Projekti “Vizioni Blu 2030” në Adriatikun e Jugut mblodhi për dy ditë në Durrës ekspertë nga Shqipëria, Italia dhe Mali i zi për të diskutuar lidhur me bashkëpunimin ndërkufitar, zhvillimin e sektorëve të ekonomisë blu, si dhe përmirësimin e qëndrueshmërisë së detit Adriatik.
Partneriteti 3 palësh do të përcaktojë një plan të përbashkët veprimi për ekonominë blu për Adriatikun e Jugut, mbështetur nga nënshkrimi i një Memorandumi Mirëkuptimi ndërmjet partnerëve të projektit.
Zhvillimi i sektorit të turizmit, sidomos në Shqipëri, lind domosdoshmërinë e politikave miqësore me ambientin dhe habitatin ujor.
“Prej vitesh ne tashmë flasim për rritjen e numrit të turistëve që frekuentojnë Shqipërinë por kjo nuk sjell vetëm zhvillim. Ne duhet të paramendojmë dhe të jemi një hap para edhe për sfidat që ka ky sektor, veçanërisht ekonomia blu. Pra, jo vetëm sektorët tradicionalë si peshkimi apo akuapuntura, por për ta zgjeruar edhe më tej, për të përfshirë aty turizmin detar”,- thotë Gentiana Troplini nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit.
Për palën italiane, hartimi dhe zbatimi i politikave të përbashkëta ndër rajonale dhe ndër shtetërore është përcaktues për të ardhmen e ekonomisë blu në detin Adriatik.
“Projekti, që në emër, identifikon “ekonominë blu” si një faktor përcaktues për zhvillimin e një zone që është ajo e Adriatikut jugor, e cila lag rajonin e Pulias, Shqipërinë dhe Malin e zi. Bashkëpunimi ndër rajonal është thelbësor për të garantuar një zhvillim të të gjithë sektorëve të “ekonomisë blu”. Këta sektorë përfaqësojnë për të tre zonat një element rritjeje ekonomike, sociale, ambientale dhe kulturore shumë të rëndësishme.”,- tregon Valeria Patruna, eksperte nga rajoni i Pulias, në Itali.
Në seminar ishin të pranishëm ekspertë nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit, rajoni i Pulias dhe nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik në Malin e zi.
M.B.





