· Punëdhënësi privat nuk e pajisi me litar kur u fut në qypin me nitrat
· Qysh në maj 2014 Kontrolli i Lartë i Shtetit denoncon: kompania private e ngarkim-shkarkimit nuk ka paraqitur informacion mbi uniformat e punës, veshjet e sigurisë, ndihmën e shpejtë, sinjalistikën e sigurisë, veshjen e kokoreve, këpucëve, syzeve, dorezave të sigurisë; aksidentet në punë; plan-izolimin për menaxhimin, depozitimin, transferimin e mallrave të klasifikuara si të rrezikshme sipas kontratave
Nga Thanas Mustaqi
DURRËS, 12 qershor 2014 – Vdekje e paralajmëruar në port e të ndjerit, 53 vjeçarit Fatmir Idrizi, i cili u asfiksua rreth orës 15.00 së 11 qershorit, “Dyrrah”-u ka zbuluar në raportin përfundimtar “Për auditimin e ushtruar në Autoritetin Portual Durrës” të Kontrollit të Lartë të Shtetit, maj 2014 se të tre kompanitë private stivadore / ngarkim-shkarkimit fakte tronditëse për negligjencën e pafalshme të privatit dhe shtetit.
“Dyrrah”-u është interesuar në drejtorinë e përgjithshme ekzekutive të shoqërisë publike Autoriteti Portual Durrës (APD) sha lidhur me përgjegjësitë në aksidentin e rëndë që ndodhi më 11 qershor 2014 gjatë shkarkimit të anijes “Haci Mehmet Kaptan” me 3 219 tonë nitrat refuzo.
Anija me flamur turk është bregëzuar në kalatën nr. 4 ora 10:55, por pa u mbushur as 4 orë më përpunim, u asfiksua punëtori i ngarkim-shkarkimit i njërës prej tre kompanive private stivadore.
NGJARJA
Sikurse është bërë e ditur, gjatë procesit të shkarkimit në një nga siloset portative është bllokuar mekanizmi i shkarkimit.
Në këtë moment, punëtori Idrizi është ngjitur sipër në silos për të bërë të mundur zhbllokimin e mekanizmit dhe rinisjen e punës.
Ndërhyrja e tij për të rregulluar defektin i ka kushtuar jetën.
Ai është thithur nga mekanizmi i shkarkimit dhe është mbuluar brenda në silos nga një sasi e madhe nitrati.
Megjithëse arriti të nxirrej i gjallë pas disa minutash nga shokët e tij të punës, 53- vjeçari Fatmir Idrizi humbi jetën gjatë transportimit me urgjencë për në spital.
APD: PRIVATI NUK E PAJISI ME LITAR VIKTIMËN
Më 12 qershor 2014, “Dyrrah”-u bisedoi me z. Luan Ballshi, drejtor i drejtorisë inxhinierike në APD, sha dhe juristin në inspektoratin e sigurimit teknik z. Haki Behri.
Bashkëfolësit sqaruan se në rastin e aksidentit kishte dy punëdhënës: APD-ja kishte vinçierin, kurse shoqëria private e ngarkim-shkarkimit ishte punëdhënëse për punëtorët e ngarkim-shkarkimit, ku bënte pjesë dhe i ndjeri, Fatmir Idrizi.
Ndonëse të rezervuar për raportin zyrtar që paraqiti APD-ja në organet kompetente për shkak të konfidencialitetit të hetimit, z. Behri tha se drejtuesi privat i operacionit të shkarkimit të anijes me nitrat, nuk zbatoi rregullat e sigurimit teknik: nuk e pajisi punëtorin me një litar kur u fut në silos, pasi kështu mund të ishte parandaluar fatkeqësia.
Lidhur me përgjegjësinë e drejtorisë së përgjithshme ekzekutive të shoqërisë publike / shtetërore, zotërinjtë iu referuan legjislacionit në fuqi për portin si “landlord” (zotërues i tokës) dhe në veçanti ligjit nr. 10 237, datë 18.2.2010 “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”.
Z. Behri tha APD-ja monitoron zbatimin e standardeve të sigurisë nga ana e operatorëve privatë në hyrje, në territor deri dhe në dhënien e mjeteve teknologjike kur janë pronë e saj; thënë më thjesht: shteti (APD) mban përgjegjësi për vinçin dhe vinçierin, poshtë vinçit përgjegjësia është e punëdhënësit privat.
Të dy folësit treguan se ndaj firmave stivadore, përfshirë dhe atë që pati punëtorin e aksidentuar, janë bërë vërejtje me shkrim për aspekte të caktuara të sigurimit teknik.
Lidhur me përgjegjësitë e secilës palë u mbetet të shprehen organet e drejtësisë.
SHKUJDESJA KRIMINALE
Gjithsesi, Kontrolli i Lartë i Shtetit, në maj 2014, ka zbuluar të meta të konsiderueshme dhe në aspektin e sigurimit teknik, gjë që për të cilat bëri përgjegjës ish-drejtuesit e APD-së, por la dhe detyra për pasuesit e tyre.
Ndërkaq prokurorisë dhe hetuesve u duhet të konsultohen edhe me raportin përfundimtar “Për auditimin e ushtruar në Autoritetin Portual Durrës” të Kontrollit të Lartë të Shtetit, maj 2014, ku ka akuza të forta si për ortakët e shoqërisë stivadore ku ndodhi aksidenti dhe për dy të tjerat, thjesht vdekja është paralajmëruar.
Sipas KLSH-së, të tre kompanitë private stivadore / ngarkim-shkarkimit (për etikë, “durreslajm.com” ka censuruar emrat tregtarë edhe nga faksimilja) nuk kanë paraqitur informacion mbi uniformat e punës, veshjet e sigurisë, ndihmën e shpejtë, sinjalistikën e sigurisë, veshjen e kokoreve, këpucëve, syzeve, dorezave të sigurisë; aksidentet në punë; plan-izolimin për menaxhimin, depozitimin, transferimin e mallrave të klasifikuara si të rrezikshme sipas kontratave (faqja 14).
Del qartë se çfarë shkujdesjeje kriminale është vërejtur nga privatët, por edhe nga ish-drejtuesit e portit që nuk kanë treguar “dhëmbët” për mungesën e informacioneve.
Info 1 / Mbi privatizimin e ngarkim-shkarkimit
Nё bazё tё Ligjit nr. 8237, dt. 01.09.1997, pёr disa ndryshime nё Ligjin nr. 7926, dt. 20.04.1995 “Pёr transformimin e ndёrmarrjeve shtetёrore nё shoqёri tregtare”, Autoriteti Portual Durrёs, u transformua në shoqёri anonime.
Mё 02.12.1999, nga kёshilli mbikëqyrës i APD u mor vendimi në lidhje me “Privatizimin e dy sektorёve tё ngarkim-shkarkimit të APD-së, në formën e një koncesioni 2-vjeçar për realizimin e shërbimeve të ngarkim-shkarkimit nga anijet në kalatë dhe anasjelltas, për përpunimin e ngarkesave të përgjithshme.
Kjo marrëveshje koncesioni u zbatua si një skemë pilote (provë) gjatë së cilës APD –ja garantonte të drejtën e ekskluzivitetit të shërbimeve të ngarkim-shkarkimit përveç terminalit të rifuzove dhe trageteve.
APD-ja do të siguronte mbështetje për drejtimin dhe menaxhimin ditë për ditë të aktiviteteve të këtyre kompanive.
APD-ja vazhdoi të operojë në infrastrukturën dhe superstrukturën portuale, përfshirë vinçat, dhe pajisjet e përpunimit të anijeve, terminalin e trageteve dhe rifuzove me stafin e saj.
APD dhe dy kompanitë e ngarkim-shkarkimit siguronin të ardhura nga tarifat e portit, duke i ndarë ato në bazë të një përqindjeje të vendosur në kontratë dhe konkretisht:
– Për mallrat gjenerale, kompania private zotëron deri në 45 % të tarifës zyrtare ekzistuese të APD.
– Për mallrat rifuzo (grurë, misër, ushqim pulash, elb, tërshërë) aplikohet deri në 25 % të tarifës së përcaktuar për mallrat gjenerale.
– Këto tarifa janë tavanore dhe gjatë periudhës së kontratës kontrollohen nga APD.
Privatizimi i këtyre dy sektorëve u shoqërua me pak investime por ishte tepër i ndjeshëm në lidhje me numrin e madh të punonjësve (rreth 400) që ishte numër i madh dhe ky proces bëri që shumë prej tyre të dilnin të papunë.
Nё shkurt–qershor tё vitit 1999, u bё riorganizimi i sektorёve teknikё nё drejtim tё organizimit me qendra fitimi, duke zvogёluar ndjeshёm fuqinё punёtore dhe pёrgatitjen e fazёs pёr kalim nё sektor privat, tё ofiçinёs, riparimit tё elektrovinçave dhe mjeteve teknologjike.
Me privatizimin e shёrbimit tё operacioneve tё pёrpunimit me kёto kompani, APD nga 873 punonjёs i mbeten 598 punonjёs, nga tё cilёt Administrata -127 dhe punёtorё- 471.
Mё datën 08.09.2003 Kuvendi i RSH miratoi Ligjin Nr. 9130, “Pёr Autoritetin Portual”, ku pёrcaktohet mёnyra e funksionimit tё APD, raportet me organet Shtetёrore, administrimi financiar, organet drejtuese, veprimtaritё financiare, pёrgjegjёsi tё tjera, etj.
Info 2 / Karakteristikat e një porti “landlord” (zotërues toke)
1) Porti “landlord” karakterizohet nga orientimi i tij i përzier, publik-privat. Autoriteti Portual vepron si ent rregullator dhe si pronar toke, ndërkohë që operacionet portuale (veçanërisht përpunimi i mallit) kryhet nga kompani private.
2) Infrastruktura u jepet me qira kompanive private, operuese ose të industrisë. Qiraja që i paguhet Autoritetit Portual zakonisht është një shumë fikse për metër katror në vit.
Niveli i shumës së qirasë është i lidhur me kostot fillestare të përgatitjes dhe ndërtimit.
3) Operatorët privatë në port sigurojnë dhe mirëmbajnë superstrukturën e tyre përfshirë ndërtesat. Ato gjithashtu blejnë dhe instalojnë pajisjet e tyre.
Në portet “landlord”, fuqia punëtore punësohet nga operatorët privatë të terminaleve.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





