek të afërmit e tyre në Shqipëri në tre muajt e parë të këtij viti ishin 136 milionë euro, në të njëjtin nivel me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Statistikat janë bërë të ditura në treguesit e bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë.

Rigjallërimi i ciklit të remitancatve i konstatuar në 2015-n nuk duket të ketë vijuar më, të paktën në tremujorët e parë të 2016-s dhe 2017-s. Pasi ato arritën në 142 milionë euro në janar-mars 2015, kanë qenë më të ulëta në vitet në vijim.

Megjithatë, edhe gjatë viti të kaluar, pas një tremujori të parë të dobët, paratë që emigrantët dërgojnë në shtëpi u gjallëruan.

Në vitin 2016, prurjet nga remitancat në vitin 2016 ishin 615 milionë euro, me një rritje prej gati 3% me bazë vjetore, duke arritur në nivelin më të lartë në katër vjet. Vala e re e emigracionit, që kulmoi në 2015-n, rriti numrin e emigrantëve që jetojnë dhe punojnë jashtë, duke rigjallëruar ciklin e emigracionit (përgjithësisht vlerësohet se pas 15-20 vitesh emigrantët fillojnë i shkëpusin lidhjet me vendin mëmë dhe dërgojnë më pak para, çka nënkupton se emigrantët e viteve 1990-2000 tashmë dërgojnë më pak para).

Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, 1.120.000 shqiptarë, të lindur në Shqipëri, jetojnë në vende të tjera. Tre janë destinacionet kryesore: Italia me 450 mijë shqiptarë, Greqia me 440 mijë dhe Shtetet e Bashkuara me 80 mijë. Në Gjermani dhe Kanada ka nga 20 mijë emigrantë secili dhe në Mbretërinë e Bashkuar, 10 mijë.

Sipas Censusit të fundit të INSTAT-it, rezidentë në Shqipëri janë rreth 2.86 milionë banorë, çka nënkupton se ata që kanë ikur jashtë përbëjnë 40% të atyre që banojnë në vend.

/MONITOR/