4 gusht 2015 – Nuk janë të pakta rastet kur familjarët e pacientëve në spitale detyrohen t’i blejnë vet ilaçet, pasi u thuhet se gjoja nuk ka gjendje në magazina. “Dyrrah”-u mësoi nga burime zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë se Spitali Rajonal publik Durrës (SRD) ka kontraktuar 18 900 lekë heparinë sodium; 1 145 760 lekë ketoprofen sale di lisina; 995 840 lekë mannitol; 439 991 lekë calcium gluconate; 4 845 lekë dopaminë; 117 490 lekë pancuronium bromide; 98 248 lekë suxamethonium; 91 306 lekë thiopental; 226 378 lekë ondansetron. Pacientët dhe familjarët e tyre nuk duhet të tërhiqen nga “jo” e dikujt dhe të mos blejnë nëpër farmaci, por të denoncojnë në drejtorinë e institucionit.
Për hir të transparencës, për të shmangur sorollatjen e qytetarëve hallexhinj dhe për të demaskuar raste të korrupsionit mes bluzave të bardha apo paaftësinë dhe kaosin administrativ në spital, portali “durreslajm.com” do të bëjë publike listën e gjatë të barnave, gjendje në SRD.
Info
Shërbimi i farmacisë në SRD funksionon si një sektor më vete, i cili realizon furnizimin, ruajtjen dhe shpërndarjen e medikamenteve dhe materialeve të mjekimit sipas nevojave dhe kërkesave të pavijoneve të spitalit.
Farmacia e Spitalit ka një magazinë qendrore me sistem kondicionimi dhe frigoriferë për ruajtjen e barnave, dy depo të tjera gjithashtu dhe një mjedis figoriferik të madh për ruajtjen e materialeve të laboratorit të spitalit.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/