DURRËS, 30 korrik 2014 – Merr fund zhurma mediatike për tenderin e korsive të biçikletave, gjelbërimit dhe ndriçimit në plazhin e Durrësit, pasi Komisioni i Prokurimit Publik ka hedhur poshtë si të pabazuara pretendimet e dy operatorëve ekonomikë.

“Dyrrah”-u mund të sigurojë në orët e vona të së mërkurës, në saj të mirësjelljes së z. Albi Kolaneci, specialist IT në Sektorin e Shërbimeve Mbështetëse në Këshillin e Ministrave, vendimin e 23 korrikut 2014 të Komisionit të Prokurimit Publik, i cili vendosi të mos pranojë ankesën e paraqitur nga operatori ekonomik “Curri” shpk dhe ankesën e paraqitur nga bashkimi i operatorëve ekonomikë “Nika” shpk & “Gjikuria” shpk për procedurën e prokurimit “Procedurë e Hapur” me objekt: “Realizimi i korsive të biçikletave, gjelbërimit dhe ndriçimit në rrugën “Pavarësia”, me fond limit 170.440.260 lekë (pa TVSH), zhvilluar në datën 2.6.2014, nga autoriteti kontraktues, Bashkia Durrës.

Ky vendim lejon bashkinë e Durrësit të vazhdojë me hapat e mëtejshëm të procedurës së prokurimit.

Kundër këtij vendimi, mund të bëhet ankim në gjykatën përkatëse për shqyrtimin e mosmarrëveshjes administrative.

Kopje e këtij vendimi i dërgohet për njoftim Agjencisë së Prokurimit Publik.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

“Dyrrah”-u, pa dashur të marrë pozicion, po boton të plotë vendimin prej 9 faqe kompjuterike të Komisionit të Prokurimit Publik pranë Qeverisë, ku ballafaqohen pretendimet e dy pjesëmarrësve në tender, bashkisë dhe Komisionit të Prokurimit Publik.

DOKUMENTI I PLOTË

Komisioni i Prokurimit Publik, i përbërë nga: Denar Biba kryetar, Vilma Kadesha anëtar, Denis Martopullo anëtar, Muharrem Çakaj anëtar, Hektor Muçaj anëtar, në mbledhjen e datës 23.07.2014 shqyrtoi ankesat përkatësisht me:

Objekt: “Shfuqizim i vendimit të komisionit të vlerësimit të ofertave në lidhje me skualifikimin e operatorit ekonomik “Curri” shpk në procedurën e prokurimit “Procedurë e hapur” me objekt: “Realizimi i korsive të biçikletave, gjelbërimit dhe ndriçimit në rrugën “Pavarësia”, me fond limit 170.440.260 lekë (pa TVSH), zhvilluar në datën 02.06.2014, nga autoriteti kontraktues, Bashkia Durrës.

Shfuqizim i vendimit të komisionit të vlerësimit të ofertave në lidhje me skualifikimin e bashkimit të operatorëve ekonomikë “Nika” shpk & “Gjikuria” shpk, në procedurën e prokurimit “Procedurë e Hapur” me objekt: “Realizimi i korsive të biçikletave, gjelbërimit dhe ndriçimit në rrugën “Pavarësia”, me fond limit 170.440.260 lekë (pa TVSH), zhvilluar në datën 02.06.2014, nga autoriteti kontraktues, Bashkia Durrës”.

Ankimues: “Curri” shpk, Rr. “Kajo Karafili”, Pall. “Bimbashi” 8/2, Kati II, Ap. 2 B, Tiranë

Bashkimi i operatorëve ekonomikë “Nika” shpk & “Gjikuria” shpk, Rruga Bulevardi Skënderbeg, pas kinemasë Millenium, Shkodër

Palë e ankimuar: Bashkia e Qytetit Durrës, Sheshi “Iliria”, Durrës

Baza Ligjore: Ligji nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik”, neni 19/1 e vijues, Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 1, datë 10.01.2007 “Për rregullat e prokurimit publik”, i ndryshuar, Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 184, datë 17.03.2010, “Për miratimin e rregullores “Për organizimin dhe funksionimin e Komisionit të Prokurimit Publik”, i ndryshuar.

Komisioni i Prokurimit Publik, pasi dëgjoi relatorët e çështjes, z. Muharrem Çakaj, znj. Vilma Kadesha dhe z. Denis Martopullo, shqyrtoi parashtrimet me shkrim të ankimuesve, dokumentacionin e paraqitur nga autoriteti, pretendimet e ankimuesve, dhe pasi diskutoi çështjen në tërësi,

Vëren:

I

Vlerësimi paraprak

I.1. Pas shqyrtimit paraprak të ankesave të mbështetur në dokumentacionin e dërguar nga operatorët ekonomikë ankimues, Komisioni i Prokurimit Publik konstatoi se këta të fundit kanë qenë operatorë ekonomikë në të njëjtën procedurë prokurimi, ndaj edhe ankimet e tyre duhet të bashkohen e të shqyrtohen në një gjykim të vetëm.

I.2. Komisioni i Prokurimit Publik vlerëson se operatorët ekonomikë kanë prima facie interes në këtë procedurë prokurimi dhe për këtë arsye legjitimohen për të paraqitur ankesë në lidhje me të, bazuar në pikën 1 të nenit 63 të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik”, i ndryshuar.

I.3. Operatorët ekonomikë kanë paraqitur fillimisht ankesë pranë autoritetit kontraktues, dhe më pas kanë paraqitur ankesë, me të njëjtin objekt pranë Komisionit të Prokurimit Publik, si organi më i lartë në fushën e prokurimeve, që shqyrton ankesat për procedurat e prokurimit, në përputhje me kërkesat e përcaktuara në ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar.

I.4. Kanë respektuar afatet ligjore të paraqitjes së ankesës pranë autoritetit kontraktues dhe Komisionit të Prokurimit Publik.

Operatori ekonomik “Nika” shpk e ka paraqitur ankesën në autoritetin kontraktues jashtë afateve të ankimimit, por autoriteti kontraktues i ka kthyer përgjigje duke e marrë në shqyrtim, çka bën që për Komisionin e Prokurimit e Publik të konsiderohet rivendosje në afat, sikundër është vendosur edhe në të gjitha rastet e ngjashme përpara saj.

Në këto kushte Komisioni i Prokurimit Publik mori në shqyrtim në themel objektet e ankesave të operatorëve ekonomikë ankimues.

II

Rrethanat e çështjes

II.1. Në datën 29.04.2014, është publikuar nga autoriteti kontraktues, në faqen e internetit të Agjencisë së Prokurimit Publik, procedura e prokurimit “Procedurë e Hapur” me objekt: “Realizimi i korsive të biçikletave, gjelbërimit dhe ndriçimit në rrugën “Pavarësia”, me fond limit 170.440.260 lekë (pa TVSH).

II.2. Në datën 02.06.2014, autoriteti kontraktues ka zhvilluar procedurën e prokurimit.

Në këtë procedurë prokurimi kanë marrë pjesë operatorët ekonomikë si më poshtë, të cilët kanë paraqitur ofertat ekonomike (pa TVSH) përkatësisht:

1. Bashkimi i operatorëve ekonomikë “Nika” shpk & “Gjikuria” shpk 109.218.450 lekë, skualifikuar

2. Bashkimi i operatorëve ekonomikë “Alko-Impex General Contrucion” shpk & “Sireta 2F” shpk 111.111.111 lekë, skualifikuar

3. Bashkimi i operatorëve ekonomikë “Çaushi/M” shpk & “Pe-Vla-Ku” shpk 117.997.501 lekë, skualifikuar

4. “Curri” shpk 134.586.750 lekë, skualifikuar

5. Bashkimi i operatorëve ekonomikë “G.P.G. Kompani” shpk & “Si-Si-Al” shpk 139.975.800 lekë, skualifikuar

6. Bashkimi i operatorëve ekonomikë “Elkri & Co” shpk & “A.E.K & Co” shpk & “Tea-D” shpk 139.999.999 lekë, skualifikuar

7. Bashkimi i operatorëve ekonomikë “Biba – X” shpk & “Gjoka Konstruksion” shpk 149.046.140 lekë, skualifikuar

8. Bashkimi i operatorëve ekonomikë “Be – Is” shpk & “RSM.Co” shpk 154.609.480 lekë, skualifikuar

9. Bashkimi i operatorëve ekonomikë “Shkëlqimi 07” shpk & “Boshnjaku B” shpk & “Sardo” shpk 156.924.360 lekë, skualifikuar

10. Bashkimi i operatorëve ekonomikë “Hastoçi” shpk & “Kajmaku” shpk 163.529.360 lekë, skualifikuar

11. “Eurondërtimi 2000” shpk 167.903.035 lekë, kualifikuar

12. “B – 93” shpk nuk ka paraqitur ofertë ekonomike

II.3. Në datën 18.06.2014 operatori ekonomik “Curri” shpk është njoftuar elektronikisht për klasifikimin e ofertave si dhe skualifikimin e tij në këtë procedurë prokurimi për arsyet si më poshtë vijon:

Ofertuesi CURRI me vlerë të ofertës 134.586.750 lekë, nuk ka përmbushur kërkesat për kualifikim të kërkuara në dokumentet e tenderit:

– Nuk ka paraqitur autorizim nga prodhuesit i shoqëruar me  ISO për “Ndriçues për ambiente të jashtme, shtyllë me lartësi 12.5 m (sipas projektit);

– Nuk ka paraqitur certifikatë ISO 9001 nga prodhuesi i pemëve nga i cili do të furnizohej.

II.3.1. Në datën 24.06.2014 operatori ekonomik “Curri” shpk ka paraqitur ankesë pranë autoritetit kontraktues. Në ankesë pretendohet si më poshtë:

– Në lidhje me arsyen e parë të skualifikimit argumentojmë se:

Ndonëse kjo kërkesë është totalisht në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik në frymën e të cilit është nxitja e pjesëmarrjes së operatorëve ekonomikë dhe nxitja e konkurrencës dhe kufizimi i pjesëmarrjes së operatorëve ekonomikë siç edhe ka bërë autoriteti kontraktues duke vendosur kritere absurd siç janë disponimi i Autorizimit nga Prodhuesi dhe certifikatat e ndryshme ISO.

Ne kemi paraqitur një kontratë furnizimi me një subjekt të licencuar dhe të specializuar në furnizimin e materialeve elektrike, katalogun, certifikatat që subjekti furnizues zotëron për prodhuesin e këtyre materialeve dhe është absurde kërkesa për një autorizim nga prodhuesi kur përgjegjësia ligjore për furnizimin e këtyre pajisjeve dhe instalimin e tyre është e ofertuesit. Prodhuesit e këtyre materialeve nuk lëshojnë autorizim vetëm për një subjekt të caktuar dhe në këtë fazë konkurrimi, por vetëm me momentin e negocimit dhe të lidhjes së kontratës. Për ta, kërkesa jonë për një autorizim është konsideruar si një kërkesë absurde në këtë fazë të prokurimit.

– Në lidhje me arsyen e dytë të skualifikimit argumentojmë se:

Ne kemi paraqitur një kontratë furnizimi me një subjekt të licencuar dhe specializuar në këtë fushë të tregtimit të pemëve dekorative. Në pikën 8 të kontratës keni caktuar që: Kontrata shoqërohet me Certifikatën ISO, katalogët dhe deklarimin e prodhuesit të këtyre pemëve. Në dijeninë tonë kjo certifikatë është bashkëlidhur kontratës dhe për këtë arsye është cituar aty. Gjithsesi, autoriteti kontraktues mund të kërkonte sqarime nëpërmjet sistemit elektronik të prokurimit dhe do t’ju jepnim sqarimet e nevojshme, ndërkohë që autoriteti kontraktues lehtësisht mund të verifikonte në Website e organizatës ISO, certifikatën që disponon shoqëria furnizuese e jona “M & K 2001” shpk, gjë që mund të bëhet lehtësisht në çdo kohë duke klikuar në linkun:

http://www.cdqitalia.it/organizzazioni,8,8,scheda,1155,m-&-k-2001-shpk.htm.

Vetëm duke mos vendosur kritere absurde ose vetëm duke kërkuar sqarime për ofertën e dhënë nga ofertuesi, gjë të cilën nuk e pengon ligji i prokurimit publik, autoriteti do kishte mundur të kursente jo pak por 33.316.285 lekë të reja nga ky prokurim.

II.3.2. Operatori ekonomik “Curri” shpk sqaron se në datën 30.06.2014, me shkresën nr. 3830/1 prot., datë 27.06.2014, autoriteti kontraktues i ka kthyer përgjigje duke e refuzuar ankesën.

II.3.3. Në datën 03.07.2014 operatori ekonomik “Curri” shpk, ka paraqitur ankesë në Komisionin e Prokurimit Publik, në të cilën ka parashtruar të njëjtat pretendime si edhe në ankesën e bërë pranë autoritetit kontraktues.

II.4. Në datën 18.06.2014, bashkimi i operatorëve ekonomikë “Nika” shpk & “Gjikuria” shpk, është njoftuar elektronikisht për klasifikimin e ofertave si dhe skualifikimin e tij në këtë procedurë prokurimi me pretendimin si më poshtë:

Ofertuesi Nika+Gjikuria me vlerë të ofertës 109.218.450 lekë, nuk ka përmbushur kërkesat për kualifikim të kërkuara në dokumentet e tenderit;

Për kërkesën “Ndriçues për ambiente të jashtme, shtyllë me lartësi 12.5m (sipas projektit), ku është kërkuar: Shtyllat do të jenë 12.5 ml të larta nga toka. Shtyllat do të jenë konike prej çeliku me pole cilindrike, spesori i shtyllës do të jetë minimumi 4 mm, cilësia e materialit do të jetë S – 355 JR.

Ofertuesi NIKA+GJIKURIA nuk plotëson kërkesat e kërkuara për formën, dimensione të pranueshme nga projekti dhe cilësinë e materialit të kërkuar.

II.4.1. Në datën 27.06.2014 bashkimi i operatorëve ekonomikë “Nika” shpk & “Gjikuria” shpk, ka paraqitur ankesë pranë autoritetit kontraktues. Në ankesë pretendohet si më poshtë:

[…] Në lidhje me ndriçuesit, konkretisht shtyllën përkatëse, shoqëria që na ka autorizuar ne për këtë procedurë prokurimi merr përsipër që të na furnizojë me të gjitha materialet (e ndriçimit) sipas specifikimeve teknike për këtë tender. Për ketë kemi paraqitur edhe shtyllën përkatëse sipas parametrave të kërkuar. Me skualifikimin e shoqërisë “Nika” shpk i shkaktohet një dëm ekonomik edhe buxhetit të shtetit afro 500 milion lekë duke u nisur nga vlera e ofertës eventualisht fituese.

Sa më sipër kërkojmë të rishikohet vendimi i komisionit të vlerësimit të ofertave, të kualifikohet dhe të shpallet fituese shoqëria “Nika” shpk

II.4.2. Në datën 03.07.2014 me shkresën nr. 3918/1 prot., autoriteti kontraktues i ka kthyer përgjigje bashkimit të operatorëve ekonomikë “Nika” shpk & “Gjikuria” shpk, duke e refuzuar ankesën.

II.4.3. Në datën 11.07.2014 bashkimi i operatorëve ekonomikë “Nika” shpk & “Gjikuria” shpk ka paraqitur ankesë në Komisionin e Prokurimit Publik, duke parashtruar të njëjtat pretendime si edhe në autoritetin kontraktues.

Në lidhje me kthimin e përgjigjes nga ana e autoritetit kontraktues ankimuesi argumenton se:

Katalogu i paraqitura nga ana jonë i paraqet të gjitha të dhënat e mundshme për rigorizitetin e punës të kompanisë prodhuese të këtyre shtyllave. Kompania që na autorizon neve për të marrë pjesë në këtë procedurë prokurimi merr përsipër dy aspekte kryesore:

1. Merr përsipër të na furnizojë ne me të gjitha shtyllat përkatëse të kërkuara nga autoriteti kontraktues;

2. Merr përsipër që të plotësojë të gjitha kriteret, specifikimet teknike të vendosura nga autoriteti kontraktues në lidhje me cilësinë e shtyllave. Pra kjo gatishmëri e shprehur nga ana e kompanisë prodhuese është një garanci e plotë se nga ana jonë do të plotësohen të gjitha specifikimet teknike dhe projekti gjatë zbatimit të kontratës.

II.5. Në datën 14.07.2014, nëpërmjet shkresës nr. 4176/1 prot., datë 11.07.2014 me objekt: “Dërgim informacioni” dhe në datën 21.07.2014, nëpërmjet shkresës nr. 4428 prot., datë 18.07.2014 me objekt “Dërgim informacioni” është depozituar në Komisionin e Prokurimit Publik informacioni i autoritetit kontraktues lidhur me procedurën e mësipërme të prokurimit dhe trajtimin e ankesave të operatorëve ekonomikë ankimues.

II.6. Në datën 17.07.2014 me shkresën nr. 1187/3 prot., Komisioni i Prokurimit Publik ka kërkuar nga autoriteti kontraktues informacion shtesë për argumentimin e vendosjes së disa kritereve për kualifikim në dokumentet e tenderit.

II.7. Në datën 23.07.2014, nëpërmjet shkresës nr. 4456/1 prot., datë 22.07.2014, me objekt “Përgjigje shkresës nr. 1177/3 prot., datë 17.07.2014”, është depozituar në Komisionin e Prokurimit Publik informacioni shtesë i autoritetit kontraktues në lidhje me argumentimin e vendosjes së kritereve për kualifikim.

III

Komisioni i Prokurimit Publik pas shqyrtimit të ankesave, dokumentacionit bashkëngjitur, arsyeton

III.1. Lidhur me pretendimin e operatorit ekonomik “Curri” shpk mbi skualifikimin e tij për shkak se nuk ka paraqitur autorizim nga prodhuesit i shoqëruar me certifikatë ISO për “Ndriçues për ambiente të jashtme, shtyllë me lartësi 12.5 m (sipas projektit), Komisioni i Prokurimit Publik, vëren se:

III.1.1. Në dokumentet e tenderit Shtojca 10 “Kapaciteti teknik” është përcaktuar: “Kërkohet autorizim nga prodhuesit i shoqëruar me certifikatë ISO për këto zëra punimesh: Ndriçues për ambiente të jashtme, shtyllë me lartësi 12.5m (sipas projektit); Sinjalistika jo ndriçuese vertikale (tabelat rrugore); Sinjalistika ndriçuese (semaforët). Autorizimi i prodhuesit dhe certifikata ISO duhet të jenë të vërtetuara në origjinë nga Noteri ose Dhoma e Tregtisë ose institucione të tjera shtetërore përkatëse të autorizuara, të përkthyera dhe të noterizuara në gjuhën shqipe. Të gjitha pajisjet dhe materialet duhet të shoqërohen me katalogët e prodhimit sipas të dhënave të treguara në preventivë dhe specifikimet teknike të dhëna nga projektuesi”.

III.1.2. Nga shqyrtimi i dokumentacionit të paraqitur nga operatori ekonomik “Curri” shpk rezulton se është paraqitur dokumenti “Marrëveshje angazhimi për furnizim të materialeve elektrike”, nr. Rep. 70 dhe nr. Kol. 43, e lidhur në datën 31.05.2014 ndërmjet furnizuesit “Elalcom” shpk dhe porositësit “Curri” shpk Në marrëveshjen e bashkëpunimit është përcaktuar: “Objekti i marrëveshjes: “Angazhimi për furnizimin e materialeve elektrike sipas kërkesave e specifikimeve teknike të procedurës së prokurimit me objekt “Realizimi i korsive të biçikletave, gjelbërimit dhe ndriçimit në rrugën “Pavarësia” zhvilluar nga Bashkia Durrës në datë 02.06.2014”.

III.1.3. Nga verifikimi i dokumentacionit të operatorit ekonomik “Curri” shpk rezulton se nuk është paraqitur asnjë dokument në lidhje me autorizimin e prodhuesit sipas kërkesave të autoritetit kontraktues.

III.1.4. Në nenin 46, pika 1 e ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, parashikohet shprehimisht: “Operatorët ekonomikë, për të marrë pjesë në procedurat e prokurimit, duhet të kualifikohen, pasi të kenë përmbushur të gjitha kriteret që autoriteti kontraktues i vlerëson të nevojshme, për sa kohë që ato janë në përpjestim me natyrën dhe përmasat e kontratës që do të prokurohen dhe jodiskriminuese”.

III.1.5. Në nenin 53/3 të LPP-së parashikohet se: “Autoriteti kontraktues, në zbatim të pikës 4 të këtij neni, vlerëson një ofertë të vlefshme, vetëm nëse ajo është në përputhje me të gjitha kërkesat dhe specifikimet e përcaktuara në njoftimin e kontratës dhe në dokumentet e tenderit…”;

III.1.6. Komisioni i Prokurimit Publik, gjykon se operatori ekonomik duhet të dorëzojë të gjithë dokumentacionin e ofertës në përputhje me kërkesat e përcaktuara në dokumentet e tenderit nga autoriteti kontraktues, në sistemin elektronik të prokurimeve.

Në dokumentet e tenderit “Udhëzime për operatorët ekonomikë” përcaktohet: “Operatorët Ekonomikë janë të detyruar të përgatisin oferta, në përputhje me kërkesat e përcaktuara në këto DT. Ofertat që nuk përgatiten në përputhje me këto DT do të refuzohen si të papranueshme”.

Sa më sipër, meqenëse dokumentet e tenderit dhe shtojcat përkatëse janë detyrimisht për t’u plotësuar nga operatorët ekonomikë, ankimuesi duhej të kishte dorëzuar të gjithë dokumentacionin në përputhje me kërkesat e autoritetit kontraktues në mënyrë që edhe vlerësimi të bëhej në përputhje me këtë dokumentacion.

Dokumentacioni i paraqitur nga operatori ekonomik ankimues në procedurën e prokurimit, nuk plotëson kërkesat e autoritetit kontraktues dhe nuk mund të konsiderohet i vlefshëm.

Përsa parashtruar më sipër, pretendimi i operatorit ekonomik ankimues nuk qëndron.

III.2. Në lidhje me pretendimet e tjera të operatorit ekonomik “Curri” shpk, Komisioni i Prokurimit Publik, gjykon se nuk kanë ndikim mbi fatin e çështjes, tashmë që nuk i është pranuar pretendimi i parë e ai, sidoqoftë, mbetet i skualifikuar, ndaj edhe nuk do të merren në shqyrtim, për ekonomi të procedurës administrative.

III.3. Gjithashtu, Komisioni sqaron se, lidhur me pretendimet e ankimuesit se kriteret e hartuara në dokumentet e tenderit në lidhje me Autorizimin e Prodhuesit dhe certifikatat ISO konsiderohen si të kundërligjshme, në Ligjin Nr. 9643 datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik”, i ndryshuar, Neni 63, “Të drejtat e personit të interesuar”, pika 1.1 parashikohet se: “Në rastin e ankesave për dokumentet e tenderit, operatorët ekonomikë mund të ankohen pranë autoritetit kontraktues brenda 7 ditëve nga data e publikimit i njoftimit të kontratës në faqen e internetit të Agjencisë së Prokurimit Publik”.[…].

Për rrjedhojë, nëse këto kritere do të konsideroheshin të jashtëligjshme nga operatori ekonomik, atëherë ky i fundit mund të pretendonte ndryshimin e tij mbështetur në nenin 63, pika 1.1 të ligjit të sipërcituar.

Për sa më sipër, pretendimi i ankimuesit nuk qëndron.

III.4. Lidhur me pretendimin e bashkimit të operatorëve ekonomikë “Nika” shpk & “Gjikuria” shpk mbi skualifikimin e tij për shkak se oferta e tij nuk përmbush kriteret për kualifikim për formën, dimensionet e pranueshme nga projekti dhe cilësinë e materialit të kërkuar, Komisioni i Prokurimit Publik, vëren se:

III.4.1. Në dokumentet e tenderit Shtojca 10 “Kapaciteti teknik” është përcaktuar: “[…] Të gjitha pajisjet dhe materialet duhet të shoqërohen me katalogët e prodhimit sipas të dhënave të treguara në preventivë dhe specifikimet teknike të dhëna nga projektuesi”.

III.4.2. Nga shqyrtimi i dokumentacionit të paraqitur nga bashkimi i operatorëve ekonomikë “Nika” shpk & “Gjikuria” shpk rezulton se janë paraqitur disa katalogë në gjuhë të huaja në lidhje me ndriçuesit për ambientet e jashtme.

III.4.3. Në nenin 46, pika 1 e ligjit nr.9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, parashikohet shprehimisht: “Operatorët ekonomikë, për të marrë pjesë në procedurat e prokurimit, duhet të kualifikohen, pasi të kenë përmbushur të gjitha kriteret që autoriteti kontraktues i vlerëson të nevojshme, për sa kohë që ato janë në përpjestim me natyrën dhe përmasat e kontratës që do të prokurohen dhe jodiskriminuese”.

III.4.4. Në nenin 53/3 të LPP-së parashikohet se: “Autoriteti kontraktues, në zbatim të pikës 4 të këtij neni, vlerëson një ofertë të vlefshme, vetëm nëse ajo është në përputhje me të gjitha kërkesat dhe specifikimet e përcaktuara në njoftimin e kontratës dhe në dokumentet e tenderit…”;

III.4.5. Në dokumentet e tenderit, Seksioni IV pika IV.6 është përcaktuar që gjuha për hartimin e ofertave do të jetë gjuha shqipe.

Gjithshtu në Shtojcën 10 të dokumenteve të tenderit “Kriteret e përgjithshme të pranimit / kualifikimit”, përcaktohet shprehimisht se: “Nëse gjuha e përdorur në procedurë është shqip, atëherë dokumentet në gjuhë të huaj duhet të shoqërohen me një përkthim të noterizuar në gjuhën shqipe”.

Katalogët e paraqitur nga ankimuesi nuk janë në gjuhën shqipe duke e bërë të pamundur identifikimin e plotësimit të specifikimeve teknike sipas përcaktimeve të autoritetit kontraktues në dokumentet e tenderit, për më tepër që nuk janë të nënvizuara dhe të përkthyera të paktën vetëm ato pjesë të katalogut që kanë të bëjnë me përshkrimin apo specifikimet teknike të mallit apo produktit të kërkuar.

III.4.6. Komisioni i Prokurimit Publik gjykon se operatori ekonomik duhet të dorëzojë të gjithë dokumentacionin e ofertës në përputhje me kërkesat e përcaktuara në dokumentet e tenderit nga autoriteti kontraktues, në sistemin elektronik të prokurimeve, në mënyrë që edhe vlerësimi të bëhet në përputhje me këtë dokumentacion.

Dokumentacioni i paraqitur nga operatori ekonomik ankimues në procedurën e prokurimit, nuk plotëson kërkesat e autoritetit kontraktues dhe nuk mund të konsiderohet i vlefshëm.

Rrjedhimisht, pretendimi i operatorit ekonomik ankimues nuk qëndron.

Për sa më sipër, në mbështetje të nenit 19/1 dhe vijues, të Ligjit Nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik”, të ndryshuar, nenit 28 të VKM-së nr. 184, datë 17.03.2010 “Për miratimin e rregullores “Për organizimin dhe funksionimin e Komisionit të Prokurimit Publik”, Komisioni i Prokurimit Publik, njëzëri,

Vendos

1. Të mos pranojë ankesën e paraqitur nga operatori ekonomik “Curri” shpk për procedurën e prokurimit “Procedurë e Hapur” me objekt: “Realizimi i korsive të biçikletave, gjelbërimit dhe ndriçimit në rrugën “Pavarësia”, me fond limit 170.440.260 lekë (pa TVSH), zhvilluar në datën 02.06.2014, nga autoriteti kontraktues, Bashkia Durrës.

2. Të mos pranojë ankesën e paraqitur nga bashkimi i operatorëve ekonomikë “Nika” shpk & “Gjikuria” shpk për procedurën e prokurimit “Procedurë e Hapur” me objekt: “Realizimi i korsive të biçikletave, gjelbërimit dhe ndriçimit në rrugën “Pavarësia”, me fond limit 170.440.260 lekë (pa TVSH), zhvilluar në datën 2.6.2014, nga autoriteti kontraktues, Bashkia Durrës.

3. Autoriteti kontraktues lejohet të vazhdojë me hapat e mëtejshëm të procedurës së prokurimit.

4. Kundër këtij vendimi, mund të bëhet ankim në gjykatën përkatëse për shqyrtimin e mosmarrëveshjes administrative.

5. Kopje e këtij vendimi i dërgohet për njoftim Agjencisë së Prokurimit Publik.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

Nr. 1187 Protokolli

Datë 03.07.2014

Nr. 1228 Protokolli

Datë 11.07.2014

KOMISIONI I PROKURIMIT PUBLIK

Anëtar Anëtar Anëtar Anëtar

Vilma Kadesha Denis Martopullo Muharrem Çakaj Hektor Muçaj

Kryetar

Denar Biba