·        Portali informativ për rajonin e Detit të Zi  BSNews  dhe organizata bamirëse e Kievit  Majdan inostrannih dell, në kuadër të projektit “Çornij list – Lista e zezë”, po investigojnë mbi rrethanat e eksportit të grurit nga gadishulli i aneksuar

DURRËS, 20 korrik 2014 –  Në Kiev ka filluar hetimi për një anije, që dyshohet se ka pronar të vërtetë në Durrës, për shkelje sanksionesh të BE-së dhe kodit penal të Ukraniës për hyrje të paligjshme në portet e Krimesë, pushtimin dhe aneksimin e së cilës nuk e ka njohur komuniteti perëndimor, njofton më 20 korrik 2014 portali  informativ për rajonin e Detit të Zi  BSNews. Kievi zyrtar mund të kërkojë arrest ndërkombëtar të anijes për kalim të paligjshëm të kufirit dhe shkelje të rendit për hyrje në territorin e pushtuar.

GRURË RUS NGA TERRITORI I PUSHTUAR

Që nga 22 qershori 2014 janë eksportuar nga Krimeja, e aneksuar prej Rusisë, në vendet jo-anëtare të Komonuelthit të Shteteve të Pavarura gjithsej 39 858 tonë grurë dhe produkte të tij, bëri të ditur zyra e shtypit e Shërbimit federal të mbikëqyrjes veterinare dhe fitosanitare të Rusisë.

Është për t’u përmendur fakti se duke filluar nga 25 qershori 2014, BE-ja vendosi ndalimin e importit të mallrave nga gadishulli.

Kohë më parë autoritetet e vetëquajtura të gadishullit deklaruan se Krimea është në gjendje të eksportojë në tregjet e huaja 500 mijë tonë grurë, por politikat amerikane dhe evropiane ndaj Krime-së do të ndërlikojnë shpërndarjen e produkteve të Krimesë në vendet e Perëndimit.

NDËRRIMI I EMRIT MAJ 2014

Portali informativ për rajonin e Detit të Zi  BSNews  (blackseanews.net) dhe organizata bamirëse e Kievit  Majdan inostrannih dell, në kuadër të projektit “Çornij list – Lista e zezë”, filluan hetimin e rrethanave të eksportit të grurit nga Krimea.

Një nga të parat në listën e mjeteve lundruese të të dyshuara për përfshirje në eksportin ilegal, rezultoi anija e mallrave  Majed & Randy, e cila më 15-17 korrik 2014 ndodhej në terminalin e grurit të skelës “Avlita” në Sevastopol.

Tërheq vëmendjen fakti, thotë Kievi, se anija 35-vjeçare ka ndryshuar emrin (dhe, ka shumë të ngjarë, operatorin dhe / ose pronarin), në muajin maj 2014 shkruan BSNews nga Crystal MoonMajed & Randy.

Duket se është e përgatitur posaçërisht për transaksione të dyshimta gjysmilegale.

Zyrtarisht anija  Majed & Randy  ka si pronar dhe menaxher kompaninë Golden East Logistics në Aleksandri, Egjipt.

Sipas të dhënave të tjera, thonë i njëjti burim, anija i takon një kompanie shqiptare me seli në Durrës, Shqipëri. 

Më 20 korrik 2014 anija kishte si destinacion portin Famagusta në Qipron Veriore.

Sipas një tabele (shih faksimilen) të siguruar nga ky projekt, anija  Majed & Randy  ka hyrë në portin e Durrësit (në foto) më 11 qershor ora 12:16 dhe ka dalë më 13 qershor ora 18:02.

Sikurse ka njoftuar dhe “Dyrrah”-u, anija  Majed and Randy  do të ngarkonte 6 100 tonë çimento me paleta në kalatën nr. 2 (shih: http://www.durreslajm.com/ekonomia/durr%C3%ABs-n%C3%AB-port-10-anije-me-49-mij%C3%AB-ton%C3%AB-mallra-dhe-500-kontejner%C3%AB).

SKEDA E ANIJES MAJED & RANDY:

Flamuri: Sierra Leone

Tonazhi mbajtës: 3,905 tonë.

Tonazhi plot dhe pesha vetjake: 6,476 tonë.

Gjatësia: 105 m.

Gjerësia: 16 m.

Zhytja: 7 m.

Porti i regjistrimit: Fritaun

Shoqëria klasifikuese:  International Register Of Shipping

Viti i ndërtimit: 1980

Ndërtuesi: Kantieri  Higaki Shipbuilding – Imabari, Japoni

Pronar dhe menaxher: Golden East Logistics  – Aleksandri, Egjipt

Info

Hyrja, në portet e gadishullit të Krimesë së pushtuar dhe aneksuar nga Rusia, e pronarëve, kapitenëve dhe ekuipazheve të anijeve përbërë vepër penale, parashikuar nga neni 332-1 i Kodit Penal të Ukrainës.

Ky nen është shtuar në Kodin Penal pas miratimit të Ligji të Ukrainës “Për sigurimin e të drejtave dhe lirive të shtetasve dhe mbi regjimin juridik në territorin e pushtuar përkohësisht të Ukrainës”.

Sipas këtij akti ligjor, anëtarët e ekuipazhit të anijes, që ndodhen në bord në Krime, kanë përgjegjësi administrative dhe penale para Ukrainës për kalim të paligjshëm në grup të kufirit dhe shkelje të rendit për hyrje në territorin e pushtuar.

Dhe herët a vonë mund të vendosen gjoba të rënda për anëtarët e ekuipazhit, kurse për pronarin dhe kapitenin pasojat janë edhe më të rënda, përfshirë arrestimin e anijes ose anijeve të tjera të këtij pronari në portet ukrainase ose të huaja.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, më 27 mars 2014, me votat e 100 shteteve miratoi një rezolutë në lidhje me aneksimin e Krimesë, ku mes të tjerash, “u bën thirrje të gjitha shteteve të refuzojnë dhe të përmbahen nga veprimet që kanë për qëllim pengimin e pjesshëm apo të plotë të bashkimit kombëtar dhe integritetit territorial të Ukrainës.

/përgatiti: th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/