DURRËS, 12 qershor 2015 – Sikurse ka njoftuar “Dyrrah”-u (shih: http://www.durreslajm.com/aktualitet/national-geographic-shqip%C3%ABria-nuk-ka-hequr-vizat-p%C3%ABr-rus%C3%ABt), është bërë zhurmë në mediet e Moskës lidhur me mungesën e një vendimi të Tiranës për heqjen e vizave për turistët rusë në Shqipëri për periudhën e verës 2015, sikurse është vepruar për 6 vjet. Por është po shtypi rus, i cili i referohet sajtit të ambasadës në Moskë, që bën ditur në orën 13:00 të 12 qershorit 2015 se Këshilli i Ministrave i Shqipërisë më 10 qershor 2015 ka vendosur regjimin pa vizë për qytetarët rusë dhe bjellorusë për periudhën 1 qershor-1 nëntor 2015.

“Dyrrah”-u konsultoi, më 12 qershor 2015, sajtin e përfaqësisë diplomatike shqiptare në Moskë, që botohet në shqip, anglisht dhe rusisht. Në versionet shqip dhe anglisht nuk kishte ndonjë njoftim për heqje vizash për qytetarët rusë që vijnë për udhëtime turistike dhe private. Lajmi më “i freskët” në shqip ishte i ai ngjarjes së 28 majit 2015: “Ambasadori i RSH në Moskë, z. Arben Gazioni i dorëzoi Presidentit të Federatës Ruse, z. Vladimir Putin Letrat Kredenciale” (shih më poshtë tekstin e lajmit në infon nr. 2 ).

Por ja ç’thuhej, më 12 qershor 2015, në versionin rusisht të ambasadës shqiptare në njoftimin me titullin “Mbi heqjen e vizave për qytetarët e Rusisë dhe Bjellorusisë (Ob otmene viz dlya grazhdan Rossii i Belorussii)”. Njoftimin e ka përkthyer në shqip “Dyrrah”-u (!):

“Sipas Vendimit nr. 487, datë 10.06.2015 të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, duke filluar nga 1 qershori deri më 1 nëntor 2015, të gjithë qytetarëve të Federatës Ruse dhe Republikës së Bjellorusisë u lejohet hyrja pa vizë në territorin e Republikës së Shqipërisë për udhëtime turistike dhe private me një afat 90 ditë”.

“Dyrrah”-u ka konsultuar dhe faqen on-line të Këshillit të Ministrave për mbledhjen e datës 10 qershor 2015, ku mungon vendimi për heqjen e vizave (në infon nr. 1, më poshtë, “Dyrrah”-u liston 14 vendimet e bëra publike). Jo vetëm kaq. Janë konsultuar dhe Fletoret Zyrtare të datave 10, 11 dhe 12 qershor 2015, por sërish mungonte “Vendimi nr. 487, datë 10.06.2015 i Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë”.

Mbetet enigmë sesi hyn në fuqi një Vendim Qeverie, për më tepër, kur ka të bëjë me marrëdhëniet ndërkombëtare, pa u botuar ende në shqip, të paktën, në Fletoren Zyrtare, pa folur për faktin, dhe nëse ekziston ndonjë Vendim i tillë, që miratohet më 10 qershor me veprim që nga 1 qershori 2015! A mos kemi të bëjmë me ndonjë Vendim fantazmë, që mund të jetë sajuar në Moskë, në ambasadë. Si zor, të jetë kaq trim Arben Gazioni!

Info 1 / Vendimet e publikuara e të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave 10 qershor 2015, që mbajnë nënshkrimin, në mungesë dhe me porosi të Kryeministrit Edi Rama, të Zëvendëskryeministrit Niko Peleshi

1. Vendim për disa ndryshime në vendimet e Këshillit të Ministrave… për miratimin e kalimit të pronësisë së disa parcelave ndërtimore në favor të poseduesve të objekteve informale

2. Vendim për kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave te Komisionari për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Komisionari për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil dhe Avokatura e Shtetit, të mjediseve në godinën e ish-hotel “Drinit”

3. Vendim për miratimin, në parim, të Marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin financiar 2009, për projektin “Energji ujore dhe siguria e digave në kaskadën e Drinit”

4. Vendim për organizimin, funksionimin dhe shpërblimin e komisioneve eprore të caktimit të aftësisë për punë

5. Vendim për miratimin e rregullit teknik “Për kërkesat thelbësore, vlerësimin e konformitetit dhe markimin e të pajisjeve mjekësore të implantueshme aktive”

6. Vendim për miratimin e listës së detajuar të planeve apo programeve me pasoja negative në mjedis që do t’i nënshtrohen procesit të vlerësimit strategjik mjedisor

7. Vendim për disa ndryshime në Vendimin nr. 745, datë 5.9.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin e qendrës shumëfunksionale të arsimit dhe formimit profesional në Kamzë dhe funksionimin e saj gjatë periudhës kalimtare 2013 – 2018”

8. Vendim për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Nyja lidhëse Milot – Lezhë, Milot – Rrëshen dhe Milot – Thumanë”

9. Vendim për miratimin e Marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Sllovakisë, për bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar, trafikut të paligjshëm të lëndëve narkotike, substancave psikotrope e prekursorëve të drogës dhe krimeve të tjera

10. Vendim për miratimin, në parim, të Marrëveshjes për themelimin e fondit të Ballkanit Perëndimor dhe të statutit të tij

11. Vendim për kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për Prefektin e Qarkut të Tiranës dhe administratën e tij, të godinës qendrore të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar

12. Vendim për miratimin, në parim, të Marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Sllovenisë, për ngritjen e Qendrës së Ekselencës në Financë (CEF)

13. Vendim për miratimin e dëmshpërblimit financiar për ish-të dënuarit politikë të regjimit komunist

14. Vendim për miratimin e procedurave për transferimin e të drejtave dhe detyrimeve, personelit, aktiveve të trupëzuara dhe të patrupëzuara, të arkivave dhe çdo dokumentacioni tjetër zyrtar në njësitë e qeverisjes vendore, të prekura nga riorganizimi administrativo-territorial

Info 2 / Teksti i njoftimit më të freskët, të 12 qershorit 2015, në faqen on-line në shqip i ambasadës së Shqipërisë në Moskë

Më dt. 28 maj u zhvillua në Kremlin ceremonia e dorëzimit të Letrave Kredenciale nga Ambasadori i RSH në Moskë, z. Arben Gazioni, Presidentit të Federatës Ruse, z. Vladimir Putin. Presidenti Putin shoqërohej në këtë ceremoni nga Ministri i Punëve të Jashtme, z. Segej Lavrov, si dhe nga këshilltari diplomatik i tij, z. Jurij Ushakov.

Presidenti Putin vuri në dukje nivelin jo të kënaqshëm të shkëmbimeve ekonomiko-tregtare mes Federatës Ruse dhe Shqipërisë dhe shprehu interesimin e vendit të tij për zhvillimin e dialogut dypalësh në të mirë të marrëdhënieve bilaterale si dhe të zhvillimeve në Ballkan.

Në këtë ceremoni u krye dorëzimi i Letrave Kredenciale nga ambasadorët e 13 vendeve.

 

 

 

/red. jasht. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/