·      Autoritetet vendore nuk ishin njoftuar për kryeparlamentarin sllavo-maqedonas

·      Ditmir Bushati njeh The Republic of Macedonia dhe jo emrin e njohur ndërkombëtarisht: FYROM (The Former Yugoslav Republic of Macedonia)

·      Cili është ambasador i FYROM-it në Shqipëri: Vele Trpevski (sipas sajtit të përfaqësisë) apo Stojan Karajanov (sipas sajtit të MPJ-së)

 

DURRËS, 13 dhjetor 2013 – Rreth orës 12:00 të datës 13 dhjetor 2013 “Dyrrah”-u ka parë në sheshin “Liria” të qytetit bregdetar kryetarin e Kuvendit të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë (IRJM – anglisht: FYROM) Trajko Veljanoski dhe personat që e shoqëronin në një shëtitje në diellin e mesditës. Kolegët e medieve qendrore të Durrësit, që, sapo ishin kthyer nga një veprimtari e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erion Veliaj po merreshin me hartimin e lajmit dhe montimin e xhirimeve televizive. Nuk kishin porosi për Veljanoskin. Por çuditë nuk përfundojnë këtu.

Institucioni i Prefektit: Nuk dimë gjë

Pyesim në zyrë sekretarin e ri të përgjithshëm të institucionit të prefektit të qarkut Shyqyri Ballgjini nëse kishin ndonjë njoftim nga protokolli i Kuvendit apo Ministrisë së Jashtme për vizitën e zyrtarit të lartë të Shkupit në Durrës, përgjigja ishte negative. Madje Mjeshtri i Madh i Sportit Ballgjini, me shumë mirësjellje dhe tejet i shqetësuar, bëri verifikimet dhe me aparatin e institucionit të prefektit. Po ashtu, nuk kishin informacion as në këshillin e qarkut (kryetari Alfred Mullaraj ishte jashtë shtetit) për mbërritjen e Veljanoskit.

Bashkia, këshili i qarkut, porti: Nuk dimë gjë

Zëdhënësi i bashkisë së Durrësit Dorian Agolli i konfirmoi “Dyrrah”-ut se bashkia nuk kishte asnjë njoftim për vizitën, ndërkohë që kryetari Vangjush Dako ndodhej jashtë shtetit. Zëvendësdrejtori i përgjithshëm ekzekutiv i kompanisë publike Autoriteti Portual Durrës sha Bujar Dhima tha se në port nuk kishte ardhur ndonjë delegacion maqedonas. Në selinë e konsullatës së nderit te “Fly” nuk kishte frymë njeriu.

Bingo: Trajko Veljanoski ishte në amfiteatër

Përfundimisht, “Dyrrah”-u shkoi në amfiteatrin antik, ku i ra “bingo”-ja. Këtu punonjësja Dallëndyshe Tabaku konfirmoi se rreth orës 12:45 kishte ardhur për vizitë delegacioni parlamentar i Shkupit. Ajo tha se për vizita të tilla Amfiteatri njoftohet disa ditë më parë, ose të paktën disa orë më parë, që të siguroheshin edhe guidat përkatëse që do t’u jepeshin anëtarëve të delegacionit. Tabaku tregoi se i kishte kërkuar shpjegime një oficeri të gardës për vizitën. Në raste të tilla, tha punonjësja, “pastrohet” vendi nga automjetet përreth, gjë që nuk ishte ndodhur në mesditën e 13 dhjetorit 2013. Ajo ishte tejet-tejet e habitur.

Delegacionin e “fshehën” në Durrës nga bomba në kryeministri?

Ky është aspekti i dukshëm i vizitës “sekrete” të spikerit të parlamentit të IRJM-së. Këtu mund të flitet për njëfarë mediokriteti protokollar, teksa administrata qendrore nuk denjon të njoftojë autoritetet vendore që kanë nën kontroll territorin e qarkut Durrës-Krujë. Por zëra “konspirativë” e shpjegojnë këtë “qorrollepsje” me faktin se kishte ndodhur incidenti në Kryeministri me lëndën plasëse që u gjend në makinën e prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi. Me këtë rast janë marrë masa për siguri të plotë të delegacionit, duke e dërguar në fshehtësi në Durrës.

Emri ndërkombëtar dhe emri për “qokë”

Duke u interesuar për ndonjë hollësi për këtë ngjarje të paprecedent, “Dyrrah”-u zbuloi edhe gafa të tjera. Nëse në Listat Diplomatike të shteteve të ndryshme të botës shteti balkan me kryeqytet Shkupin njihet si FYROM (The Former Yugoslav Republic of Macedonia – Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë), në Listën Diplomatike të Tiranës ky shtet figuron si The Republic of MacedoniaRepublika e Maqedonisë (shih faksimilen). Edhe në komunikatën e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë thuhet se Ministri Bushati priti sot [më 12 dhjetor 2013] në një takim Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Trajko Veljanoski. Që ka një gërç me këtë emërtim shteti, u vërejt më 12 dhjetor 2013 në konferencën e përbashkët të shtypit Ilir Meta-Trajko Veljanoski. Pyetjes së një gazetari: “Z. Meta, këtë muaj përfundon dhe 20-vjetori i marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, a mendon se Shqipëria në të ardhmen e shpejt ta pranojë Maqedoninë me emrin e vet kushtetues?” spikeri shqiptar iu përgjigj në mënyrë të mjegulluar: “Mendoj se ne jemi shprehur qartë për këtë çështje. Dhe mendoj se po të ishte në dorë të Shqipërisë, Maqedonia do të ishte prej kohësh anëtare e NATO-s, s’mund të them edhe e BE-së, sepse ne nuk jemi ende për vete. Maqedonia gëzon të gjithë mbështetjen e Shqipërisë prej dy dekadash, në afirmimin e vet sovran si një vend i pavarur dhe demokratik që synon t’i bashkohet Evropës së bashkuar”.

INTERMEXO

Sa i “vrarë” Meta, dhe pse 7 vjet më i vogël se homologu i tij

Meqë ra fjala, ndonëse Ilir Meta është 44 vjeç, dukej më i “vrarë” në fytyrë dhe më i madh në moshë se homologu Trajko Veljanoski, 51 vjeç (shihni fotot). Nuk dihet shkaku i kësaj rënieje të Metës në vitalitet. Kryeparlamentari ka shkuar në Gjermani dhe për një vizitë mjekësore, thonë burime të pakonfirmuara afër liderit të LSI-së. Natyrisht, Meta pati edhe veprimtari diplomatike të njoftuara zyrtarisht.  

Karajanov apo Trpevski?

Por mediokritetet nuk kanë të sosur. Po publikojmë dy faksimile. Në atë të Listës Diplomatike 2013 të Ministrisë shqiptare të Punëve të Jashtme, ku si ambasador i Republikës së Maqedonisë figuron Stojan Karajanov. Kurse në sajtin e ambasadës së Republikës së Maqedonisë në Tiranë figuron Vele Trpevski (http://www.missions.gov.mk/tirana/embassy/embassy-staff/). Këtë e konfirmon dhe sajti i Ministrisë së Punëve të Jashtme të IRJM-së (http://www.mfa.gov.mk/?q=node/1853). Por në vend të Vele Trpevskit kjo ministri ka çuar në Tiranë ish-ambasadorin e saj në Prishtinë Stojan Karajanov, i cili më 10 shtator 2013 i ka paraqitur letrat kredenciale Presidentit të Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani (shih foton). Me sa duket, edhe fqinji lindor është në “rrumpallë” informative, përderisa nuk bën përditësimin digjital të faqeve të dikasterit dhe ambasadës në Tiranë dhe Prishtinë, ku ende në këtë të fundit figuron ambasador Stojan Karajanov! 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/