·        Mision shkencor disamujor nëpër Mesdhe me objektiv përcaktimin më të saktë të pranisë së mikro-plastikave dhe efekteve të tyre në ekosistemet detare

DURRËS, 28 MAJ 2014 –  Porti i Durrësit, jo vetëm ai, por mbarë komuniteti kërkimor dhe ambientalist shqiptar, do të ketë rastin unik të presë në datat 15-19 korrik 2014, një legjendë, jahtin me vela Tara, anije shkencore oqeanografike (në vitin 2013 lundroi për 500 ditë përreth polit të Veriut, në 2014-ën vjen në Shqipëri).

Velieri “Tara” rifilloi lundrimin për një mision shkencor disamujor nëpër Mesdhe, përfshirë dhe Durrësin e Vlorën, duke pasur si objektiv përcaktimin më të saktë të pranisë së mikro-plastikave dhe efekteve të tyre në ekosistemet detare.

Pas misioneve Paqësori (Pacifique) në vitin 2011 dhe Arktiku (Arctique) në vitin 2013, ekspedita “Tara”, aktualisht e stacionuar në Tulon (Toulon) të Francës, duke vazhduar deri në dhjetor 2014 do të ndalet në dhjetëra vende të Mesdheut, një det që është nën presion të konsiderueshëm demografik dhe rritje të ndotjes, kryesisht për shkak të vëllimit të mbeturinave plastike, u bë e ditur në një konferencë shtypi më 27 maj 2014 në Paris gjatë prezantimit të ekspeditës së re.

1 % E SIPËRFAQES SË OQEANIT, 8 % E SPECIEVE, 90 % E NDOTJES

Brenda pak ditësh, anija mbërrin në ishullin Embiez, Sis-Fur-le-plazh (Var), pastaj në Nisë, Monako dhe Antib, para se të niset në lundrim për në Sardenjë, Durrës, Kiklade, Bejrut, Haifa, Tel Aviv, dhe pastaj në kthim në Valetë (Maltë), Bizertë (Tunizi), Algjer, Marsejë, San-Trope, Napoli, Gjenovë, Palava-lë-flo, Perpinjan, Barcelonë, Tanger, Faro (Portugali) [shih hartën].

Kthimi në portin mëmë të Lorian-it (Lorient) është planifikuar më 7 dhjetor 2014.

“Sot, 450 milion njerëz jetojnë përreth kësaj zone, një shifër që është dyfishuar në 30 vjet”, u tha në konferencën e shtypit.

Ky det, që përfaqëson më pak se 1 për qind të sipërfaqes së oqeanit botëror, është një rezervë e pabesueshme e biodiversitetit (8 për qind e specieve), por që është nën trysni të madhe me 90 për qind të ndotjes që vjen nga toka.

Gaby Gorsky, drejtor shkencor i misionit Tara Méditerranée, tha se “pavarësisht rritjes së akumulimit të mbeturinave plastike në natyrë, ne dimë shumë pak për çka ndodh me këto plastika dhe ndikimin e tyre në ekosistemet”.

Kërkuesi i Observatorit shkencor të Vilfransh-syr-mer (CNRS – Centre national de la recherche scientifique – Qendra Kombëtare e Kërkimit Shkencor) jep hollësi për objektivat e punës për mbledhjen e të dhënave në bordin anijes. “Ne do të përcaktojmë shpërndarjen hapësinore të fragmenteve të plastikave pluskuese, 0,3-50 mm, dhe pastaj të analizojmë tipat e ndryshëm plastikë, dhe ndotësit organikë që i shoqërojnë”, tha ai.

Pastaj do të bëhet një analizë e detajuar e ekosistemeve (baktere, protozoarë, mikro-alga, molusqe, etj.) që zhvillohen në plastikat.

Së fundi, shkencëtarët të ndryshme të imbarkuar në “Tara” do të studiojnë ndërveprimin e ekosistemeve të planktoneve me këto fragmente plastikash që pushtojnë detin Mesdhe.

TË PADUKSHME, POR TË PRANISHME

“Plastikat në formën e fragmenteve të padukshme për syrin e lirë aktualisht janë të pranishme edhe në ujërat e Mesdheut, duke modifikuar kiminë e detit”, paralajmëron Gaby Gorsky.

Këto mikro-fragmente (më pak se 5 mm) janë rezultat i proceseve të degradimit apo erozionit në periudha të gjata.

Mbledhja dhe analiza e të dhënave në bordin e Tara-s i bashkëngjitet dhe kompleton punën e ekspeditës MED që nga viti 2009 në veri të Mesdheut, që ka regjistruar një numër prej 250 miliardë fragmentesh në det.

Karakteri ndërdisiplinor i ekspeditës shfaqet me një duzinë laboratorësh kërkimorë francez, italian, gjerman apo amerikan të përfshirë tashmë në këtë eksperiment, i cili gjithashtu ka një komponent pedagogjik lidhur me popullsitë që hasen në porte.

 “Tara, gjatë një udhëtimi prej 16.000 km, do të bëjë më shumë se njëzet ndalesa në 13 vende, të cilat do të jenë rast i mirë për sensibilizimin në parandalimin e ndotjes, veçanërisht duke vënë theksin në nisma lokale”, u tha në një konferencë shtypi më 27 maj 2014 në Paris gjatë prezantimit të ekspeditës së re.

“Ne duam të flasim për atë që mund të bëhet për të hequr plastikën nga oqeanet: duke reduktuar emetimet në burim, veçanërisht qeset plastike me përdorim unik, ndryshuar sjelljen përmes edukimit, menaxhuar mirë mbeturinat në nivel komunitetesh vendore dhe favorizuar inovacionin kundrejt plastikës vërtetë bio-degraduese”, tha Romen Trubli-a (Romain Troublé).

INFO

Partnerë: agnès b., Fondation Prince Albert II de Monaco, Fondation Veolia Environnement, IDEC, Carbios, UNESCO-COI, MedPAN, Surfrider Foundation, Lorient Agglomération, Ministria franceze e Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Energjisë, IUCN, CNRS, AFP, RFI, France 24, MCD.

Partnerë shkencorë: Laboratoire d’Océanographie de Villefranche-sur-mer, CNRS, Universiteti i Miçiganit, Universiteti i Majn-it (Maine), NASA, Universiteti i Lirë i Berlinit (Freie Universität Berlin), Universiteti Pierre et Marie Curie, IFREMER, Observatoire Océanologique de Banuyls, Univeriteti Bretagne Sud, Universiteti Toulon Sud, Universiteti Aix Marseille, Université de Corse.

Skeda e velierit “Tara”

Emra të tjerë:  Antarctica (1989-1996)

                       Seamaster (1996-2003)

Ekuipazhi:      12

Tipi:                jaht me dy vela

Lëshimi:         viti 1989

Gjatësia:         36 m

Gjerësia:        10 m

Zhytja:           1,50-2,50 m

Zhvendosja:   130 tonë

Ndërtimi¨       SFCN Villeneuve-la-Garenne

Porti mëmë:   Lorian (Lorient) Francë

Flamuri:         Francë

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/