Ernejt Shyti është 24 vjeçari i arrestuar nga policia si autor i vrasjes së biznesmenit Behar Sofia, mëngjesin e 25 shkurtit në Tiranë, pranë Piramidës. Në pranga kanë rënë dhe bashkëpunëtorët e tij: Skënder Vathi, Leonar Xhixha dhe Xhuljano Visha. Ekspertët britanikë që janë angazhuar bashkë me grupin e hetimit të ngritur nga Pokuroria e Tiranës dhe Policia, menjëherë pas vrasjes, kanë zbuluar rrengun që ka përdorur 24 vjeçari për të mos u zbuluar. Duke ditur se në zonën ku ai qëndronte për të ruajtur Behar Sofinë kishte kamera, dhe në vendin ku e vrau gjithashtu, Ernejt Shyti është shtirur sikur çalonte. Ky veprim është zbuluar nga ekspertët të cilët kanë gjetur se i riu ka tentuar të fshehtë identitetin dhe të mos njihej nga kamera.
Në Prokurori ku dhe është marrë në pyetje pasi ka pranuar të bashkëpunojë, Shyti ka thënë se “ka improvizuar që të mos njihej nga kamerat”.

Edhe në kamerat e sigurisë së zonës që u sekuestruan menjëherë pas ngjarjes, ka dalë se Ernejt Shyti çalon në momentin kur ndjek viktimën Behar Sofia. Ekspertët e Policisë shqiptare kanë arritur në të njëjtin përfundim me homologët e tyre britanikë, pasi i kanë kërkuar 24 vjeçarit që të imitonte lëvizjet që kishte bërë ditën e vrasjes.

Aty ata kanë parë se autori nuk kishte asnjë defekt fizik por ka tentuar të fshehë identitetin e tij. Gjithashtu, në celularin që u gjet në rrobat e tij në Liqenin e Tiranë, mes disa shkurreve, janë gjetur dhe 2 sms të shkëmbyera me Leonar Xhixhën. “Duro vëlla, s’ka dalë akoma”, është sms-ja e parë që Shtyi shkëmben me Xhixhën, teksa priste që Behar Sofia të dilte nga shtëpia. Kur shënjestra del, Ernjet Shyti i shkruan përsëri Xhixhës: Doli nga bregu i Lanës.

Menjëherë pas ngjarjes, 24 vjeçari është larguar me një biçikletë të vjedhur drejt Liqenit Artificial, duke kaluar mes për mes Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, përballë institucioneve më të rëndësishme, si Kuvendi, Presidenca dhe Kryeministria.Më pas, kamerat kanë fiksuar Ernejt Shytin në Krrabë, në terminalin e autobusëve. Ditën tjetër, në datë 26 shkurt autori ka paguar një taksi dhe është larguar drejt Malit të Zi, ku dhe u arrestua pas bashkëpunimit mes homologëve shqiptarë dhe malazezë.

Grupi i hetimit i ngritur nga Prokuroria ka marrë në pyetje dhe taksistin me të cilin udhëtoi Ernejt Shyti drejt Malit të Zi, dhe i ka marrë dëshminë e tij. Taksisti ka treguar gjithë bisedën që ka bërë gjatë rrugës me autorin e vrasjes së 66 vjeçarit Behar Sofia, i njohur dhe si “Padrino i Drogës”.

Edhe nëna e 24 vjeçarit ka treguar se djali i saj Ernejt Shyti vetëm ditët e fundit kishte përdorur biçikletë, sepse nuk e kishte një të tillë. Vetë autori ka rrëfyer se biçikletën me të cilën u largua ditën e vrasjes e kishte vjedhur.

Ernejt Shyti ka thënë se për vrasjen i ishin premtuar 50 mijë euro, por duke qenë se nuk kishte marrë asnjë pa krimit, është “zbërthyer” para grupit të hetimit. Megjithatë, ai dhe bashkëpunëtorët e tij dyshohet se janë thjesht ekzekutuesit, pasi pas porositësit janë persona te tjera. Për këtë, prokurorët po tentojnë të “zbërthejnë” Skënder Vathin, sepse ky i fundit është organizatori i vrasjes. Nëse ai pranon të bashkëpunojë me drejtësinë ashtu si Ernejt Shyti, mund të çojë te porositësit e vrasjes dhe ta zbardhë ngjarjen e rëndë përfundimisht.