“Vendi mund të dalë nga kriza e shumëfishtë që ka prekur duke investuar në sektorin e edukimit” – shprehen ekspertët Selami Xhepa dhe Adrian Civici.

Profesori Novruz Koçi thotë se, Shqipëria duhet të shfrytëzojë dividentin demografik për të rritur produktivitetin. Si rezultat i lindjes së një numri më të lartë fëmijësh 20-30 vjet përpara, tani oferta e popullsisë aktive për punë është më e madhe. Nga ana tjetër, me uljen e lindjeve, gratë kanë mundësi të kthehen në punë. Të ardhurat do të rriten edhe si rezultat i kursimeve nga ulja e numrit të fëmijëve. Rritja e të ardhurave dhe kursimeve do të sjellë përmirësimin e ndjeshëm të kushteve të “kapitalit njerëzor”.

Ndryshimi i raporteve midis popullsisë aktive për punë dhe numrit të të rinjve e ul koeficientin e ngarkesës për këtë kategori të popullsisë, liron fonde nga investimet për “fëmijët” për të investuar ekonomikisht në një sektor tjetër. Kjo çon në rritjen e të ardhurave dhe shtimin e kursimeve, të cilat, nga ana e tyre, sjellin përmirësim të ndjeshëm të cilësisë së “kapitalit human”, përmirësimin e shëndetit të nënave dhe të vetë fëmijëve. Prindërit do ta kenë më të lehtë për të mbajtur më pak fëmijë. Pra, kanë më pak presion për mënyrën e shpërndarjes së të ardhurave të tyre.

Ulja e numrit të fëmijëve bën gjithashtu që të ardhurat e siguruara të fokusohen në një cilësi më të lartë jete, për të marrë më shumë shërbime, thotë Koçi. Familjet më të vogla në numër mund t’u japin vendeve të tyre një “dividend demografik”, që është dhe një vrull që i jepet produktivitetit, pasurisë dhe rritjes ekonomike. Në këtë rast, kur rezulton se popullsitë kanë një numër më të madh njerëzish në moshë pune, ata do të kenë relativisht më pak njerëz në ngarkim.

Kështu po ndodh tani në Shqipëri. Sipas tij, vënia në eficiencë e dividentit demografik do të varet kryesisht nga fakti se sa kjo forcë pune do të jetë e aftë dhe konkurruese në Europë e më gjerë. Për të arritur këtë, vendi duhet të ndjekë një axhendë ambicioze në arsim në tërësi dhe në atë profesional në veçanti, e sidomos në arsimimin e femrave. Arsimimi i grave dhe vajzave dhe zgjerimi i aksesit të tyre në kredi, trajnime, pronësi dhe të drejta ligjore u jep atyre mundësinë të kenë një jetë të tyren, përtej rritjes së fëmijëve dhe të zgjerojnë potencialet e tyre ekonomike.

Studimet tregojnë se rreth 1/3 e rritjes ekonomike të vendeve të Azisë Lindore midis viteve 1960 dhe 1990 erdhi si rezultat i “dividendit demografik” dhe vrullit të produktivitetit që u ndoq nga investimet e qeverive në shëndet dhe arsim, veçanërisht për gratë. Familjet u reduktuan në numër dhe popullsia në moshë pune u rrit krahasuar me numrin e personave në ngarkim.

Mund të sjellim në vëmendje shembullin e Koresë së Jugut, një nga vendet e Azisë Lindore që përfitoi më shumë nga dividendi demografik. Në fillim të viteve ’50, askush nuk mendonte se Koreja e Jugut do të ishte një qendër e fuqishme ekonomike sikurse është sot. Atëherë ai ishte vendi i tretë më i varfër në Azi, i destinuar që të varej edhe për një kohë të gjatë nga ndihma e huaj.

Por gjatë viteve 1950-1970, kur vendi ishte ende i trazuar nga luftërat dhe orvatej të kapërcente ciklin vicioz të varfërisë, qeveria vazhdoi të investonte në kapitalin njerëzor e sidomos në shkolla. Rezultati ishte  që në vitin 1996 Koreja e Jugut kishte 100% të fëmijëve të regjistruar në shkollat fillore, mbi 90% të regjistruar në shkollat e mesme dhe mbi 60% në arsimin e lartë. Këta tregues ishin nga më të lartët në botë dhe ishin baza e “mrekullisë” së Koresë së Jugut, që sipas shumë ekonomistëve ishte baza e historisë së suksesit të saj prej 4 dekadash për popullin e vet. Pothuajse në këtë situatë kanë qenë edhe vende të tjera të këtij rajoni, që janë njohur si “dragonjtë e Azisë”.

Shqipëria është në një pozicion të favorshëm. Ajo tashmë po e “jeton” dividendin demografik”. Por nuk po përfiton sa duhet, si për shkak të papunësisë së lartë, ashtu edhe për shkak të rritjes së popullsisë që zgjedh të mos punojë (sidomos femrat). Prandaj, sipas profesor Koçit është e nevojshme të merren masa për nxitjen e punësimit. Mendohet se Shqipëria do të vazhdojë ta jetojë dividendin demografik edhe në 20 vitet e ardhme, por ndikimi i tij do të varet nga sa dhe si do të shfrytëzohet ai, thotë Koçi. /Monitor