· Hetimet: kush dha më 1 qershor 2015 pasaportë me mbiemër të ndryshuar por me foto dhe emër të vërtetë
28 gusht 2015 – Ministria e Punëve të Brendshme dhe drejtoria e policisë së shtetit e qarkut Durrës kanë nisur hetimet se si ka mundësi që një njeri i dëbuar dhe i dënuar në Itali për drogë, të pajiset me pasaportë biometrike me foton origjinale dhe emrin e vetë, por me mbiemër të ndryshuar.
Sikurse ka njoftuar portali “durreslam.com”, më 27 gusht 2015, i dëbuari nga Italia, sepse u shiste kokainë fëmijëve që frekuentonin diskotekat e Marca-s në fundjavë, durrsaku Roland Kibja, brenda katër muajsh, ia arriti të kthehet në Itali.
Më 2 qershor 2015 Roland Kibja u pajis me pasaportë shqiptare me mbiemrin e rremë Ambrosa, lindur më 8 mars 1989 në Durrës. Dhe dy ditë më vonë, duke përdorur të njëjtin emër, ai ka marrë kartën e identitetit. U kthye në Itali dhe u vendos në një apartament në Pordenone, me të fejuarën rumune. Javën e fundit iu nënshtrua një kontrolli rrugor të policisë vendore të Pordenone-s. Për agjentët dokumentet ishin të dyshimta, gjë për të cilën u kërkua të zhvilloheshin hetime. Ai arrestua nga policia italiane më 26 gusht 2015 për posedim dhe prodhim dokumentesh të falsifikuara, si dhe shkelje të dispozitës së emigracionit.
Portali “durreslajm.com” po boton ekskluzivisht faksimilen e pasaportës së Roland Kibjes me mbiemrin Ambrosa, ku dallohet qartë data e lëshimit të pasaportës, 2 qershori 2015.
Po ashtu portali mësoi se hetimet në Tiranë dhe Durrës po zhvillohen në dy pista. Po shihet mundësia e ekzistencës së ndonjë baze ilegali prodhimi të pasaportave biometrike si dhe po kërkohen të dhëna nëse ka korruptim të zyrtarëve të policisë, gjendjes civile apo të punonjësve të firmës së prodhimit të pasaportave. Po ashtu po kërkohet llogari pse në pikën e kalimit kufitar nuk gjenden gjurmë gishtash të Rolandit: Kibja / Ambrosa, përderisa policia italiane kishte njoftuar për dëbimin e tij.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/