Deklarata e plotë e Institutit Demokratik Amerikan (NDI) për vlerësimin e situatës para-zgjedhore në Shqipëri

TIRANË, 23 mars 2013 – Në datat 18-22 Mars 2013, Instituti Demokratik Amerikan (NDI) solli në Shqipëri misionin e vëzhguesve për vlerësimin e situatës para-zgjedhore ku kishte në fokus vlerësimin e mjedisit politik që i jep formë periudhës para-zgjedhore, përgatitjet zgjedhore në bazë të kuadrit ligjor, administrimin e tyre dhe pjesëmarrjen e aktorëve politikë kryesorë dhe civil në këtë proces.

Më 22 mars 2013, delegacioni, i cili përbëhej nga ish-Guvernatori i Vermontit dhe ish-Kryetari i Komitetit Demokratik Amerikan, Howard Dean; ish-deputetja e Parlamentit të Holandës dhe të Parlamentit Evropian, Lousewies van der Laan; Kryetarja e Komisionit Federal të Zgjedhjeve të Shteteve të Bashkuara, Ellen Ëeintraub; Robert Benjamin, Drejtor i NDI-së për Rajonin e Evropës Qendrore dhe Lindore; dhe Ana Kadovic, drejtoreshë rezidente e NDI-së / Shqipëri, lëshoi përmes një konference për shtyp në Tiranë një deklaratë me gjetjet dhe rekomandimet kryesore.

Pasqyrimi

Në të vërtet, mediet shqiptare e mbuluan këtë event të rëndësishëm politik. Por, për mungesë vendi apo kohe, deklarata e NDI-së për vlerësimin e situatës para-zgjedhore në Shqipëri, u pasqyrua shkurt; mediet opozitare nxorën në pah disa vlerësime negative që nxirrnin në dritë jo të mirë qeverinë, kurse mediet të shkruara afër pushtetit, u treguan disi të moderuara ose nuk e pasqyruan fare në numrin e datës 23 mars 2013.

Ndonëse NDI-ja tërhoqi vëmendjen në këtë aspekt të politikës editoriale.

TV publik

Më flagrant ka qenë qëndrimi i televizionit publik që dha një paragraf ku vlerësohej se “Shqipëria është një shoqëri e hapur, e mbështetur në të drejtat themelore të njeriut mbi lirinë e fjalës, grumbullimit dhe pjesëmarrjes në shoqata. Shqipëria është anëtare e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) dhe vend aspirant për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE). Kuadri i saj kushtetues dhe juridik është në përputhje me standardet ndërkombëtare demokratike. Shqipëria ka një sistem të zhvilluar shumëpartiak dhe të shoqërisë civile. Vendi i ka organizuar zgjedhjet mbështetur në ligjet kushtetuese dhe në bazë të kuadrit administrativ dhe ligjor të sanksionuar ndërkombëtarisht dhe në mënyrë konsensuale. Shumë prej këtyre arritjeve janë të jashtëzakonshme kur mendon llojin jashtë mase izolues të komunizmit prej të cilit Shqipëria u shkëput në vitin 1991”.

Por nuk dha asnjë nga vlerësimet kritike. Për më tepër, që shprehimisht NDI-ja tha: “Televizioni shtetëror ka detyrime të veçanta për ruajtjen e standardeve për një shtyp të paanshëm, veçanërisht për shkak se një pakicë e konsiderueshme e qytetarëve, që kryesisht banojnë në zonat rurale, kanë mundësi të shohin vetëm televizionin shtetëror”.

Me këtë rast, ekskluzivisht agjencia e lajmeve “Dyrrah” konsideron se publikut i duhet dhënë e plotë deklarata, pasi ajo nuk është në favor të asnjë force politike.

Deklarata është një guidë për partitë në nivel qendror dhe vendor për administrimin e zgjedhjeve të 23 qershorit 2013.

Info

Instituti Demokratik Amerikan (NDI) është një organizatë jo-fitimprurëse, jo-partiake, jo-qeveritare që u përgjigjet aspiratave të njerëzve në mbarë botën për të jetuar në shoqëri demokratike që njohin dhe promovojnë të drejtat bazë të njeriut. Që nga themelimi i saj në vitin 1983, NDI-ja dhe partnerët e saj vendorë kanë punuar për të krijuar, mbështetur dhe forcuar institucionet dhe praktikat demokratike duke forcuar partitë politike, organizatat qytetare dhe parlamentet, për të mbrojtur zgjedhjet dhe për të promovuar pjesëmarrjen e qytetarëve, transparencën dhe përgjegjësinë në qeveri. Përfshirë anëtarë e stafit dhe praktikantët vullnetarë politikë nga më shumë se 100 kombe, NDI-ja bashkon individë dhe grupe për të shkëmbyer idetë, njohuritë, përvojat dhe ekspertizën. Puna e Institutit mbështet parimet e mishëruara në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. NDI-ja gjithashtu synon të mbështesë zhvillimin e kanaleve të komunikimit midis qytetarëve, institucioneve politike si edhe zyrtarëve të zgjedhur si edhe zhvillimin e aftësive të tyre për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve.

NDI-ja punon në Shqipëri që nga viti 1991, duke nxitur pjesëmarrjen politike të qytetarëve, rritjen e pjesëmarrjes publike në vendimmarrje në nivel lokal dhe kombëtar, duke organizuar dhe mbështetur monitorimin e zgjedhjeve, edukimin e votuesve dhe duke nxitur zhvillimin e partive politike dhe liderëve të rinj.

 

Teksti i plotë

 

DEKLARATË

MISIONI I VLERËSIMIT PARAZGJEDHOR NË SHQIPËRI

 

Mars 22, 2013

 

Kjo deklaratë paraqitet nga delegacioni ndërkombëtar i Institutit Demokratik Amerikan (NDI). Delegacioni përbëhej nga ish-Guvernatori i Vermontit dhe ish-Kryetari i Komitetit Demokratik Amerikan, Howard Dean; ish-deputetja e Parlamentit të Holandës dhe të Parlamentit Evropian, Lousewies van der Laan; Kryetarja e Komisionit Federal të Zgjedhjeve të Shteteve të Bashkuara, Ellen Weintraub [Kryetarja Weintraub ka marrë pjesë në këtë vlerësim në cilësinë e personale];  Robert Benjamin, Drejtor i NDI-së për Rajonin e Evropës Qendrore dhe Lindore; dhe Ana Kadovic, drejtoreshë rezidente e NDI-së / Shqipëri.

Qëllimi i punës së këtij delegacioni është të vlerësojë në mënyrë të paanshme përgatitjet për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013; të vlerësojë klimën e përgjithshme politike që i jep formë ciklit zgjedhor; të shqyrtojë faktorët e veçantë që favorizojnë apo pengojnë shprehjen demokratike të vullnetit të popullit; si dhe të japë rekomandime për të rritur besueshmërinë te procesi zgjedhor. Delegacioni e ka kryer aktivitetin e tij në përputhje me ligjet e Shqipërisë dhe standardet ndërkombëtare të parashtruara në Deklaratën e Parimeve për Vëzhgimin Ndërkombëtar të Zgjedhjeve, që është e njohur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara dhe institucionet e tjera ndërkombëtare përkatëse.

Delegacioni zhvilloi takime me Presidentin e Republikës së Shqipërisë; Kryeministrin, kryetarin e Partisë Socialiste, përfaqësuesit e partive të tjera parlamentare dhe jo-parlamentare; Kryetaren e Kuvendit; Kryetaren dhe Nënkryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve; zyrtarë lokalë në Tiranë dhe Elbasan; grupe qytetare të vëzhgimit të zgjedhjeve, organizata të gruas, të të rinjve dhe të personave me aftësi së kufizuar, përfaqësues të medias, analistë të pavarur dhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar. Delegacioni dëshiron t’u shprehë mirënjohjen e tij bashkëbiseduesve, të cilët që të gjithë shprehën hapur pikëpamjet e tyre. Këndvështrimet e tyre janë përdorur si informacion në përgatitjen e kësaj deklarate.

NDI-ja nuk kërkon të ndërhyjë në procesin zgjedhor të Shqipërisë, as nuk synon e as nuk do të mundte të jepte një vlerësim të plotë e përfundimtar për procesin zgjedhor. Vlerësimi i gjithanshëm i zgjedhjeve të çdo lloji duhet të përfshijë të gjitha aspektet dhe etapat e një procesi zgjedhor. Ato përfshijnë: 1) kushtet e krijuara nga kuadri ligjor i zgjedhjeve; 2) periudhën parazgjedhore para dhe gjatë fushatës zyrtare; 3) procesin e votimit dhe hedhjen e votës; 4) nxjerrjen e rezultateve; 5) shqyrtimin dhe zgjidhjen e ankesave dhe të mosmarrëveshjeve; dhe 6) kushtet që ekzistojnë për krijimin e qeverisë pasardhëse. Kësisoj, si pjesë e një vlerësimi të plotë, periudhës para-zgjedhore, përfshirë përgatitjeve zgjedhore dhe klimës politike duhet t’i mëshohet shumë gjatë vlerësimit të natyrës demokratike të zgjedhjeve.

Përfundimisht dhe në mënyrë të patjetërsueshme, janë qytetarët e Shqipërisë që do të përcaktojnë besueshmërinë e zgjedhjeve të tyre. Me këtë frymë, delegacioni paraqet këtë deklaratë parazgjedhore për të mbështetur dhe forcuar përpjekjet e shqiptarëve për të çuar përpara institucionet dhe proceset demokratike, në përputhje me mbështetjen e vazhdueshme të NDI-së gjatë tranzicionit demokratik të vendit.

Delegacioni dëshiron t’i shprehë mirënjohjen e tij Ndihmës Amerikane për Demokraci (NED), që ka financuar punën e delegacionit dhe programet e asistencës për demokraci të NDI-së në Shqipëri.

 

PËRMBLEDHJA E REZULTATEVE

 

Kuadri i zgjedhjeve në Shqipëri është përmirësuar në një masë të konsiderueshme. Nëse ai do të zbatohet në mënyrë të drejtë, të qëndrueshme dhe të paanshme, në përputhje me standardet ndërkombëtare, vendi do të jetë në gjendje të zhvillojë zgjedhje që meritojnë besimin e popullit dhe pranim të rezultatit. Kjo mundësi mund të shkojë dëm nëse qëndrimet e papërshtatshme partiake e minojnë këtë proces, duke lëkundur besimin e publikut në integritetin e zgjedhjeve dhe duke ulur besimin publik te institucionet politike të vendit. Qytetarët e Shqipërisë, së bashku me partitë politike, duhet të luajnë një rol kritik për të garantuar se votat e tyre numërohen siç duhet dhe për të ruajtur integritetin e përgjithshëm të zgjedhjeve.

Niveli i besueshmërisë që qytetarët shqiptarë do të kenë në këto zgjedhje varet shumë nga shkalla e administrimit profesionist dhe jo-partiak të procesit zgjedhor në tërësi dhe nga shkalla e transparencës së ofruar nga vëzhgimi aktiv dhe jo-partiak i zgjedhjeve. Gjithashtu, kjo kërkon që rezultati i zgjedhjeve të shqyrtohet në mënyrë të drejtë dhe transparente dhe mosmarrëveshjet të gjykohen duke iu përmbajtur me besnikëri ligjit. Si rezultat, secili prej këtyre faktorëve varet shumë nga përgjegjësia e partive politike që garojnë në zgjedhje, për sa i përket masave të tyre për krijimin e një klime politike që nxit konkurrencën e ndershme dhe informimin e votuesve për alternativat, duke iu përmbajtur rigorozisht parimit të mos-ndërhyrjes së politikës në administrimin e procesit dhe të nxjerrjes së rezultatit; dhe duke krijuar mundësinë për një transparencë të plotë të të gjithë procesit zgjedhor. Një proces zgjedhor demokratik varet po aq edhe nga qytetarët aktivë – si votues, vëzhgues, por ndërmjet të tjerash edhe si kandidatë, komisionerë zgjedhorë, numërues votash dhe si personel i sigurisë – për të kërkuar dhe njëkohësisht për t’iu përmbajtur parimeve të ndershmërisë, sjelljes paqësore, transparencës dhe llogaridhënies.

Zgjedhjet që meritojnë besimin e publikut mbështetur në standardet demokratike janë të arritshme. Kuadri zgjedhor dhe kapacitetet administrative janë përmirësuar gjatë 10 viteve të fundit në fusha si listat e votuesve dhe roli i personelit të sigurisë. Procedurat e votimit në ditën e zgjedhjeve në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 dhe zgjedhjet lokale të vitit 2011 u zhvilluan në mënyrë të rregullt dhe paqësore. Kuadri aktual zgjedhor i ka siguruar Shqipërisë bazën më të fuqishme deri më sot për të pasur një proces profesionist, neutral dhe transparent, dhe në shumë aspekte, ky proces po ecën mirë – por zgjedhjet demokratike mund të bëhen të paarritshme nëse niveli aktual i polarizimit politik nuk zbutet dhe nëse mundësia e manipulimit politik nuk mbahet nën kontroll. Partitë kryesore politike mbajnë përgjegjësi më të lartë për sistemin zgjedhor që ato e kanë hartuar për të pasur në një masë të madhe nën kontrollin e tyre. Gara politike ndërmjet dy partive të mëdha pritet të jetë e ngushtë; kjo krijon shqetësim te publiku se zelli partiak “për të fituar me çdo kusht” mund të çojë në manipulime politike në fazën para-zgjedhore, në fazën e votimit, të numërimit/nxjerrjes së rezultatit dhe të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të këtij procesi.

Partitë politike kryesore kanë detyrën parësore që të sigurojnë që procesi zgjedhor të jetë i lirë nga ndërhyrjet e panevojshme dhe manipulimet partiake, ndërsa elektorati duhet të marrë pjesë aktive në procesin zgjedhor – si votues, mbështetës dhe vëzhgues – për të nxitur transparencën dhe llogaridhënien, të cilat mund të sjellin rritjen e besimit publik gjatë zhvillimit të zgjedhjeve.

Delegacioni vëren se ekzistojnë masa për krijimin e besimit, të cilat mund të forcojnë mundësitë për zgjedhje demokratike: grupet e qytetarëve po monitorojnë procesin para-zgjedhor si pjesë e përpjekjeve për vëzhgim të gjithanshëm, sipas standardeve; partitë politike po diskutojnë me votuesit mbi çështje thelbësore; dhe grupet kryesore të elektoratit, si gratë, po organizojnë iniciativa për të lobuar çështje reformash.

 

KONTEKSTI

 

Asnjë proces zgjedhor nuk mund të shihet dhe të vlerësohet i shkëputur, jashtë kontekstit ku mbahet. Konteksti në të cilin po shpaloset ky cikël zgjedhor mund të përshkruhet si premtues dhe shqetësues në të njëjtën kohë. Shqipëria është një shoqëri e hapur, e mbështetur në të drejtat themelore të njeriut mbi lirinë e fjalës, grumbullimit dhe pjesëmarrjes në shoqata. Shqipëria është anëtare e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) dhe vend aspirant për anëtarësim në Bashkimin Europian (BE). Kuadri i saj kushtetues dhe juridik është në përputhje me standardet ndërkombëtare demokratike. Shqipëria ka një sistem të zhvilluar shumëpartiak dhe të shoqërisë civile. Vendi i ka organizuar zgjedhjet mbështetur në ligjet kushtetuese dhe në bazë të kuadrit administrativ dhe ligjor të sanksionuar ndërkombëtarisht dhe në mënyrë konsensuale. Shumë prej këtyre arritjeve janë të jashtëzakonshme kur mendon llojin jashtë mase izolues të komunizmit prej të cilit Shqipëria u shkëput në vitin 1991.

Pavarësisht kësaj, Shqipëria nuk ka mbajtur akoma zgjedhje që të konsiderohen plotësisht të besueshme nga këndvështrimi i standardeve demokratike. Vëzhguesit ndërkombëtarë dhe vendas kanë cituar performancën zgjedhore nën standarde, dëshmuar me konflikte partiake, ndikim të pavend politik mbi organet e pavarura zgjedhore dhe përdorim të burimeve shtetërore, mangësi administrative në listat e votuesve dhe në nxjerrjen e rezultatit të votimit, pasaktësi ligjore dhe interpretime të diskutueshme ligjore të procedurave të dhënies së gjykimeve, nën-përfaqësim të dukshëm të grave si në procesin zgjedhor dhe në organet e zgjedhura pasardhëse dhe skema të moslejimit të votimit për votuesit, të cilat kanë sjellë performancë zgjedhore jo në përputhje me standardet. Ka pasur shqetësim të gjerë publik mbi zhvillimin zgjedhjeve, siç është pasqyruar në sondazhin e opinionit publik të NDI-së, mes studimeve të tjera të ngjashme. Mangësitë e zgjedhjeve në Shqipëri janë pjesë e një panorame më të gjerë të sfidave demokratike me të cilat përballet vendi në sigurimin e institucioneve dhe proceseve qeverisëse dhe politike pjesëmarrëse, transparente dhe të përgjegjshme.

Për të ecur përpara në procesin e saj të anëtarësimit në BE, Shqipërisë i duhet arritja e standardeve ndërkombëtare për zgjedhje demokratike.

Duke pranuar sa u përmend më sipër, udhëheqësit politikë kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të përmirësuar dhe/ose korrigjuar mangësitë administrative dhe pasaktësitë ligjore që janë vërejtur në zgjedhjet e kaluara. Në vitin 2012, parlamenti miratoi me konsensus një paketë me rishikime të kodit zgjedhor që trajtonte shumë nga rekomandimet, edhe pse jo të gjitha, të dhëna nga vëzhguesit zgjedhorë vendorë dhe ndërkombëtarë.

 

VËZHGIME

 

Vlerësimi zgjedhor domosdoshmërisht shqyrton një gamë të gjerë çështjesh ligjore, politike, sociale dhe të të drejtave të njeriut. Vëzhgimet e mëposhtme pasqyrojnë shqetësimet më të spikatura që kanë dalë gjatë këtij vlerësimi.

 

Klima politike

 

Klima politike që ka mbizotëruar ciklin e zgjedhjeve të mëparshme në Shqipëri është karakterizuar nga nivel i lartë i armiqësisë partiake, nivel i ulët i diskutimeve publike për çështje thelbësore, dhunë episodike në periudhën para e pas-zgjedhore dhe konflikte partiake për rezultatet zyrtare që u përhapën si metastaza në konfliktin e gjatë politik ndërmjet qeverisë dhe partive opozitare.

Në përgjithësi, delegacioni vëren se klima politike që mbizotëron këtë cikël zgjedhor aktualisht karakterizohet nga disa nga mangësitë e mësipërme. Megjithatë, dalja në skenë e forcave të reja politike, ndjesia e dallueshme e publikut për t’u përfshirë më shumë në dialogun me partitë politike, dhe si rezultat treguesit premtues se partitë politike po përfshijnë diskutimet e politikave në fushatat e tyre, kanë nxitur një klimë politike më dinamike se sa në ciklet e kaluara.

 

Polarizimi politik.Zgjedhjet demokratike karakterizohen nga gara paqësore politike. Është me

vend që partitë politike të nxjerrin në pah dallimet që kanë me kundërshtarët e tyre dhe kjo shpesh mund të përfshijë, dhe në fakt shpesh përfshin, komente që mund të jenë kritike dhe negative. Megjithatë, duhet të vendoset një vijë ndarëse ndërmjet kritikës së arsyeshme politike dhe partiake në njërën anë dhe nga ana tjetër, kritikës që është në mënyrë të panevojshme provokuese, armiqësore dhe/ose ofenduese ndaj kundërshtarëve dhe nganjëherë në nivele të papranueshme të urrejtjes ndaj grave.

Politikanët në Shqipëri nganjëherë e kapërcejnë këtë vijë ndarëse, me ashpërsinë e sulmeve personale dhe partiake, e cila nuk përputhet me pritshmërinë mbi fjalimet politike në shoqëritë demokratike. Në një kuadër afatgjatë, sjellje të tilla denigrojnë dialogun publik, dëmtojnë institucionet politike ku zyrtarët e zgjedhur punojnë së bashku dhe të cilat synojnë të respektojnë, godasin objektivitetin që shumë nëpunës civilë duan të ruajnë, largojnë qytetarët nga diskutimet politike dhe mund të krijojnë një klimë që lejon konfliktet zgjedhore.

Shumë votues mund të joshen, mbështetur në nevojat ekonomike, të përzgjedhin një alternativë politike më shpresën e marrjes së përfitimeve të prekshme, siç është punësimi. Kjo nuk është e pazakontë në shoqëritë në tranzicion që përballen me situata të vështira ekonomike. Megjithatë, qytetarët shqiptarë shprehin një dëshirë të madhe për t’i angazhuar politikanët në gjetjen e mënyrave të zgjidhjes të po atyre çështjeve, ku kryesoret janë korrupsioni dhe papunësia që shpesh duket se kufizojnë alternativat e tyre politike.

Duke pasur parasysh këtë, delegacioni nënvizon rëndësinë e debatit ndër-partiak në këtë fushatë zgjedhore dhe përshëndet përpjekjet e deritanishme të partive për dialog politikash si element kritik në motivimin e pjesëmarrjes qytetare në procesin zgjedhor, duke u dhënë mundësi votuesve të bëjnë zgjedhjen e tyre mbi bazë të alternativave të ofruara dhe duke forcuar qeverisjen pas-zgjedhore përmes identifikimit më të qartë nga ana e partive politike të drejtimeve të politikave që do të zbatojnë kur të jenë në pushtet.

Rekomandime:

Partitë politike mund të nxitin besimin publik në procesin zgjedhor duke u dhënë mundësi votuesve që të bëjnë zgjedhje të informuara përmes:

·        Partitë politike duhet të komunikojnë me njëra-tjetrën në mënyrë konstruktive, përmes debateve neutrale, të moderuara dhe forumeve të tjera të ngjashme, të nxjerrin në pah dallimet mes tyre për sa i përket politikave thelbësore dhe çështjeve politike, dhe të heqin dorë nga fjalimet dhe sjelljet e tjera që denigrojnë kundërshtarët dhe ulin besimin e publikut te procesi politik.

·        Partitë politike duhet të zgjerojnë dhe të thellojnë komunikimin e politikave të tyre te qytetarët në mënyrë që t’u japin një vizion se si mund të minimizohen pengesat sociale dhe ekonomike dhe të rriten mundësitë.

·        Partitë politike nuk duhet të ofrojnë përfitime materiale të drejtpërdrejta për qytetarët në këmbim të votës.

·         

Konkurrenca e Drejtë. Delegacioni ka marrë raportime për abuzime partiake të burimeve publike për qëllime fushate, për shembull në lehtësimin e aktiviteteve elektorale të partive apo të fushatave gjatë daljeve publike në cilësinë e postit publik. Kjo është shkelje e kufizimeve që Kodi Zgjedhor parashikon ndaj veprimeve të tilla.

Partitë e vogla në Shqipëri kanë pretendime për disavantazhe zgjedhore që sipas tyre rrjedhin nga një kod zgjedhor i hartuar nga partitë e mëdha për të ripërtërirë pushtetin tyre. Disa parti, sidomos ato që garojnë për herë të parë, nuk lejohen të emërojnë përfaqësuesit e tyre në komisionet zgjedhore.

Rekomandime:

·       Autoritetet përkatëse duhet të hetojnë dhe të çojnë për ndjekje penale raste të konfirmuara të shpërdorimeve të burimeve publike për fushatë.

·        Partitë politike duhet të deklarojnë publikisht angazhimin e tyre për të hequr dorë nga shpërdorimi i burimeve publike gjatë periudhës së fushatës, të hetojnë të gjitha incidentet e raportuara dhe të ndërmarrin hapa të menjëhershëm brenda fushatës së tyre për të ndaluar shkelje të tjera vijuese.

·        Vëzhguesit e pavarur vendas mund të ndihmojë kuptimin e këtij fenomeni nga publiku, duke monitoruar nga afër shpërdorimin e burimeve publike në periudhën para zgjedhjeve.

Kuadri ligjor dhe administrativ i zgjedhjeve

Rekomandimet e vëzhgimit ndërkombëtar të zgjedhjeve nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 dhe zgjedhjet vendore të vitit 2011 udhëhoqën kryesisht procesin e reformës zgjedhore të vendit. Kjo çoi në miratimin shumëpartiak të ndryshimeve të kodit zgjedhor në qershor të vitit 2012, duke përfshirë anëtarësimin me rotacion në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), dispozitat zbatuese për afatet për regjistrimin e kandidatëve, dhe përcaktim më të qartë të hartimit dhe përditësimit të listave të votuesve. Kodi i rishikuar, së bashku me kushtetutën, ligjin mbi partitë politike dhe kodin penal, i cili përcakton gjoba dhe penalitete për shkeljet zgjedhore, konsiderohen të ofrojnë një kuadër të mirë ligjor për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe organet vartëse të tij – Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ), Komisionet e Qendrave të Votimit (KQV-të) dhe Komisionet e Numërimit të Votave (KNV-të) – përbëjnë autoritetin ekzekutiv dhe agjencitë zbatuese të zgjedhjeve, me mbështetje të drejtpërdrejtë nga Ministria e Brendshme dhe agjenci të tjera qeveritare. Kolegji Zgjedhor është organi gjyqësor i ngarkuar të vendosë për ankimimet që rrjedhin nga mosmarrëveshjet zgjedhore të gjykuara nga KQZ-ja. Vendimet e Kolegjit Zgjedhor janë të formës së prerë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Krijuar një muaj pas afatit ligjor për emërimin e komisionerëve, KQZ-ja ka arritur me aftësi dhe konsensus të miratojë një sërë aktesh për vënien në lëvizje të procesit zgjedhor, edhe pse disa masa janë vonuar. Auditimi i listave të zgjedhësvenga dy auditues të emëruar respektivisht nga Kryetari i KQZ-së dhe Zëvendës Kryetari, është ndërmarrë në mënyrë jopartiake. Mbledhjet e KQZ-së janë plotësisht publike dhe transmetohen në televizione. Vëzhgues partiakë dhe jopartiake marrin pjesë rregullisht në punime.

Detyrat kryesore për momentin përfshijnë krijimin, trajnimin dhe pajisjen e organeve vartëse zgjedhore sipas afateve të Kodit Zgjedhor, ndër to më i menjëhershmi është krijimi i KZAZ-ve përpara datës 25 mars, të cilat më pas do të formojnë komisionet e qendrave të votimit dhe të numërimit të votave; zbatimin e një plan veprimi për të pilotuar përdorimin e teknologjisë elektronike në verifikimin e votuesve në qarkun e Tiranës dhe numërimin e votave në qarkun eFierit; mbikëqyrjen e procesit të përgatitjes së listave të zgjedhësve dhe vetë listave, dhe ofrimin e iniciativave zyrtare për edukimin e votuesve, veçanërisht por jo duke u kufizuar në përdorimine teknologjisë së re elektronike.

KQZ-ja është e ndjeshme ndaj presioneve të pavend të partive politike, të cilat mund të rrezikojnë integritetin zgjedhor. Ajo sfidohet nga ndarjet politike që ndikojnë në pavarësinë dheneutralitetin e saj institucional. Kjo lidhet me mosbesimin e gjatë partiak që karakterizon institucionet shumëpartiake. KQZ-ja ka dështuar në arritjen e shumicës së kualifikuar në vendimet me pasoja politike, si numri i mandateve parlamentare në secilin prej 12 qarqeve të Shqipërisë dhe përcaktimin e numrit të zonave të administrimit zgjedhor në 12 qarqet. Komisionerët kanë ruajtur pozicionet e tyre partiake dhe nuk kanë gjetur rrugë për kompromis mbi çështje për të cilat qëndrime konsensuale për zbatimin e kritereve administrative dhe kritereve të tjera neutrale duhet të jenë të arritshme. Shqyrtimi i rregullave të brendshme të procedurës të KQZ-së është ngadalësuar nga çfarë duket të jetë llogaritje partiake mbi procedurën administrative, duke cënuar kështu integritetin institucional dhe veprimin në kohë.

Ndërtimi dhe ruajtja e një kulture institucionale profesionalizmi dhe neutraliteti nuk mund të arrihet për aq kohë sa komisionerët ruajnë pozicionet e palëkundura që duken se ndihen tëdetyruar të mbështesin. Në këtë drejtim, sfidat politike të KQZ-së rëndohen dhe në të vërtetë animohen nga faktorë të jashtëm. Vëzhguesit e partive politike të caktuar në Komision duken të angazhuar së tepërmi në ndikimin e drejtimit të diskutimeve dhe vendim-marrjes së Komisionit. Delegacionit iu bë e ditur se disa kërkesa për informacion të anëtarëve të KQZ-së nuk kanë marrë përgjigje, dhe pretendohet se kjo ndodh për shkak të përkatësisë politike të kërkuesit.

Rekomandime:

·        Udhëheqësit e partive politike duhet të mbështesin pavarësinë institucionale të KQZ-së. Ata duhet të ndërmarrin hapa demostrativë për parandalimin e situatave në të cilat KQZ- ja zhvishet nga detyrimi i saj për të vendosur me konsensus për çështjet zgjedhore për të cilat ajo është përgjegjëse.

·        Si autoriteti i vetëm shumëpartiak zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të dyfishojë përpjekjet për të arritur konsensus për çështje kritike duke përdorur kritere objektive dhe duke iu shmangur qëndrimeve të ngurta partiake.

·        Në monitorimin e procedurave dhe mbrojtjen e interesave të partisë, vëzhguesit e partive politike në KQZ duhet të përmbahen nga orientimi i diskutimeve të drejtuesve të KQZ-së, të cilët mund të rrezikojnë pavarësinë e tij institucionale.

·        Në javët e ardhshme, direktivat e KQZ-së duhet të japin udhëzime të qarta për organet vartëse në mënyrë që të sigurojnë zbatimin e njëjtë të kodit në të gjitha aspektet e procesit, duke përfshirë, por jo duke u kufizuar në procedurat e votimit, numërimin e votave dhe vlefshmërinë e votimit, pranimin dhe rregullimin e vëzhguesve të partive politike dhe monitoruesve qytetarë të zgjedhjeve. Mbledhja dhe grumbullimi i informacionit nga autoritetet zgjedhore vendore duhet të përmirësohet në mënyrë që KZAZ-të edhe, kur është nevoja, KQZ-ja të mund të veprojnë pa vonesë në zgjidhjen e problemeve si dhe në hetimin dhe rregullimin e parregullsive. Kjo merr rëndësi duke pasur parasysh rritjen me rreth 30 për qind të numrit të Zonave të Administrimit Zgjedhor nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, pasi ajo rrit ndjeshëm numrin e individëve të emëruar në KZAZ dhe KNV, të cilët do të kërkojnë trajnim dhe mbikëqyrje.

 

Listat e zgjedhësve. Zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 ishin të parat në të cilat listat e zgjedhësve u nxorën nga baza e kompjuterizuar e të dhënave qendrore të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile (RKGJC), një hap i rëndësishëm në përmirësimin e cilësisë së përgjithshme të listave të zgjedhësve që lejon kontrollin e hollësishëm mbarëkombëtar për gabimet, fshirjet dhe dublikimet. Kuadri ligjor është forcuar në këtë drejtim gjithashtu, me ofrimin e dy auditorëve të KQZ-së të caktuar për të kontrolluar listat e votuesve. Kompetencat mbikëqyrëse të KQZ-së janë forcuar përmes tyre. Problemet fillestare të identifikuara nga ana e dy audituesve të KQZ-së në lidhje me saktësinë dhe plotësinë e listave të zgjedhësve për vitin 2013, që rrjedhin nga mangësitë e RKGJC elektronik, janë duke u zgjidhur në mënyrë progresive.

Kodi zgjedhor përcakton se përveç mundësisë së votuesve për të gjetur qendrën e tyre të votimit në internet, ata duhet të njoftohen me shkrim. Financimi për këtë njoftim me shkrim vjen nga Ministria e Brendshme, megjithëse duket të ketë konfuzion për këtë çështje.

Rekomandim:

·        Nevojiten përpjekje të vazhdueshme për të pastruar listat e votuesve nga regjistrime të dyfishta, për të siguruar që të gjitha regjistrimet e të dhënave bëhen me informacion të plotë, për t’i bërë listat e zgjedhësve lehtësisht të arritshme për verifikim dhe korrigjim nga ana e qytetarëve, si dhe për informimin e votuesve me shkrim mbi qendrën e tyre të votimit, vendndodhjen dhe adresën, si dhe numrin e tyre të regjistrimit. Ky detyrim i fundit ligjor kërkon financim ministror për të gjitha njësitë e qeverisjes vendore të ngarkuara me zbatimin e procesit të njoftimit.

Përdorimi i Teknologjisë së Re Zgjedhore. Si pjesë e paketës së reformës zgjedhore 2012, partitë ranë dakord për pilotimin e teknologjive të regjistrimit dhe identifikimit elektronik të votuesve në Tiranë dhe të numërimit të votave në Fier – dy zonave më të mëdha zgjedhore të vendit, që përbëjnë rreth 20 për qind të popullsisë votuese.

KQZ ka hartuar plane veprimi për të dy qarqet, të cilat duhet ti miratojë formalisht. Janë identifikuar kompanitë e ofrimit të këtij shërbimi dhe testimi i softuerëve, i cili është i hapur për vëzhguesit, është shtyrë dhe është planifikuar të fillojë në prill. Afati i shkurtër i testimit dhe zbatimit është ndër shqetësimet më të mëdha në realizimin e këtij projekti pilot.

Çështje teknike që kanë të bëjnë me numërimin elektronik të votave përfshijnë një model të veçantë të fletës së votimit që duhet të përmbushë specifikimet teknike dhe të mbetet e lehtë në përdorim nga votuesi, duke parandaluar palosjen e fletës në mënyra që nuk do të lejonin numërimin elektronik. Sipas kodit zgjedhor, të gjitha qendrat e numërimit në Fier do të ndërmarrin si numërimin manual ashtu edhe atë elektronik të dy kutive të para të fletëve të votimit, si mjet për verifikimin e saktësisë. Nëse diferenca mes dy rezultateve është e barabartë ose me e madhe se 0,5 për qind, atëherë numërimi elektronik mund të pezullohet.

Rekomandime:

·        Edukimi i plotë dhe në kohë i votuesve mbi modelin dhe përdorimin e fletës së votimit në qarkun e Fierit është thelbësor për një performim të suksesshëm të teknologjisë së numërimit elektronik të votave dhe pranimit publik të kësaj praktike të re.

·        Vëzhguesit e partive politike dhe vëzhguesit qytetarë jopartiakë duhet të kenë qasje në të gjitha diskutimet e projektimit të fletës së votimit, të gjitha ambientet e testimit dhe raportet e testimit, si dhe qasje të vazhdueshme gjatë ditës së zgjedhjeve për të vlerësuar nëse autoritetet zgjedhore ndjekin procedurën e duhur në zbatimin e këtyre projekteve dhe nëse teknologjitë funksionojnë siç duhet.

·        Vendimet që ndikojnë në pezullimin e teknologjive elektronike arrihen me konsensus, përtë rritur besimin e publikut.

·        Duhet të ndërmerren auditime të menjëhershme post-zgjedhore dhe rishikime të menaxhimit të projektit të përdorimit të teknologjive elektronike. Vëzhguesit e partive politike dhe vëzhguesit qytetarë jopartiakë duhet të marrin pjesë, si për të kontribuar në mësimet e nxjerra ashtu dhe për të ndihmuar publikun të kuptojë performancën e teknologjive, duke përfshirë dhënien e përgjigjeve mbi efektivitetin e masave mbrojtëse të sigurisë dhe mbrojtjes së fshehtësisë së votës.

Shoqëria Civile

Roli i Grave në Procesin Zgjedhor.Pjesëmarrja e grave në çështjet politike në Shqipëri ka qenë tradicionalisht e kufizuar, por gratë janë duke fituar terren si në strukturat formale edhe ato joformale, apo në aktivitetin politik të lidhur direkt me bazën. Forumet e grave brenda partive të mëdha politike po bëhen gjithnjë e më dinamike dhe në kërkim të bashkëpunimit përtej vijave partiake. Gjithnjë e më shumë, grupet qytetare janë duke u fokusuar në çështjet socio-ekonomike të grave, të tilla si ulja e dhunës në familje, nxitja e mundësive të barabarta në tregun e punës, si dhe heqja e pengesave për pjesëmarrjen e grave në politikë. Këto hapa po ndërmerren ndërkohë që segmente të shoqërisë duke qenë se segmente të shoqërisë më të gjerë po zhvillohen në favor të grave në role udhëheqjeje dhe vendim-marrjeje.

Ka pasur një progres në rritje në adresimin e pengesave mjaft të vështira me të cilat përballen gratë në arenën politike, në veçanti në lidhje me kandidimin dhe fitoren në zgjedhje. Në vitin 2008, Shqipëria futi në legjislacionin zgjedhor një kuotë gjinore të butë dhe forcoi dispozita të caktuara që, nëse respektohen, mund të çojnë në zgjedhjen e më shumë grave në poste politike edhe pse, disa aspekte si gjobat e vendosura në rastet e mosrespektimit të kuotës nuk janë parë si sanksione efektive. Nëse kanë vullnetin, partitë mund të shkojnë përtej kuotës minimale të përcaktuar me ligj.

Gratë janë përherë e më shumë aktive në bazë, në fushatat për partitë e tyre respektive, por përpjekjet e tyre dhe meritat nuk po njihen siç duhet. Shumë gra margjinalizohen nga procedura të centralizuara të përzgjedhjes së kandidatëve. Për më tepër, ato shpesh përjashtohen nga postet udhëheqëse të degëve të cilat përdoren rregullisht për të fituar pozicionet e zgjedhura vendore, gjë e cila do t’i poziciononte gratë për kandidim në nivel kombëtare. Gratë që kandidojnë për poste ekzekutive shpesh nuk kanë mundësi shfrytëzimi të burimeve të mjaftueshme materiale dhe forma të tjera të mbështetjes brenda strukturave partiake.

Përveç problemeve me numrin e grave kandidate, platformat e partive nuk janë të zëshme në adresimin e çështjeve të mëdha që prekin gratë si kushtet socio-ekonomike dhe papunësia.

Rekomandime:

·        Partitë politike duhet të paktën të veprojnë në përputhje me dispozitat ligjore në lidhje me vendosjen e grave në listat e kandidatëve, dhe vullnetarisht t’i tejkalojnë ato dispozita për të treguar përkushtimin ndaj barazisë gjinore në vendimmarrje.

·        Udhëheqësit e partive duhet të përdorin autoritetin e tyre përzgjedhës për ti vendosur gratë në pozita konkurruese në listat e kandidatëve, duke u konsultuar me strukturat përkatëse partiake për identifikimin e grave kandidate që mund të zgjidhen. Ata duhet të marrin masa për të siguruar që kandidatet gra të përfitojnë nga mbështetja e të gjithë strukturës së partisë.

·        Partitë politike duhet të përfshijnë në platformat e tyre politika në lidhje me, ndër të tjera, fuqizimin ekonomik të grave, barazinë sociale, qasjen në siguri dhe drejtësi dhe përfaqësimin politik.

·        Gratë e aktivizuara politikisht duhet të vazhdojnë të ndërtojnë lidhje ndër-partiake, së bashku me rrjetet me shoqërinë civile, mediat, si dhe sektorin privat, dhe të përdorin këto hapësira për të ndërtuar agjendat politike që i shërbejnë interesave të shumta dhe të larmishme të grave në shoqërinë shqiptare, dhe për të ndërtuar një elektorat të fortë femëror.

·        Grupet vëzhguese të qytetarëve duhet të monitorojnë pajtueshmërinë me dispozitat gjinore në Kodin Zgjedhor dhe zbatimin e sanksioneve të KQZ në rastet e shkeljes së tyre.

·        Vëmendje pas-zgjedhore duhet t'i kushtohet dispozitave të kodit zgjedhor që shkojnë më tej në sigurimin e më shumë grave në poste të zgjedhura, të tilla si alternimi gjinor në çdo dy apo tre pozicione në listat e kandidatëve, dhe skualifikimi i listave të kandidatëve për papajtueshmëri me këto dispozita.

 

Vëzhgimi i Procesit Zgjedhor nga Qytetarët. Vëzhguesit zgjedhorë, qytetarë, jopartiakë, të rekrutuar, trajnuar, dhe shpërndarë nga organizata të pavarura qytetare në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe ligjin zgjedhor të shtetit shqiptar, do të kryejnë një rol kritik në verifikimin dhe raportimin e proceseve para zgjedhjeve, ditën e zgjedhjeve, dhe pas zgjedhjeve, dhe në thirrjen për ndryshime në procedurat zgjedhore sipas rastit. Duke vepruar kështu ata mund t’u ofrojnë qytetarëve një kuptim e vlerësim neutral dhe të informuar të procesit zgjedhor nga pikëpamja e standardeve demokratike.

Disa organizata qytetare kanë ndërmarrë iniciativa për të monitoruar tërë procesin dhe kanë filluar punën e tyre në periudhën parazgjedhore, në monitorimin e punës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veçanti dhe në botimin e gjetjeve të tyre. Puna e tyre, e kryer nëpërmjet tërë procesit zgjedhor, është jetike në krijimin e një vlerësimi tërësor të kryerjes së zgjedhjeve. Në prag të zgjedhjeve, ata do t’i bashkohen grupeve vëzhguese ndërkombëtare.

Rekomandime:

·        Autoritetet zgjedhore duhet t’u mundësojnë qasje të plotë vëzhguesve të akredituar qytetarë në të gjitha procedurat zgjedhore. Kjo duhet të përfshijë afërsinë e drejtpërdrejtë fizike në tabelat e numërimit në mënyrë që të mbikëqyrin tërësinë e procesit të numërimit, nga kutitë e votimit / verifikimin e dokumentacionit të fletëve të votimit deri në vendosjen e fletëve të votimit të numëruara dhe të tabuluara.

·        Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të sigurojë që të gjitha organet vartëse të jenë të informuara siç duhet si edhe të akomodojnë praninë e vëzhguesve jopartiak.

·        Organizatat civile që drejtojnë iniciativat e vëzhguesve qytetarë duhet të sigurojnë që të gjithë vëzhguesit e akredituar të trajnohen siç duhet, të kenë njohuri mbi të drejtat dhe detyrimet e tyre dhe me anë të një kodi sjelljeje, të jenë të angazhuar të respektojnë standardet e vëzhgimit jopartiak, siç përcaktohet në Deklaratën e Parimeve Globale për Vëzhgimin Jopartiak të Procesit Zgjedhor dhe Monitorimit nga Organizatat Qytetare.

·        Partitë politike, grupet qytetare dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të kenë njohuri mbi gjetjet dhe rekomandimet e grupeve vëzhguese të qytetarëve për shkak të aftësisë së tyre për të aplikuar standardet ndërkombëtare demokratike të sjelljes elektorale me karakteristikat unike të zgjedhjeve shqiptare, veçanërisht në kontekstin e demokratizimit afat-gjatë dhe ndryshimit socio-ekonomik.

 

Roli i medias. Sipas standardeve ndërkombëtare, mediat duhet të jenë në gjendje ta mbledhin dhe ta japin lajmin të lirë nga ndërhyrjet apo frikësimet; partitë dhe kandidatët duhet të kenë qasje të barabartë në media; mbulimi politik i partive dhe i kandidatëve duhet të jetë i drejtë dhe i balancuar, dhe votuesit duhet të kenë informacion të mjaftueshëm për të bërë zgjedhje të përgjegjshme. Mediat shtetërore kanë një përgjegjësi të veçantë në rritjen e ndërgjegjësimit të publikut në procesin zgjedhor dhe të drejtat e qytetarëve.

Legjislacioni zgjedhor shqiptar i autorizon mediat të sigurojnë një raportim të paanshëm, të plotë dhe të vërtetë, duke respektuar parimet e pluralizmit të informacionit. Ai kërkon që kompanitë mediatike të ofrojnë mbulim të balancuar të komenteve të bëra nga të gjitha partitë dhe kandidatët dhe që transmetuesit privatë të kenë çmime të njëjta për të gjitha partitë dhe kandidatët pjesëmarrëse në zgjedhje. Mediat private janë të detyruara të paraqesin strukturat e çmimeve në KQZ për botim në faqen e internetit të kësaj të fundit.

Shqipëria ka media shumë prodhuese, të ndryshme, pluraliste, por jo domosdoshmërish të pavarur. Qytetarët kanë në dispozicion një koleksion të gjerë të burimeve të mediave për të marrëinformacion mbi çështjet publike në përgjithësi dhe zgjedhjet në veçanti. Megjithatë, kompanitë kryesore mediatike shfaqin një nivel të kontrollit partiak dhe / ose të biznesit gjatë raportimit dhe politikave redaksionale që është në kundërshtim me parimet e cituara më sipër. Ata perceptohen zakonisht si të njëanshëm kundrejt pozitës dhe opozitës, veçanërisht në lidhje me përmbajtjen e mbulimit. Televizioni shtetëror ka detyrime të veçanta për ruajtjen e standardeve për një shtyp të paanshëm, veçanërisht për shkak se një pakicë e konsiderueshme e qytetarëve, që kryesisht banojnë në zonat rurale, kanë mundësi të shohin vetëm televizionin shtetëror.

Rekomandime:

·        Autoritetet qeverisëse duhet të respektojnë dhe të mbrojnë lirinë e medias dhe të hetojnë raportimet për pengesa brenda një kohe të arsyeshme.

·        Pronarët e mediave, redaktorët, botuesit dhe gazetarët duhet të ndërmarrin hapa konkretë brenda organizatave të tyre për të mbështetur parimet e lirisë dhe integritetit gazetaresk, së bashku me parimet e cituara më sipër, si edhe për ta demonstruar këtë angazhim publikisht për qytetarët. Kjo duhet të përfshijë zbulimin e konfliktit të interesit.

Të drejtat zgjedhore

Votimi familjar. Shumë gra i shohin të drejtat e tyre zgjedhore të shkelura përmes "votimit familjar", në të cilin ato ia dorëzojnë votën e tyre anëtarëve të familjes ose janë nën presion të padrejtë nga familja për të votuar për një alternativë të caktuar politike. Dispozitat e reja ligjore shënjestrojnë nëpunësit zgjedhorë që nuk e përkrahin këtë praktikë.

Votuesit me aftësi të kufizuara. Kohët e fundit Parlamenti ka ratifikuar Konventën e Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara të cilat, midis dispozitave të tjera, përcaktojnë angazhimet e qeverisë për të lehtësuar pjesëmarrjen politike të qytetarëve me aftësi të kufizuara. Një grup i njohur me aftësi të kufizuara i ka bërë thirrje autoriteteve zgjedhore që midis masave të tjera, të sigurojnë fonde dhe burime të tjera për përmirësimin e qasjes fizike në qendrat e votimit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duket se ka rezervuar fonde për të lehtësuar pjesëmarrjen e votuesve me aftësi të kufizuara, por ende nuk është bërë i ditur ndonjë buxhet apo plan veprimi. Votuesve që nuk mund të dalin nga shtëpia nuk u lejohet të votojnë jashtë qendrave të tyre të votimit.

Presioni ndaj votuesve. Delegacioni mësoi nga raportimet se ushtrohen presione partiake mbi punonjësit e sektorit publik për të votuar për një alternativë të caktuar politike. Kjo mund të përfshijë kërcënimet e humbjes së vendit të punës ose ulje në detyrë, ose gjoba të tjera materiale, si dhe cenimin ose shkeljen e plotë të të drejtës së tyre të shprehjes së lirë politike.

Rekomandime:

·        Autoritetet përkatëse duhet të sigurojnë që qytetarët të kenë mundësinë të raportojnë veprimet shtrënguese dhe presioneve që lidhen me të drejtat e tyre të votimit, pa pasur frikë nga ndëshkimi dhe me një pritshmëri reale për hetim, dhe aty ku është e justifikuar, korrigjim.

·        Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, organet e vartësisë, dhe autoritetet lokale duhet të sigurojnë bërjen e përpjekjeve për krijimin e qendrave të votimit të arritshme për votuesit me aftësi të kufizuara fizike, duke i vendosur qendrat e votimit në katet e para, në afërsi të vendeve të parkimit, etj. Në kuadër afatgjatë, do të kërkohej garantimi i votimit nga shtëpia.

·        Udhëheqësit e partive politike dhe zyrtarët qeveritarë duhet të zotohen publikisht që nuk do të përdorin praktika që detyrojnë mbështetjen me votë apo pengimin e pjesëmarrjes në votim, të hetojnë incidentet e dyshuara të shtrëngimit të votuesve, të ndërmarrin hapa ndëshkuese dhe korrigjuese, dhe ti tregojnë publikut se veprime të tilla as nuk tolerohen dhe as nuk do të përsëriten.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/