·        Ndërkohë që me paratë e buxhetit të shtetit koncesionarit të Terminalit Lindor APD-ja i bëri sevap 164 mijë euro

DURRËS, 26 korrik 2014 –  Me të marrë sigurime nga Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës (që mendon se është ende Ministër i Punëve të Jashtme!) z. Edmond Haxhinasto se nuk do të preken koncesionet në portin e Durrësit, ndonëse Kontrolli i Lartë i Shtetit ka sugjeruar rishikim të tyre, gjermanët e Terminalit Lindor kanë kërkuar në gjykatën e Tiranës shpërblim dëmi nga Autoriteti Portual dhe për 9 557.18 euro, ndonëse janë favorizuar me qindra mijë euro nga shqiptarët.

“Dyrrah”-u ka mësuar se në gjykatën e shkallës së parë në Tiranë, më 27 qershor 2014, është regjistruar çështja civile nr. 12209 “Padi shkaktim dëmi”, ku në rolin e paditësit është koncesionari gjerman EMS Albanian Port Operator shpk, kurse i paditur është Autoriteti Portual Durrës.

Gjermani kërkon “t’i shpërblehet dëmi i shkaktuar në shumën 9 557.18 euro si pasojë e pengimit në përmbushjen e kontratës së koncesionit për menaxhimin, operimin dhe mirëmbajtjen e terminalit lindor të portit të Durrësit, nënshkruar në datën 6 maj 2013 ndërmjet Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit të Republikës së Shqipërisë dhe paditësit”.

Madje EMS APO-ja kërkon që porti “të mos kryejë asnjë veprim në të ardhmen që pengon operimin e gjermanit sipas kontratës së koncesionit në portin e Durrësit”.

Seanca e parë, nën drejtimin e gjyqtarit z. Agron Zhukri, është parashikuar të zhvillohet më 9 shtator 2014.

Info 1

Të kërkohet arkëtimi i vlerës 164 mijë euro brenda datës 31 tetor 2014 për transferimin, më 15 korrik 2013, të dy elektrovinçave 16-27.5 tonë në terminalin lindor, koncesion i kompanisë gjermane EMS Albanian Port Operator (EMS APO), me pronar z. Heiko Luikenga, por përfaqësuar nga z. Manfred Muller, pasi “është bërë me një diferencë nga shpenzimet e kryera për remontin e tyre”, është Kontrolli i Lartë i Shtetit që zhdëmtimin ta bëjnë 4 ish-drejtues të portit të Durrësit.

Bie në sy fakti që drejtoria e përgjithshme ekzekutive e shoqërisë publike / shtetërore APD sha i ka bërë “sevap” koncesionarit privat gjerman të Terminalit Lindor me paratë e buxhetit të shtetit shqiptar [shih edhe: www.durreslajm.com/investigim/klsh-gjob%C3%AB-164-mij%C3%AB-euro-p%C3%ABr-4-ish-drejtues-t%C3%AB-portit].

Info 2

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka sugjeruar që brenda datës 30 shtator 2014, të rinegociohet kontrata e koncesionit datë 6.5.2013 “Menaxhimi, operimi dhe mirëmbajtja e Terminalit Lindor në Portin e Durrësit”, në lidhje objektin e koncesionit, nivelin e investimit privat dhe përqindjen (royalty) fikse për Autoritetin Portual Durrës, sipas parashikimeve të VKM nr. 546, datë 28.05.2009 “Për miratimin e masterplanit për zhvillimin e portit të Durrësit”.

Sikurse ka vënë në dukje dhe “Dyrrah”-u, që citohet nga KLSH-ja, në masterplan janë parashikuar dhe miratuar këta tregues: objekti i koncesionit janë mineralet e nikel/krom eksport dhe qymyrit import.

Kurse në kontratë, që nuk dëshiron ta shfuqizojë ministri z. Haxhinasto, janë përfshirë edhe “ngarkimi dhe shkarkimi kryesisht i ngarkesave rinfuso, por edhe i anijeve me ngarkesa të përgjithshme / gjenerale dhe për ngarkesa për projekte sipas rastit” [shih edhe: www.durreslajm.com/investigim/ekskluzive-konkurrenca-dhe-klsh-jo-monopolit-gjerman-te-kalata-lindore].

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/