A shërbejnë ekspeditat e përvitshme arkeologjike, në sitet e trashëgimisë kulturore të Durrësit, për të hedhur më shumë dritë në historinë 3000-vjeçare të Dyrrahut Antik?

Një përgjigje, që pritet të ngjallë shumë polemika, e dha planifikuesi urban Artan Kacani, pas rikthimit në Forumin Bizantin të ekspeditës së Institutit të Arkeologjisë.

“Gërmimet arkeologjike të ditëve të sotme kanë qenë gërmime të formës grabitqare. Kanë synuar të hapin një gropë në mes të mureve, të kuptojnë çfarë ka pasur aty dhe më pas ta mbyllin sërish, por jo në leximin dhe interpretimin e tyre“, tha Kacani.

Sipas kësaj logjike, “mjegulla” që shoqëron disa nga etapat e zhvillimit të historisë së qytetit në periudhën antike dhe të mesjetës nuk do të largohet nga këto ekspedita.

Prandaj, Kacani e gjykon të gabuar qasjen që kanë ministria e Kulturës dhe institucionet në varësi të saj.

“Jo më kot sot arkeologjinë ndonjëherë e drejtojnë studiues të skulpturës, për vetë faktin sepse ne kemi një kulturë ideologjike ndaj arkeologjisë dhe jo studiuese të saj”, u shpreh ndër të tjera ai.

Forumi Bizantin që ndodhet në qendrën historike të qytetit është ndër të rralla monumente të epokës bizantine në vendin tonë.

Me një sipërfaqe të shtruar me mermer dhe e rrethuar nga një kolonadë rrethore me diametër 40 metra, forumi mendohet se është përdorur si shesh publik me ambjente tregtare, ndërsa më pas është shndërruar në varrezë.

Gjatë ekspeditave të mëparshme, arkeologët kanë theksuar se poshtë gjetjeve të fragmenteve të godinave romake të banimit, mund të zbulohen edhe gjurmë të kulturës helenistike dhe asaj ilire, por gjithsesi asnjë prej gjetjeve të derimëtanishme nuk është parë e prekur nga afër prej të apasionuarve pas historisë.

K.Gj.