·       Mirëkuptim ndërmjet shoqatave Goga Basket  dhe  Teuta Basket, bashkojnë financat

·       Synohet që pas 60 viteve Teuta të jetë kampione e Shqipërisë

NGA BUJAR QESJA

10 shtator 2015 –  Lëvizje të orëve të fundit tek Teuta e basketbollit. Pjerin Bushati është emri i ri i trajnerit të ekipit durrsak. I datëlindjes 17 gusht 1958, Bushati aktivizohet me ekipin e njohur të Partizanit në periudhën 1974-1990. Në këtë periudhë Bushati është 12 herë kampion i vendit dhe pjesëmarrës në kupat evropiane në vitet 1983 dhe 1988. Vlen të theksohet, se shkodrani është anëtar i ekipit përfaqësues në vitet 1978-1988. Drejton ekipin e Partizanit 1994. Në Itali është trajnuar në dy kurse, duke u ngarkuar me këtë rast të kryejë detyrën e trajnerit në ekipin  Collefero Roma  (Itali) 1997-2000. 15 vjet pranë basketbollit italian (2000-2015), deri kohët e fundit si instruktor minibasketi në akademinë e basketbollit  Stella Azura Roma.

Pjerin Bushati iu përgjigj menjëherë thirrjes që i bëri presidenti i shoqatës  Goga Basket  Perikli Goga, për t’u përfshirë në planet ambicioze për rikthimin e basketbollit durrsak. Goga Basket  tani po kthehet në një nga shoqatat më pikante të masivizimit, por edhe të provokimit të cilësisë sportive në rritje.  Goga Basket  kishte vendosur të inkuadrohej këtë sezon në grupin B, duke qenë ndër ekipet e para në vend që filloi stërvitjet që në muajin qershor, falë pasionit dhe vendosmërisë të trajnerit Besnik Çela. Por ditët e fundit, filloi një përpjekje negociuse ndërmjet dy shoqatave të basketbollit në Durrës: Goga Basket  dhe  Teuta Basket.

Të ndjeshëm ndaj kthesës së nisur dhe për të kapur objektivat e avancuara të këtij sezoni deri në synimin për titullin kampion dhe kupën e Shqipërisë, të dy shoqatat lana mënjanë pozicionet e tyre, kundrejt interesit moral dhe qytetar të opinionit sportive të qytetit. Me mbështetjen e Bashkisë së qytetit dhe personalisht të kryetarit Vangjush Dako, të klubit shumësportesh Teuta shoqata  Goga Basket  dhe  Teuta Basket  bashkuan financat dhe moralin e tyre për një përfaqësim gjithëpërfshirës të Teutës. Njëzëri u vendos që Pjerin Bushati të vihet në krye të këtij plani avancues cilësor, duke u mbështetur nga dy ndihmës: Besnik Çela dhe Bekim Abrazhda.

Me punën e kryer deri tani dhe me mbështetjen financiare të disa sponsorëve, parashikohet që Teuta të përfshihet në fazën e plejofit dhe më tej të godasë në merkato për të pronësuar pas vitit 1955 kupën e kampiones së vendit. Pas këtyre lëvizjeve, optimizmi është i madh në zbatimin me sukses të skenarit të rizgjimit.

/portali DurresLajm/