·        E djathta bullgare njofton për një takim sekret të kryediplomatit në ikje në Bullgari Petrit Karabina me ish-kryeministrin Bojko Borisov që dha dorëheqjen për shkak të protestave masive të marsit 2013, mik i homologut Sali Berisha, i cili u rrëzua tre muaj më vonë në zgjedhjet e 23 qershorit 2013

·        Kryetari i partisë së djathtë GERB, simotër e PD-së, përshëndet Bashën thjesht si kryebashkiak të Tiranës, por jo edhe si kryetar partie  

DURRËS, 25 mars 2014 –  Ndonëse ka një muaj e gjysmë (10 shkurt 2014) që Presidenti i Republikës Bujar Nishani e ka liruar nga detyrat e ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Bullgarisë, rezident, dhe e ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Moldavisë, jo rezident, Petrit Karabina vazhdon misionin e tij diplomatik në Sofje, në pritje të zëvendësuesit, por tani edhe si dërguar i PD-së, për të çuar dhe marrë përshëndetje nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha për ish-kryeministrin bullgar të djathtë dhe ish-kryebashkiak i Sofjes Bojko Borisov.

NJOFTIMI

“Bullgaria mbështet integrimin evropian të Shqipërisë”, deklaroi kryetari [i partisë së djathtë bullgare] GERB [iniciale bullgarisht për: “Grazhdani za evropejsko razvitie na Balgarija” – Qytetarët për zhvillimin evropian të Bullgarisë – “Dyrrah”-u] Bojko Borisov gjatë një takimi me ambasadorin e Shqipërisë në Bullgari SHT Petrit Karabina, njoftoi më 25 mars 2014 zyra e shtypit e GERB-it (shih faksimilen dhe foton kryesore: në mes Karabina, djathtas Borisov në selinë e partisë GERB), që nxjerr në publik takimin sekret.

“Ne duhet të mbështesim dhe zhvillojmë Ballkanin. Lidhjet na bëjnë më këmbëngulës dhe më të fortë ekonomikisht. Prandaj edhe si parti GERB do të vazhdojmë t’ju mbështesim në rrugën evropiane që keni zgjedhur”, tha Borisovi.

Ai komentoi se Bullgaria mund t’i japë ndihmë me ekspertë Shqipërisë në integrimin e saj evropian për shkak se qeveria e GERB-it arriti në kohën e krizës më të madhe globale kur shtete të tëra të falimentuan, të ruajë stabilitetin financiar në Bullgari dhe u bë shembull për shumë vende të tjera.

Po sipas njoftimit, SHT Petrit Karabina [më parë ish-zëvendësministër i ministrit të Mbrojtjes Arben Imami – “Dyrrah”-u] falënderoi Bojko Borisovin për mbështetjen e qeverisë së GERB-it dhe mbështetjen personale si kryeministër për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe midis Bullgarisë dhe Shqipërisë.

Ambasadori Karabina theksoi se takimet mes Bojko Borisovit dhe Sali Berishës (në foto) si kryeministra kanë pasur ndikim jashtëzakonisht pozitiv në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe, veçanërisht në ato ekonomike dhe kulturore.

Nga ana e tij Borisovi i dërgoi përshëndetje Sali Berishës dhe kryebashkiakut të Tiranës [Lulzim Basha, por në komunikatë nuk i përmendet emri dhe as fakti që është edhe kryetar i PD-së, pasi, me sa duket, GERB-i mendon që Berisha është ende kreu i partisë shqiptare – “Dyrrah”-u]. “Mbani parasysh se ne, kabineti im është i hapur për ju”, tha Borisovi [të vihet re se GERB-i nuk përdor ndajshtimin zotëri në njoftim].

 

Info/ Bojko Borisov

U lind në vitin 1959. Ndërmjet viteve 1982 dhe 1990, ai mori pozicione të ndryshme në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe më vonë si profesor në Akademinë e Policisë në Sofje. Si punonjës i  Sigurimit bullgar të shtetit, është përplasur me turqit etnikë në vitet 1980. Në vitin 1985-1990, Borisovi ishte lektor në Institutin e Lartë të policisë të Ministrisë së Brendshme. Mori një doktoraturë për “Stërvitje psiko-fizike të Shtabit Operativ”. U largua nga ministria në vitin 1990.

Ka qenë sekretari i përgjithshëm i Ministrisë Bullgare të Punëve të Brendshme në periudhën 2001-2005, me gradën gjeneral. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005 ishte kandidat për deputet i Lëvizjes Kombëtare Simeoni II, dhe u zgjodh në dy rajone, por vendosi të mbajë punën e tij si sekretar i përgjithshëm i ministrisë, por dha dorëheqjen nga ky post, dhe fitoi zgjedhjet për kryetar bashkie të Sofjes.

Themeloi në dhjetor 2006 një parti të re politike, GERB (akronim për “Grazhdani za evropeisko razvitie na Bulgariya” / “Qytetarët për zhvillimin evropian të Bullgarisë”). GERB-i fitoi zgjedhjet e para të Bullgarisë për Parlamentin Evropian më 20 maj 2007. Pas një kongresi të partisë në janar 2010, Borisov u zgjodh lider zyrtar i GERB-it (ku kishte qenë vetëm “kryetar jozyrtar”).

GERB-i gjithashtu fitoi zgjedhjet parlamentare më 5 korrik 2009 me 39,71 për qind të votave popullore duke marrë 116 nga 240 vende në parlament. Që nga 27 korrik 2009 Borisov ishte kryeministër i Bullgarisë në një qeveri të minorancës së GERB qendrës së djathtë me mbështetjen parlamentare nga tre grupet e tjera parlamentare, përfshirë edhe partinë nacionaliste "Ataka". Ftoi disa ekspertë jo-partiakë të lidhur me qeverinë, më të shquar në mesin e tyre Simeon Djankov, ish-zyrtar i lartë i Bankës Botërore, dhe Rosen Plevneliev, menaxher i një filiali të madh gjerman në Bullgari.

Politikat e Borisovit synonin kryesisht në frenimin e korrupsionit në administratën publike dhe ndërtimin e një infrastrukture adekuate. Një nga objektivat kryesorë ka qenë zgjerimi i rrjetit kombëtar rrugor. Qeveria ka miratuar edhe një strategji për zhvillimin e sektorit të energjisë deri në vitin 2020.

Veprimet e e specializuara policore kanë prekur korrupsionin në administratë dhe u burgosën shumë anëtarë të profilit të lartë të krimit të organizuar, edhe pse ka pasur pak përmirësim në sundimin e ligjit. Në të njëjtën kohë qeveria është kritikuar nga anëtarët e tjerë të BE-së për shkak të cenimit të lirisë së medies, rënies së atraktivitetit për investitorët dhe veprimtarive të vazhdueshme të mafies. Janë bërë kritika të përsëritura ndaj zëvendëskryeministrit Cvetan Cvetanov, i cili po hetohet zyrtarisht për përgjimin ministrave dhe deputetëve.

Qeveria e tij është vlerësuar për ekuilibrimin e buxhetit dhe reformën me shkurtimet në administratë.

Sjellja si “njeri i popullit dhe dështimet e qeverisë së mëparshme janë parë si burimet kryesore të popullaritetit të tij. Ka shënuar edhe një prani shumë të gjerë në media, Është glorifikuar nga shumë lajkatarë, përfshirë një poemë që ngrinte në qiell “udhëheqjen dinjitoze” të tij. Në korrik 2012, u përfshi si “personalitet historik” në librat e historisë për nxënësit e shkollave të mesme, së bashku me ish- ministrin e GERB-it Rosen Plevneliev dhe komisioneren evropiane Kristalina Georgieva. Por popullariteti i Borisovit ka qenë vazhdimisht në rënie për shkak të skandaleve të vazhdueshme të ministrave të tij më të besuar – Cvetan Cvetanov dhe ministër i bujqësisë Miroslav Najdenov.

Pas shpërthimit të protestave në mbarë vendin më 12 shkurt 2013 për mbi-faturimet e energjisë elektrike, standardit të ulët të jetesës dhe korrupsionit, Borisovi dhe qeveria e tij dha dorëheqjen më 20 shkurt 2013.

Partia Popullore Evropiane ka shprehur mbështetje për Borisovin një muaj para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013.

Më vonë në prill, ish-ministër i Bujqësisë Miroslav Najdenov bëri publik faktin se qeveria ka spiunuar disa ministra të kabinetit, figura të biznesit dhe opozitës me urdhër të Cvetan Cvetanovit, zëvendës kryetar i GERB-it. Disa deputetë, si dhe pjesëtarë të njësisë të përgjimit në Ministrinë e Brendshme kanë konfirmuar këto pretendime.

Sipas Indeksit të Korrupsionit, hartuar nga Transparency International, qeveria e Borisovit ishte po aq e korruptuar sa qeveritë e mëparshme, me dy nga ministrat e tij më të ngushtë – Cvetan Cvetanov dhe Miroslav Najdenov të hetuar nga Prokurori i Përgjithshëm dhe organet tatimore ryshfet kur ishin në poste. Kjo përgënjeshtronte deklarimet e Borisovit për luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pavarësisht nga premtimi fillestar, asnjë ministër i mëparshëm nuk u dënua.

Në vitin 2007 u akuzua nga revista amerikane Congressional Quarterly (CQ) për lidhje me mafiozët më të mëdhenj në Bullgari. CQ-ja vinte në dukje se “politikani më i fuqishëm në Bullgari, aleati më i ri Uashingtonit në luftën globale kundër terrorizmit, është bashkëpunëtor i ngushtë i mafiozëve të njohur dhe i lidhur me gati 30 vrasje të pazbardhura në republikën e Detit të Zi”. Sipas një raporti konfidencial të hartuar nga ish-zyrtarët e lartë të agjencive amerikane të zbatimit të ligjit, Borisovi kishin përdorur pozitën e tij si sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme për të ndihmuar bosët e krimit të organizuar në goditjen e kundërshtarëve të tyre.

Më 14 janar 2011, gazetarë të së përjavshmes bullgare “Galeria” shpërndanë regjistrime audio të një bisede të pretenduar midis Borisovit dhe kreut të Agjencisë së Doganave Vanjo Tanov, ku Kryeministri instruktonte autoritetet doganore të ndërprisnin menjëherë hetimin ndaj fabrikës së birrës "Ledenika" e dyshuar për veprimtari të paligjshme dhe krime fiskale. Ministri i Financave Simeon Djankov u u regjistrua gjithashtu, duke urdhëruar shefin e Doganave të bënte punën e tij si duhet dhe të mos pranonte kërkesat e Borisovit. Kjo krijoi një të çarë brenda qeverisë. Më vonë këto kaseta u shpallën të “manipuluara” nga dy ekzaminues të pavarur. Por Borisovi pranoi se biseda kishte qenë e vërtetë.

Në fillim të vitit 2011 një numër “think-tank”-e dhe analistësh ngritën shqetësimin për degradimin e lirisë së medies dhe transparencës në Bullgari. Në vitin 2011 u bënë publike raporte se kishte paguar me para kesh gazetarë që ata ta portretizonin në dritë të favorshme, dhe kishte kërcënuar gazetarët që e kritikonin. Në vitin 2012, Bullgaria u rendit anëtarja e BE-së me performancën më të keqe në lirinë e medies, sipas Freedom House, dhe u rendit e 80-ta ndërkombëtarisht.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/