·        Konfirmohen zyrtarisht argumentet e “Dyrrah”-ut

DURRËS, 19 qershor 2014 –  Gjermanët e Terminalit Lindor kanë shkuar “si cjapi te kasapi” për monopolin e krijuar me kontratë tek Autoriteti i Konkurrencës, ndërkohë që Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar rishikimin e koncesionit, duke konfirmuar argumentet e “Dyrrah”-ut.

“Dyrrah”-u ka mësuar nga Autoriteti shqiptar i Konkurrencës se përfaqësuesi ligjor i shoqërisë gjermane që ka në koncesion Terminalin Lindor të rifuxhove “EMS APO” Shpk “ka paraqitur një ankesë për dijeni për Autoritetin e Konkurrencës Krishtlindje 2013, pikërisht më 29 dhjetor 2013 mbi shkarkimin e një anije të ngarkuar me hekur, e cila nuk është lejuar të shkarkojë në portin e Durrësit. Dhe me të drejtë Autoriteti i Konkurrencës, me shkresën 498/1 prot. të datës 15 janar 2014 e ka informuar ankimuesin mbi shqyrtimin e ankesës “vetëm në këndvështrimin e ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”” dhe ndërkohë ka kërkuar vënien në dispozicion të një kopjeje të plotë të kontratës koncesionare për ndërmarrjen “EMS Shipping & Trading GmbH”.

Retrospektivë

“durres.lajm.com” nuk e dinte këtë fakt, por më 22 janar 2014 Dyrrah”-u ka botuar investigimin “Shkelet master-plani, anija me sondë nafte çohet te kromi” (shih durreslajm.com/investigim/shkelet-master-plani-anija-me-sonde-nafte-cohet-te-kromi), ku ndër të tjera thuhet: “gazeta ka lexuar, jo pa habi, në raportin ditor të anijeve të transportit se anija “BBC Colorado” ishte planifikuar nga ana e drejtorisë së përgjithshme ekzekutive të APD sha të shkarkonte 421 tonë makineri në kalatën nr. 11 (terminali lindor), i destinuar, në bazë të master-planit, për minerale”.

Po ashtu shkruhej se “së pari, kontrata e ministrisë nuk mund të prevalojë mbi master-planin e miratuar me vendim qeverie dhe fare mirë drejtoria e përgjithshme ekzekutive mund të kërkonte në ministri shfuqizimin e kësaj pike të kontratës për mallrat gjenerale / e përgjithshme dhe drejtoria e përgjithshme ekzekutive e shoqërisë shtetërore Autoriteti Portual sha të shfajësohet: “sa i përket qëndrimit tonë ndaj kontratave koncesionare që ka lidhur Ministria me operatorët privatë, ai mbetet i pandryshuar, por nuk ka asnjë efekt juridik sa kohë që kontratat nuk anulohen nga ato instanca që i kanë lidhur”. Së dyti, “rregullat e konkurrencës” këtu shkelen, pasi Teminalit Lindor i jepet ekskluziviteti edhe për mallrat e përgjithshme, edhe për kontejnerët, duke e shndërruar në një terminal universal me bekimin e shtetit / drejtuesve të portit”.

“Dyrrah-u” e ndoqi problemin dhe më 27 janar 2014 njoftoi: “Drejtoria e përgjithshme ekzekutive e kompanisë publike Autoriteti Portual Durrës (APD) sha reflekton, pasi anija me sondë nafte nuk do të shkarkohet te sheshi i kromit e hekur-nikelit, por në kalatën nr. 5.

KLSH konfirmon “Dyrrah”-un

“Dyrrah”-u që disponon raportin e Kontrollit të lartë të Shtetit maj 2014 mbi auditimin e ushtruar në Autoritetin Portual Durrës, ka vërejtur se KLSH-ja ka konfirmuar shqetësimin dhe argumentimin e “durreslajm.com”.

KLSh ka vënë kërkuar të rinegociohet, brenda datës 30 shtator 2014, kontrata e koncesionit datë 6 maj 2013 “Menaxhimi, operimi dhe mirëmbajtja e Terminalit Lindor në Portin e Durrësit”, në lidhje me objektin e koncesionit, nivelin e investimit privat dhe përqindjen (royalty) fikse për Autoritetin Portual Durrës, pasi në masterplan është parashikuar se objekti i koncesionit janë mineralet e nikel/kromit dhe qymyrit të importit, ndërsa kontrata përfshin edhe ngarkimin dhe shkarkimin e ngarkesave rifuxho, por edhe të anijeve me ngarkesa të përgjithshme / gjenerale dhe për ngarkesa për projekte sipas rastit.

KLSH-ja arrin në përfundimin se operatori ekonomik “EMS Shipping and Trading GmbH” nuk ka plotësuar kërkesat për kualifikim dhe për rrjedhojë është në kundërshtim me kriteret e përcaktuara (shih faksimilet).

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/