Në 3 vitet e shkollës së mesme ka koleksionuar vetëm 10-ta dhe të njëjtën gjë bëri edhe në 4 provimet e Maturës Shtetërore.
Po flasim për Bjorn Bardhin, nxënësin ekselent të gjimnazit “Naim Frashëri” në Durrës.

Për të, sfidat e vërteta gjatë viteve të shkollës së mesme kanë qenë dy, situata e vështirë e krijuar për shkak të Covid-19 dhe mësimi pasdite, pasi gjimnazi ku ai studionte u dëmtua rëndë nga tërmeti.
Tashmë që vitet e gjimnazit mbetën pas, 18-vjeçari po projekton të ardhmen e tij në degën e mjekësisë.
“Synimi im ka qenë mjekësia e përgjithshme. E konsideroj një degë shumë prestigjioze dhe besoj se do të nxjerrë më në pah frytet e punës sime”, tregon për “DurrësLajm” Bjorni.
Kur shumë bashkëmoshatarë të tij largohen jashtë vendit për shkollim apo punësim, krejt e kundërta ndodh me Bjornin.
“Nuk e kam konsideruar të largohem jashtë vendit. Investimin tim dhe të resurseve të mia e shoh këtu në Shqipëri, sepse mendoj që marrëdhëniet që janë krijuar këtu që nga fëmijëria kanë një rëndësi shumë të madhe për mua”,- thotë Bjorni.

Në këto vite përkushtimi maksimal ndaj shkollimit, modeli që e ka frymëzuar është mjaft i dashur për të.
“Nuk do i konsideroja si idhuj, por si model për mua dhe ata janë prindërit e mi, që kanë investuar shumë tek unë”, shpreh i riu.
Ndërsa pret që ëndrra e tij për t’u bërë mjek t’i materializohet së shpejti, ai ka një apel për bashkëmoshatarët e tij.
“Të ndjekin pasionet e tyre, të mos kenë dyshime tek vetja dhe të krijojnë konfidencën e duhur për të zbuluar dhe zhvilluar potencialin e tyre”.
M.B.