Një ekspeditë arkeologjike shqiptaro-polake ka zbuluar një vendbanim antik në zonën e Bushatit në Bashkinë e Vaut të Dejës.
Bëhet fjalë për një vendbanim që besohet se daton në shekujt III e II para erës sonë. Sipas drejtuesit të kësaj ekspedite, profesor Saimir Shpuza, në këtë zonë nuk është bërë asnjë gërmim arkeologjik që në vitet ’80.
“Materiali që kemi gjetur kryesisht na ndihmon për të identifikuar kuadrin kohor. Për momentin flasim për një periudhë të lulëzuar helenistike, nga shekulli i tretë deri në shekullin e parë Para Erës Sonë”, shprehet profesori Saimir Shpuza.
Sipas profesorit polak, pjesë të ekipit duket se kemi të bëjmë me një qytet të panjohur të cilin shpresojnë ta identifikojnë së shpejti.
“Interesante është se ndodhet në një distancë të afërt nga Shkodra dhe Lezha. Muri i fortifikimit është shumë madhështor, 3 metra e gjysme i gjerë, nuk e dimë ende emrin antik të këtij qyteti por jemi të sigurt se është një qytet i panjohur më parë”, shprehet Piot Dyczek.
Zbulimi në fjalë, përveç rëndësisë arkeologjike dhe mundësisë për zhvillimin e turizmit, pritet të sjellë informacione mjaft të vlefshme për qytetërimin e hershem të zonës./Top Channel