·Tani psalmet edhe në rusisht, karakteri “mbikombëtar”, përpjekje tinëzare ruse-greke-renegate për likuidimin e autoqefalisë së kishës ortodokse
DURRËS, 5 qershor 2015 – Kryepeshkopi Anastas Janullatosi është shqiptar, kështu të dërguarit e Kremlinit i kanë “marrë” kompetencat presidentit të Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani në qytetin e lindjes së këtij të fundit.
Të premten, më 5 qershor 2015, në koncertin kishtar të dhënë nga dy kore ruse në teatrin “Aleksandër Moisiu” të qytetit të Durrësit, presidenti i Fondit ndërkombëtar të unitetit të popujve ortodoksë me seli në Patrikanën e Moskës dhe Gjithë Rusisë, profesor Valeriy Aleksyejev ka deklaruar:
“Kryepeshkopi shqiptar [origjinal: “Arkhiyepiskop Albanskiy”] Anastasi është një figurë e shquar kishtare e botës së sotme”, citon agjencia ruse e lajmeve RIA Novosti. Ky provokacion i bërë në Durrës, dyshon për ndërhyrjen dhe trysninë që ushtron Moska mbi kreun e shtetit shqiptar Bujar Nishani për t’i dhënë nënshtetësinë Anastas Janullatosit, ndryshe e bën shqiptar vetë Rusia, gjë që duhet të ngjallë reagimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Por kjo e fundit është më e paturp se Moska, teksa ndajshtimin “Autoqefale” e ruan në logon zyrtare dhe e heq në logon faqes në rrjetin social facebook, duke dalë si “Kisha Ort(h)od(h)okse e Shqipërisë”.
Por nuk mjaftohet me kaq ky emisar i Kremlinit, prof. Aleksyejev, i cili Aleksyejev “harron” me dashje Fan Nolin dhe në prani të zëvendëskryetarit të parë i Komitetit të Dumës së Shtetit (dhoma e ulët e parlamentit rus) për çështjet e bashkimeve të shoqatave dhe organizatave fetare Mikhail Markelov dhe ambasadorit të Federatës Ruse në Shqipëri Aleksandër Karpushin, deklaroi se kur në krye të Kishës u shfaq Kryepeshkopi Anastas, “me vullnetin e Perëndisë, ai bëri një mrekulli: kisha e lashtë Shqiptare (Kisha e Ilirisë) u rigjallërua këtu, dhe pas 20 vitesh në Shqipëri pranohet zyrtarisht: më shumë se një e treta e popullsisë janë të krishterë”. Në ndihmë të rusëve dhe grekëve ka shkuar dhe një renegat shqiptar i paidentifikuar që flet mbi karakterin “mbikombëtar” të kishës ortodokse. Në korrespodencën e gjerë shkruhet:
“Duke iu përgjigjur pyetjes [së “RIA Novosti”-t] për nacionalizmin dhe idenë e Shqipërisë së Madhe, një nga zyrtarët (në origjinalin rusisht: “slluzhitel” – shërbyes) e Kishës Ortodokse (“harrohet”: Autoqefale) të Shqipërisë, vuri në dukje se shumica dërrmuese e klerit të saj dhe famullitarëve aktualisht janë shqiptarë. Por kisha e krishterë thekson gjithmonë karakterin e vet mbikombëtar [rusisht:“khristianskaya Tserkov' vsegda podcherkivayet svoy nadnatsional'nyy kharakter”– nënvizimi i “Dyrrahut”] dhe bën gjithçka është e mundur në ndihmë të njerëzve konkretë, pavarësisht nga kombësia e tyre, përderisa në Krishtin nuk ka as grek, as hebre”.
Paraditen e së premtes, më 5 qershor 2015, koret ruse bën një vizitë në kishën ortodokse “Apostull Pavli dhe Shën Asti”, Durrës, ku dhe psalën në rusisht. Pas greqishtes, Janullatosi dhe shërbëtorët e tij shqiptarë po fusin si gjuhë liturgjie edhe rusishten.
Kuptohet, koncerti me muzikë spirituale është një përpjekje për të përdorur “soft power”-in (politika e forcës së butë) për të depërtuar dhe diktuar në Shqipëri, me shërbëtorë vendas. Fakti që “RIA Novosti” në një veprimtari kulturore-fetare pyet “për nacionalizmin dhe idenë e Shqipërisë së Madhe” është tejet domethënës.
/Re. pol. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/