DURRËS, 18 qershor 2014 – Ashtu si në rastin e Gërdecit, ish-Ministri i Financave Ridvan Bode nuk shprehet për koncesionin e Terminalit të Trageteve në favor të një kompanie të përbashkët gjermano-shqiptare.
Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), duke kontrolluar dosjet e koncesioneve në portin e Durrësit, ka konfirmuar edhe zbulimet e “Dyrrah”-ut për nivelin e lartë të korrupsionit të qeverisë Berisha dhe ish-klanit të drejtorisë së përgjithshme ekzekutive të shoqërisë shtetërore Autoriteti Portual i Durrësit sha në trajtimin e koncesioneve.
Kështu ka ndodhur dhe me koncesionin e Terminalit të Trageteve, mbushur me shkelje të shumta, ku bie në sy fakti që Bode i është shmangur dhënies së OK- për projektvendimin e Qeverisë (shih faksimilen).
Sipas KLSH-së, me shkresën nr. 13 88, datë 19.03.2013 ish-Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, i ndjeri Sokol Olldashi, ka kërkuar mendime nga ish-Ministria e Brendshme, Ministria e Financave, ish-Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe Ministria e Drejtësisë, lidhur me projektvendimin për përcaktimin e autoritetit kontraktues për dhënien me koncesion të menaxhimit, operimit, mirëmbajtjes dhe përmirësimit teknik të Terminalit të Trageteve në portin e Durrësit.
Ministri i Drejtësisë z. Eduard Halimi, me shkresën 1689/1, datë 25.03.2013, nuk është shprehur për ligjshmërinë e formës dhe të përmbajtjes së këtij projekt-akti, me arsyetimin se ky projektakt ka karakter individual.
Me shkresën nr. 1382, datë 2.4.2013, MPPT i ka kërkuar sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, z. Gjergj Lezhja miratimin e projektvendimit.
Me shkresën nr. 2037/4, datë 8.4.2013 Ministri i Brendshëm Flamur Noka shprehet në parim pro.
Nuk ka dhënë mendime Ministri i Financave Ridvan Bode, sipas shkresës së MPPT nr. 1388, datë 19.03.2013.
Me shkresën nr. 2085/2, datë 14.5.2013 Ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Fatmir Mediu, jep OK.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





