Nga Thanas Mustaqi

DURRËS, 10 nëntor 2014 –  “Shqipëria nuk do të forcohej nga bashkimi me Kosovën, ndërsa Jugosllavia mund të humbiste shumë, veçanërisht në Serbi, për të cilën ky problem ka rëndësi të veçantë”, kjo ishte përgjigja e nervozuar e mareshalit Josip Broz Tito ndaj kërkesës së Enver Hoxhës.

Lideri shqiptar Enver Hoxha i kushton një kapitull të tërë në librin “Titistët” një vizite që ka bërë nga 23 qershori gjer më 2 korrik 1946, një krye të një delegacioni qeveritar me “ftesën e papritur të Titos”. 

Po ashtu edhe në arkivat sekrete ruse të politikës së jashtme është desekretuar dhe një dokument për ngjarjen e mësipërme. 

Më 5 korrik 1946, i dërguari sovjetik në Shqipëri, D. Çuvahin, ka raportuar në Moskë për një bisedë që ka bërë me ambasadorin jugosllav në Tiranë, Josip Gjergjia. 

Sipas dokumentit me siglën “sekret”, Çuvahini i ka shkuar “për vizitë Gjergjia-s me kërkesën time. Ai sapo u kthye nga Beogradi, ku kishte shkuar bashkë me delegacionin qeveritar shqiptar, të kryesuar nga Enver Hoxha”. 

I dërguari sovjetik thotë se i ishte lutur kolegut jugosllav, një shqipfolës nga Zara e Kroacisë, t’i tregonte për përshtypjet e tij nga udhëtimi i shqiptarëve në Beograd. 

Kjo për faktin se Gjergjia, jo vetëm shoqëronte delegacionin qeveritar të Tiranës, por ishte dhe përkthyes i bisedave  tête-à-tête midis Titos dhe Hoxhës.

Me sa duket, përveç përshtypjeve nga goja e Hoxhës, kryediplomati i Kremlinit në Tiranë, dëshironte të konfirmonte sherrin midis Titos dhe Hoxhës për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, pikërisht nëpërmjet dëshmitarit dhe përkthyesit, tani i dërguari jugosllav.

“Dyrrah”-u ka përkthyer këtë dokument interesant, ku del edhe fakti se nga zemërimi për Kosovën, Titoja ka bërë përgjegjës Enver Hoxhën dhe për plenumin e Beratit, ku udhëheqësi shqiptar u denigrua nga të dërguarit jugosllavë.

Dokumenti / Kabllogram i D. S. Çuvahinit. Shënime nga biseda me të dërguarin e Jugosllavisë në Shqipëri, Josip Gjergjia mbi çështjen e Kosovës dhe të Metohisë; mbi Konferencën e partisë komuniste  të Shqipërisë në Berat etj.  

Tiranë, më 5 korrik 1946 

Sekret 

I shkova për vizitë Gjergjia-s me kërkesën time. Ai sapo u kthye nga Beogradi, ku kishte shkuar bashkë me delegacionin qeveritar shqiptar, të kryesuar nga Enver Hoxha.

1. Iu luta të dërguarit të më tregonte për përshtypjet e tij nga udhëtimi i shqiptarëve në Beograd. Në thelb, Gjergjia e karakterizoi udhëtimin e Enver Hoxhës në Beograd me rezultate që kanë rëndësi të madhe politike për të dy vendet. Ai është i mendimit se, si rezultat i takimit të Enver Hoxhës me Titon dhe dhe bisedimeve “sy më sy”,  që u zhvilluan midis tyre, u arrit një pikëpamje e njësuar për një sërë çështjesh tepër të rëndësishme (Kosova e Metohia, vlerësimi i punës së përfaqësuesve të partisë komuniste  jugosllave pranë KQ të PKSH etj). Gjergjia beson se vajtja e Enver Hoxhës në Beograd e ngriti në mënyrë të konsiderueshme autoritetin e Enver Hoxhës, si brenda vendit, ashtu edhe jashtë kufijve.

Të dhëna interesante më komunikoi Gjergjia për mënyrën se si  Enver Hoxha shtroi pyetje të veçanta para Titos dhe cilat ishin përgjigjet që u dha Titoja. Kështu, sipas fjalëve të jugosllavit, në çështjen e Kosovës dhe të Metohisë Enver Hoxha dështoi (postavil’ neudachno). Në vend që të fliste sinqerisht, sikurse mendohet të veprojë komunisti me komunistin, Enver Hoxha filloi larg e larg, bëri lajthitje të mëdha dhe përgjithësisht gjatë diskutimit të kësaj çështjeje, ndjehej jo fort i sigurt dhe jo i shpenguar. 

Gjatë bisedës me Gjergjian doli në shesh se për çështjen e Kosovës e të Metohisë Enver Hoxha vendosi të flasë me Titon pas marrjes së telegramit nga i dërguari shqiptar në Moskë, Koço Tashko. Ky i fundit gjoja e informoi Enver Hoxhën, se gjatë qëndrimit kohët e fundit të mareshalit Tito në Moskë, gjoja ishte porositur nga , J.V. Stalini “të zgjidhte çështjen e Kosovës dhe Metohisë gjatë takimit të ardhshëm me Enver Hoxhën në Beograd”.

Sipas fjalëve të Gjergjias, pikëpamja e Titos lidhur me problemin e fatit të mëtejshëm të Kosovës dhe Metohisë përmblidhet në faktin se “as situata e brendshme në Jugosllavi, as rrethanat ndërkombëtare në përgjithësi, nuk ndihmojnë në ngritjen e çështjes së bashkimit të këtyre krahinave me Shqipërinë. Nga kjo, sipas mendimit të Titos, Shqipëria nuk do të forcohej, ndërsa Jugosllavia mund të humbiste shumë, veçanërisht në Serbi, për të cilën ky problem ka rëndësi të veçantë”. Me interes është mendimi i vetë Gjergjias lidhur me çështjen e kalimit të Kosovës dhe Metohisë Shqipërisë. Ai konsideron se shqiptarët duhet të jenë të gëzuar se kjo krahinë ndodhet aktualisht në përbërje të Jugosllavisë. Për Shqipërinë dhe qeverinë e saj të tanishme do të ishte fatkeqësi, nëse kjo krahinë do t’i bashkohej Shqipërisë. Problemi qëndron ne faktin se në këtë rajon deri tani punët nuk janë kaq dystë, sikurse do të donim ne. Seksionit të mbrojtjes së popullit të Jugosllavisë (OZNA) kjo krahinë i sjell mjaft telashe, pavarësisht se OZNA ka fituar tashmë përvojë të madhe pune. Mund të përfytyroni, – vazhdoi Gjergjia, – se çfarë do të bënin shqiptarët në këtë rajon në rast se ndaj tyre do të organizohej puna nga sigurimi i shtetit? Thjesht, shqiptarët do torturoheshin nga kjo gjë dhe kush e di, ka gjasa, bashkimi i Kosovës dhe Metohisë me Shqipërinë në rrethanat e tanishme, do të kishte pasoja fatale për kauzën e paqes në Ballkan. 

Unë nuk fillova të hyja në diskutim me të dërguarin jugosllav për këtë çështje tejet të ndjeshme për të dy vendet. Mendimi i tij meriton të përmendet, dhe padyshim pasqyron mendimin e qarqeve të caktuara në Jugosllavi, që besojnë se rajonet e Kosovës e Metohisë janë toka jugosllave “denbabaden” (iskonniye) dhe se shqiptarët “nuk kanë” shkaqe veçanërisht me peshë për pretendimet e tyre mbi këto rajone.

2. Më tej u interesova për përgjigjet e Titos mbi çështje partiake që kishte parashtruar para tij Enver Hoxha. E pyeta Gjergjian se si e vlerëson Titoja punën e konferencës [duhet plenumi] së Beratit  të partisë komuniste të Shqipërisë, përderisa për të, deri tani për të vazhdon të flitet shumë dhe përderisa edhe tani ekzistojnë opinione kundërthënëse për këtë problem. I dërguari më njoftoi si më poshtë. Sipas fjalëve të tij, Titoja mendon se në konferencën e Beratit jo gjithçka ishte keq (sikurse thotë për këtë gjë Enver Hoxha). Kjo konferencë ia arriti të nxjerrë në shesh shumë të meta në punën e partisë shqiptare dhe gabime të udhëheqjes së saj. E metë e Beratit është fakti se kjo konferencë, pasi kritikoi ashpër gabimet e udhëheqjes së partisë dhe pasi zbuloi të metat e punës së saj, nuk mundi të skiconte rrugët për ndreqjen e këtyre gabimeve. Edhe këtu, sipas mendimit të Titos, përfaqësuesit e partisë komuniste jugosllave u treguan në lartësinë e detyrave të veta. Titoja, sipas fjalëve të Gjergjias, e këshilloi Enver Hoxhën të arrihej uniteti në KQ të PKSH, duke theksuar, se e gjithë përgjegjësia për gjendjen në vend dhe në parti, bie tërësisht mbi sekretarin e parë të partisë, d.m.th. mbi Enver Hoxhën.

3. Gjergjia rrëfeu për një “incident” diplomatik, që kishte ndodhur në misionin shqiptar në Beograd në pritjen e dhënë për nder të Enver Hoxhës. U ngritën shumë dolli. Më në fund, e mori fjalën Enver Hoxha. Ai tha se propozonte të ngriheshin shëndete për të gjithë popujt përparimtarë, demokratikë, por “gjithashtu dhe për Francën”. Ambasadori francez në Beograd, që ishte i pranishëm në këtë ceremoni, [Zhan] Pajar (Jean Payard), që i kishte ikur gjaku në fytyrë nga zemërimi, protestoi dhe gjoja, duke iu drejtuar Enver Hoxhës, e pyeti: “Përse ‘gjithashtu për Francën’?”   

Gjithë “incidenti”, sipas Gjergjias, u mbyll këtu. Enver Hoxha, gjoja, pasi e pa që kishte folur pa takt, e ndreqi disi, pasi propozoi të ngrihej dolli për traditat revolucionare të popullit francez

4. Në këtë pritje, të dhënë në misionin shqiptar Enver Hoxha, pasi u takua me ambasadorin polak [Jan Karol] Vende (Wende), e pyeti këtë të fundit se përse qeveria polake nuk dërgon përfaqësuesin e vet në Tiranë. Lidhur me këtë, Vende deklaroi se hë për hë, qeveria e re polake “nuk ka as mjete, as njerëz që të mund t’i dërgojë në Shqipëri”.

Me kaq biseda u mbyll.

I dërguari i BRSS në Shqipëri

D. Çuvahin.

Burimi: http://www.katyn-books.ru/archive/foreign/sovfactor-01.htm 

 Sqarimet në kllapat katrore janë të “Dyrrah”-ut.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/