29 korrik 2015 –  Këshilli bashkiak nr. 2 në Shqipëri konstituohet të hënën e ardhshme.

Më në fund edhe Durrësi do të konstituojë “parlamentin” e vet vendor, të hënën më 3 gusht 2015, ku do të betohet dhe Qytetari nr. 1 Vangjush Dako, mësoi “Dyrrah”-u nga burime të sigurta. Zvarritja e këtij akti kaq të rëndësishëm ka të bëjë me ankesën e PD-së për 7 kuti, ku opozita pretendonte se kishte vota emigrantësh që nuk ishin të pranishëm më 21 qershor 2015. Sikurse është bërë e ditur, si KQZ-ja dhe Kolegji Zgjedhor, hodhën poshtë akuzën “blu” për mungesë provash. Madje, absurdi arriti deri atje sa të pretendohej që kryetari aktual i LRI-së, ish-drejtor rajonal i kulturës kombëtare Durrës në qeverisjen e PD-së, Ermion Arapi, nuk ka votuar fare, pasi, sipas demokratëve, ndodhej jashtë shtetit.

KQZ-ja i ka dhënë Dakos mandatin e kryebashkiakut. Ende nuk dihet se cili do të jetë “spikeri” i Këshillit Bashkiak në negociatat midis pjesëtarëve të koalicionit. PS-ja synon sërish Alban Ramohiton. LSI-ja nuk bën shumë naze për shkak të numrit të lartë të drejtorëve në institucionet dhe ndërmarrjet publike që ka.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/