· Në ato gjashtë muaj të qëndrimit në krye të shtetit shqiptar si kryeministër, në qershor-dhjetor 1924, Fan Noli nuk harroi të mbështesë e të ndihmojë miqtë e tij durrsakë: vendosi kryetar Bashkie avokatin Hysen Myshketa; sekretar Rifat Tartarin; punonjës kadastre Kasëm Durrësin; një staf të kualifikuar financierësh durrsakë; mjek të Bashkisë Neki Libohovën; prefekt të Durrësit Riza Danin etj. Edhe pse në vështirësi, ia shpërndau paret e arkës administratës së Durrësit, sipas shkresës të firmosur prej tij dhe Ministrit të Financave Luigj Gurakuqi, me vulën e Kryeministrisë
DURRËS, 3 korrik 2014 – Bashkia e Durrësit ka vendosur të ndreqë gafën e rëndë dhe mëkatin publik që ka bërë ndaj ish-mitropolitit ortodoks të Durrësit Imzot Fan Stilian Noli (1882-1965), duke i vënë emrin rrugës së Kishës, ku 100 vjet më parë meshoi në shqip dhe jo në greqisht.
PROJEKTVENDIMI
“Dyrrah”-u ka mësuar nga rendi i ditës se në mbledhjen e këshillit bashkiak të Durrësit, e parashikuar të mbahet më 10 korrik 2014, do të votohet për projektvendimin “Për miratimin e ndryshimit të vendimit të këshillit të bashkisë nr. 181, datë 26.10.2009 “Për miratimin e emërtimeve të reja të shesheve, shëtitoreve dhe rrugëve në qytetin e Durrësit” për ndryshimin e emrit të rrugës nga “Spiro Puteci” në “Fan Noli””.
Në relacionin e paraqitur nga drejtori i drejtorisë së planifikimit dhe kontrollit të territorit z. Adhurim Qehajaj, thuhet se në institucionin e Bashkisë Durrës është kërkuar nga Katedralja e Shën Palit dhe Shën Astit që rrugës, e cila të çon për në kishë, t’i vendoset emri “Fan Noli”.
EMËRTIMET
Emërtimet e reja të shesheve, shëtitoreve dhe rrugëve në qytetin e Durrësit kanë ngjallur debate deri dhe shkrimtari, kineasti, dramaturgu dhe publicisti i njohur i Durrësit, z. Bashkim Hoxha ka polemizuar në shtyp.
Një nga paradokset e mëdha është mungesa e emrave të tillë, si ai i arkeologut dhe muzeologut me famë botërore, Vangjel Toçi, që ka themeluar bibliotekën publike, tre muzetë e Durrësit, muzetë e Kavajës, Rrogozhinës etj., “pagëzues” i mbi tre milionë shqiptarë në territoret etnike me emra ilirë, zbulues i amfiteatrit, mozaikut Bukuroshja e Durrësit etj. etj.
Këto fakte i dinin mirë ata tre historianë që u morën me listimin e emrave.
5 VJET BANOR I DURRËSIT
Historianët e dinin mirë se Fan Noli banoi 5 vjet në Durrës (1914-1915 dhe 1920-1924).
Amaneti i të ndjerit ishte, që të kujtohej e t’i bëhej përshpirtja e emrit të tij vetëm në kishën historike të Durrësit.
Me miratimin e shtetit tonë, klerikët shqiptarë të kishës së Shën Gjergjit të Bostonit, në vitin 1965 kryen ceremoninë e shugurimit të At Artur Liolinit në kishën e Shën Spiridonit në Durrës, në praninë e At Erazëm Jorgo, priftit të Durrësit, të shuguruar nga Kryepeshkopi Fan Noli në kishën e Shën Gjergjit në Tiranë, më 24 mars 1924.
Klerikët erdhën të përmbushnin amanetin e Nolit, se shugurimi i At Arturit duhej të kryhej vetëm në këtë kishë.
100 VJET MË PARË
Historainët e dinin se At Noli në muajin korrik 1913, vizitoi për herë të parë Shqipërinë dhe u ndal në Durrës.
Së pari vizitoi qeveritarin e Durrësit, Hamit Toptanin, vizitoi Xhaminë e Madhe e u përshëndet me hoxhë Hysen Alushin.
Më pas vizitoi priftin katolik dom Frano Gjinin në qelën e tij, vizitoi Klubin Letrar Ditunia, me kryetar Andrea Ekonomin dhe në fund vizitoi dhespotin ortodoks, kretanin Jakov.
Noli mbajti një fjalim të zjarrtë në prani të autoriteteve vendore dhe të popullit në një podium të ngritur në lulishten e qytetit. Stefan Kaçulini recitoi poezinë e Pashko Vasës Shqypnia e robnueme. U prit mjaft mirë nga populli, i cili e vlerësoi dashamirësinë, që Noli tregoi ndaj tij e komuniteteve fetare.
Disa muaj më pas, At Theofani, më 10 mars 1914 mbajti të parën shërbesë fetare në gjuhën shqipe në kishën e Shën Spiridonit, tri ditë pas mbërritjes të princit Vilhelm Vidi në Durrës.
KRYEBASHKIAKU I DURRËSIT ORGANIZOI KONGRESIN E BERATIT
Në Shqipëri Kongresi Kishtar I i Beratit, më 12 shtator 1922, e shpalli de facto të pavarur kishën ortodokse shqiptare. Ky akt, pas shumë përpjekjesh, u njoh de jure nga Patriarkana e Stambollit (me qendër në kishën e Shën Gjergjit), më 12 prill 1937.
Nismën për mbajtjen e Kongresit Kishtar I në Berat e mori atdhetari Kostë Paftali, kryetari i Bashkisë së Durrësit.
Paftali njoftoi me telegrame prefekturat dhe nënprefekturat e Korçës, Beratit, Gjirokastrës, Vlorës, Elbasanit, Durrësit, Shkodrës, që të dërgonin klerikë delegatë për organizimin e një tubimi mbarëshqiptar, i cili do të shpallte botërisht Kishën Ortodokse Autoqefale Kombëtare Shqiptare.
Delegati Fan Noli, banues në Mitropolinë e Durrësit, përfaqësonte si kryepeshkop Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare të Amerikës, të cilën e kishte themeluar me aq sakrifica.
Ai synonte që kryepeshkopi duhet të ishte prej gjaku, gjuhe e me shtetësi shqiptare, dhe kjo u arrit.
Më 10-19 shtator 1922, delegatët u mblodhën në Berat dhe ndër vendimet e tjera të marra shpallën njëzëri miratimin për Nolin: I denjë, i denjë, i denjë, për të marrë kreun e kishës shqiptare.
Me shpalljen e vendimit nr. 807, dt. 18. 09. 1922, Këshilli i Ministrave i shtetit shqiptar i njohu zyrtarisht vendimet e Kongresit Kishtar I të Beratit.
Njëri nga nenet kryesorë të Kanunores të Kishës kërkonte, që shërbesat fetare në kishat ortodokse shqiptare të kryheshin në gjuhën shqipe.
SHUGURIMI
Më 21 nëntor 1923, apo më 4 dhjetor (kalendari i ri gregorian), sipas vendimit të Kongresit Kishtar I, më 1922, u krye ceremonia e shugurimit të kryepeshkop Nolit.
Dioqezat apo mitropolitë apo peshkopatat (të tre emërtimet romano-bizantine kanë të njëjtin kuptim) vareshin nga Kryemitropolia e Durrësit, sepse prej shekujsh ky qytet ishte bërë qendra kishtare e Ilirisë, e selive ortodokse dhe katolike.
Marrja e Kryemitropolisë së Durrësit i dha Nolit titullin: Kryepeshkop i Durrësit, i Tiranës, i Elbasanit, i Gorës dhe i Shpatit, primat dhe ekzark i Ilirisë, i detit të Perëndimit dhe i të gjithë Shqipërisë.
Këtë mision e kreu edhe kur ishte për 6 muaj kryeministër, deri më 24 dhjetor 1924, kur u detyrua të largohej përfundimisht nga Shqipëria.
Prandaj ndërtesë me vlera historike është dhe ish-Mitropolia e Durrësit (e ndërtuar në truallin e kishës së Shën Spiridonit), ku për disa vite banoi dhe shërbeu Noli.
Shtrirja territoriale e ndikimit të kryepeshkopit Theofan (të Shqipërisë etnike dhe më gjerë), ishte e barazvlefshme me atë të bashkëluftëtarit të Gjergj Kastriotit, Pal Engjëlli, Kryepeshkopi i Durrësit dhe i gjithë krahinave të Arbërisë.
MIRËNJOHJA
Në ato gjashtë muaj të qëndrimit në krye të shtetit shqiptar si kryeministër, në qershor-dhjetor 1924, Fan Noli nuk harroi të mbështesë e të ndihmojë miqtë e tij durrsakë.
Noli vendosi kryetar Bashkie avokatin Hysen Myshketa, sekretar Rifat Tartarin, punonjës kadastre Kasëm Durrësin, një staf të kualifikuar financierësh durrsakë, mjek të Bashkisë Neki Libohovën, prefekt të Durrësit Riza Danin etj.
Edhe pse në vështirësi, ia shpërndau paret e arkës administratës së Durrësit, sipas shkresës të firmosur prej tij dhe Ministrit të Financave Luigj Gurakuqi, me vulën e Kryeministrisë (Të dhënat sipas znj. Elidë Jorgoni)
THEOFAN DURRSAKU
Është një nga turpet e bashkisë së Durrësit që rrugës, e cila të çon te Kisha, midis shkollës artistike “Jan Kukuzeli” dhe Bankës Kombëtare Tregtare, i vuri emrin e një shitësi mishi, meqë i ndjeri, sado familjar i mirë, kishte “meritën” si i ati i shefit të kabinetit të ish-kryetarit të bashkisë.
Problemi u aktualizua më 30 qershor 2014 kur busti i Fan Nolit, i planifikuar të vendosej në Durrës, përfundoi në Elbasan.
Intelektualë ortodoksë dëshmuan se ata para disa vjetësh kanë kërkuar në bashki.
Sikurse shkruan znj. Elidë Jorgoni, në vitin 2012 iu kërkua Bashkisë të Durrësit të hiqej nga rruga e dytë emri “Spiro Puteci” dhe të vendosej emri “Kryepeshkop Theofan Stilian Noli”.
Kjo për faktin se i njëjti emër, Spiro Puteci, është vendosur në dy rrugë: nga ish-URT-ja e vjetër deri tek SHISH-i (rruga e parë) dhe nga kjo e fundit deri te porti (rruga e dytë).
Znj. Jorgoni shtron pyetjen se a mos ndoshta është lënë rezervë, që tek kjo rruga e dytë të vendoset më vonë emri i Kryepeshkop Anastasit, siç është vepruar në Korçë?
Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale Kombëtare Shqiptare Theofan Stilian Noli shërbeu dhe banoi në kishën e Shën Spiridonit e në Mitropoli në Durrës.
Këtë fat nuk e patën qytetet e tjera.
Prandaj Noli me krenari dhe mirënjohje i nënshkruante letrat: Theofan Durrësaku.
Shënim: Fotot nga znj. Elidë Jorgoni
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





