·      “Dyrrah”-u zbulon se është fshirë versioni on-line i Raport Vjetor 2010, ku janë botuar fotot dhe përshkrimi për gjetjet e bujshme arkeologjike

·      Mision i Pamunduri prokurorisë së Durrësit? Pakt i heshtur i ish-qeverisë së PD-së me segmente të shumicës së sotme

·      Ja harta me viston e dhënë më 23.3.2011 për ndërtime në “Pompej”, nënshkruar nga Kryeministri Sali Berisha; Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Ferdinand Xhaferaj; drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri” akademik Prof. Dr. Apollon Baçe; drejtori i Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik Roland Olli

Nga Thanas Mustaqi

DURRËS, 6 qershor 2014 –  Teksa akuza bregdetare nis hetimet kryesisht, pas "sherrit” mediatik, lidhur me pallatin te ish-lulishte “1 Maj”, që ka zhdukur një “Pompe” antik në Durrës, “Dyrrah”-u ka zbuluar se është fshirë versioni on-line i Raport Vjetor 2010 nga sajti i Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik (ASHA), ku janë botuar fotot dhe përshkrimi për gjetjet e bujshme arkeologjike.

DIÇKA QË NUK SHKON

Me sa duket, autori / autorët e krimit mbi trashëgiminë kulturore në Durrës në emblemën e qytetit bregdetar, ish-lulishtja e famshme “1 Maji”, të frikësuar nga zhurma mbi ish-“Pompejin”, janë kujdesur të fshijnë (delete) gjurmët, teksa në sajtin e Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik, një institucion në varësi të Ministrisë së Kulturës, mungon në arkiv Raport Vjetor / Annual Report 2010.

Nga ana tjetër, drejtori i ri i ri ASHA-s Dr. Artan Puto, në sajtin e institucionit ka lënë vetëm veprimtaritë e vitit 2014, kurse në zërin Raporte (?!) ka përfshirë për Durrësin një fragment të Fletore Zyrtare nr. 53, datë 7 maj 2011 që i takon Vendimit Nr. 237, datë 23.3.2011 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e rregullores “Për administrimin e zonës arkeologjike “A” dhe “B” të qytetit të Durrësit””, bashkëngjitur dhe harta e nënshkruar “Dyrrah”-u ka kërkuar në adresën www.asha.gov.al/content.asp?idjadok=751&

Raport Vjetor 2010, sikurse tregohet në Google search: “Mar 31, 2011 – Raporti Vjetor 2010, Shqip-Anglisht … Veprimtaria e Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik (ASHA) edhe gjatë vitit 2010 është përqendruar në”, por “Oops! Kjo faqe nuk mund të gjendet (this page can’t be found)” [shih faksimilet e gjurmës në “google search”, dhe përgjigjes, por edhe të kopertinës së saj].

Por në internet mund të gjesh Raportin vjetor të Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik për vitin 2009 në http://www.slideshare.net/hoteleritourismalbania/raporti-vjetor-2009-agjencia-e-sherbimit-arkeologjik

Ka diçka këtu që nuk shkon: fshihet Buletin Vjetor 2010, ku është raportuar për zbulimet tek ish-lulishtja “1 Maji”, në janar 2011, shoqëruar me fotot, dhe lihet VKM-ja e 23 marsit 211, ku jepet vistoja për ndërtimet:

“Në zonën arkeologjike “B” të qytetit të Durrësit përveç ndërhyrjeve që lejohen në zonën arkeologjike “A”, lejohen edhe: 1. Ndërtimet e reja pas miratimit me shkrim nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë të kërkesave të subjekteve të interesuara”.

MISIONI I PAMUNDUR?

Burime nga prokuroria e rrethit gjyqësor të Durrësit bëjnë të ditur se kanë filluar hetimet kryesisht ndaj një firme ndërtimi, administratës së bashkisë, ish-drejtuesve të Institutit të Arkeologjisë, Institutit të Monumenteve të Kulturës, Agjencisë shtetërore të Shërbimit Arkeologjik, Qendrës së Studimeve Albanologjike, ish-Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, firmës për punime shpëtimi arkeologjike, Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës.

Ka qenë arkitekti i njohur she zëvendëskryetar i Shoqatës së Arkitektëve të Shqipërisë, Arben Biçoku që ka kërkuar ndjekje penale për ata që kanë zhdukur një nga monumentet më të rëndësishme të kulturës në Durrës, me rëndësi dhe ndërkombëtare.

Ish-lulishtja “1 Maj” në qytetin e Durrësit u shkatërrua për t’u ndërtuar një seri pallatesh.

Gjatë gërmimeve u zbulua një “lagje” e tërë antike, e paprekur dhe e ruajtur në gjendje shumë të mirë, që datonte që nga kohët arkaike dhe kishin një larmi ndërtimtarie që përfshinte tre periudha antike, të pajisura me rrugë, puse dhe kanale uji.

Por është disi e vështirë për organin e Akuzës t’i çojë deri në fund hetimet, pasi kemi të bëjmë me një pakt të heshtur të ish-qeverisë së PD-së me segmente të shumicës së sotme.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/