14 gusht 2015 –  Në vitin 2016 Izraeli do të mbyllë përfaqësinë e vetë diplomatike në Shqipëri, lajmi bëhet i ditur nga të gjitha mediet hebre. Sipas projektbuxhetit të shtetit, paraqitur në fund të javës së kaluar, të gjitha ministritë kanë përfituar rritje, por një ulje të ndjeshme ka pësuar vetëm buxheti i Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ), i cili për vitin 2016 është më i vogël se sa ai në vitin 2014.
Portali “cursorinfo.co.il” njofton se në MPJ nuk do të ketë departament analitik, kurse funksionet e tij do t’i kalojnë Ministrisë së Sigurisë së Brendshme, nisur nga fakti që në saje të shkurtimeve buxhetore, do të ketë mbyllje të ambasadave izraelite në disa vende dhe konsullatave në disa qytete në SHBA dhe Rusi.
“Është gabim parimor të masësh rëndësinë e një shteti nga vendi që zë në hartë”, thuhet në shtypin e Tel Avivit. Ndoshta për të njëjtat arsye u miratua vendimi për të mbyllur ambasadën në Shqipëri. “Po, Shqipëria është një shtet i vogël, nuk ka ndikim në botë. Por është i vetmi vend mysliman që nuk e mbështeti shpalljen e një shteti palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së! Likuidimi i përfaqësisë izraelite atje është manifestim i mosmirënjohjes”, thotë “cursorinfo.co.il”.
“Në vend të forcojë Ministrinë e Punëve të Jashtme, Kryeministri [Benjamin Netanyahu] ka vendosur, me sa duket, në shenjë hakmarrjeje ndaj meje [Lieberman nuk pranoi të hyjë në qeverinë e re], 7-8 të mbyllë përfaqësitë tona në Amerikën e Veriut, Afrikë, Shqipëri, Minsk dhe Ekaterinburg”, deklaroi, më 11 gusht 2015, në një intervistë televizive ish-ministri i Jashtëm dhe zëvendëskryeministër i Izraelit Avigdor Liberman (Lieberman).
Në gusht 2012, Liberman-i hapi ambasadën e vendit hebre në Tiranë. Shumë ironik ishte Liberman-i me rastin e Shqipërisë: “Ky vend ka miqësi me Izraelin. Prandaj, Bibi [Kryeministri] vendos të mbyllë ambasadën atje. Ky është një vend mysliman që ka miqësi me Izraelin. Prandaj Bibi do të mbyllë ambasadën atje. Ky është një vend mysliman që ka miqësi me Izraelin dhe që abstenoi kur u miratua rezoluta arabe për krijimin e shtetit palestinez”.
Info
Marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve u vendosën më 20 gusht 1991. Selia e ambasadës hebre në Tiranë u hap në gusht të vitit 2012. Aktualisht, që nga 27 maji 2015, ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Izraelit në Tiranë është Boaz Rodkin (në foto djathtas), që pason në detyrë ish-ambasadorin David Cohen. Shqipëria dhe Izraeli kanë një marrëdhënie të veçantë mes tyre, të ushqyer pas mbrojtjes së rrallë që shqiptarët u ofruan hebrenjve që kërkonin t’i shpëtonin përndjekjes së nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/