TIRANË, 2 gusht 2013 – Lëkundje të lehta toke në rrugën që mban emrin “Gjinit” të Portokallisë (Besart Kallaku) të komunës së Bubqit në Krujë. Rrjeti sizmologjik shqiptar ka regjistruar, më 2 gusht 2013, ora 13:19:31 GMT ose ora 15:19:31 (koha e Shqipërisë), një tërmet minor me forcë M=2.2, me epiqendër në thellësinë 7 km. Sipas Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, ngjarja sizmike ka ndodhur 3 km në vijë ajrore në jugperëndim të Thumanës në rrethin e Krujës (shih hartën nr. 1, shigjeta e gjelbër). Bazuar në koordinatat 41.52°N, 19.66°E, sateliti ka saktësuar se tërmeti ka rënë në një shtëpi të fshatit Gramëz (komuna Kodër-Thumanë, shih foton, shigjeta e gjelbër), 200 metra në perëndim të rrugës “Besart Kallaku” (shih hartën nr. 2, pika e kuqe). Komuna Bubq e Krujës i ka vënë rrugës këtë emër në nderim të humoristit të parapëlqyer nga shikuesit në emisionin satirik burlesk Portokalli, “Gjinit”, djalë i kësaj zone, sikurse thotë ai, mbushur me “katundarë” (shih foton e bërë në rrugën e “vet”). Lëvizja tektonike ka ndodhur në kufijtë e tre rretheve: Durrës, Krujë, Lezhë. Fatmirësisht, nuk ka njoftime zyrtare për viktima dhe dëme materiale.

Info

Komuna Kodër-Thumanë ka nën juridiksion fshatrat Borizanë, Derven, Gramëz, Thumanë, Kodër-Thumanë, Bukshesh, Dukagjin i Ri, Sukth-Vendas, Arest-Miliska.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/