· Ora 19:30 e 11 prillit-ora 17:00 e 12 prillit 2014 bllokohet segmenti hekurudhor Lekaj-Peqin
· Terminali Lindor i portit kishte ngarkuar trenin mbi kapacitetin bartës me hekurishte
DURRËS, 12 prill 2014 – Tre vagonë treni, të batuar nga mbingarkesa me skrap, mbajtën të bllokuar, qysh nga ora 19:30 të së premtes 11 prill 2014, të paktën, deri në orën 17:00 të së shtunës, 12 prill 2014, segmentin e linjës hekurudhore Lekaj-Rrogozhinë, për pasojë qarkullimin në krejt boshtin Durrës-Rrogozhinë-Pogradec, Durrës-Rrogozhinë-Fier-Vlorë dhe anasjelltas.
Sikurse i konfirmoi “Dyrrah”-ut në linjë telefonike, më 12 prill 2014, ora 11:10 paradite, drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i shoqërisë publike / shtetërore Hekurudha Shqiptare (HSH) sha Genc Alizoti, në të dalë të tunelit të Rrogozhinës ka ndodhur një avari e lehtë, thjesht për pakujdesi gjatë ngarkimit të skrapit të importit në degëzimin industrial në Terminalin Lindor të portit të Durrësit nga ana e koncesionarit gjerman EMS APO shpk.
“Dyrrah”-u mësoi se saktësisht në orën 19:30 të së premtes, 11 prill 2014, në km 33+600 nga Durrësi, në të dalë të tunelit hekurudhor të Rrogozhinës në drejtim të Elbasanit, treni i specializuar nr. 155, me 15 vagonë vetëshkarkues të ngarkuar me mbi 1 000 tonë skrap importi të grupit turk “Kurum”, u bllokua në vend.
Personeli i trenit ka zbritur në linjë dhe ka parë se tre vagonët e fundit ishin batuar.
Pasi është njoftuar Durrësi për avarinë, pjesa tjetër e trenit, tani me 12 vagonë, është nisur në orën 22:00 drejt kombinatit metalurgjik në Elbasan, me shpejtësi të reduktuar deri 15 km/orë.
Ndërkohë, pas tij, ka mbërritur në stacionin e Lekajt, ku është stacionuar, në orën 19:40, treni me numër 157, po me 15 vagonë vetëshkarkues me skrap, me destinacion kombinatin metalurgjik të Elbasanit.
Kreu i HSH sha, z. Alizoti konfirmoi se, me të marrë njoftimin, ai dhe drejtues të tjerë së bashku me njësinë përkatëse të infrastrukturës, shkuan në vendngjarje, ku është punuar gjithë natën e së premtes dhe së shtunës dhe ditën e 12 prillit 2014, ndonëse të rraskapitur dhe pa gjumë për të rivendosur trafikun e ndërprerë.
Paraprakisht, lidhur me shkaqet e avarisë, z. Alizoti i tha “Dyrrah”-ut se tre vagonët e fundit mund të jenë ngarkuar mbi kapacitetin maksimal prej 60 tonë.
Rreth orës 17:00 pritej rifillimi i lëvizjes pas riparimit të dëmit.
Skrapi është një mall problematik gjatë ngarkim-shkarkimit anije-shesh depozitimi-vagon dhe lëvizjes me tren.
Kjo sasi skrapi e porositur në import nga grupi Kurum, depozitohet në sheshin përkatës të Terminalit Lindor, koncesion i firmës gjermane EMS-APO shpk.
Këtu ekziston qysh para viteve 1990 një degëzim industrial hekurudhor, i cili po shfrytëzohet nga HSH sha dhe Kurum-i për transportin e skrapit, gjë që ndihmon së tepërmi hekurudhën, që është në vështirësi ekonomike, dhe me leverdi, nga tarifat, për metalurgët turq.
Gjatë ngarkimit të trenit me nr. 155 punonjësit e EMS APO shpk kanë hedhur në mënyrë të çrregullt më tepër hekurishte nga sa është kapaciteti bartës i tre vagonëve të trenit.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





