Drejtori i Emergjencave Civile, Haki Çako dhe inxhinierë të përfaqësisë së BE-së në Tiranë, bashkë me drejtues vendorë në Durrës kanë inspektuar nga afër pasojat e tërmetit të 21 shtatorit në njësinë administrative nr.6 ("Durrësi i Ri"), e njohur si Ish-Këneta.
Një ditë më parë, ekspertët e huaj panë dëmet e shumta të shkaktuara nga lëkundja e fortë e tërmetit me magnitudë 5.8 ballë në këtë zonë ku u prekën 89 familje, 6 prej të cilave të dëmtuara rëndë dhe të klasifikuara si të pabanueshme.
Pas lëkundjeve sizmike, 4 familje u strehuan te Kavaleshenca në Plepa, ndërsa 2 familje të tjera tek të afërmit. Ekspertët e huaj kanë shpërndarë ndihma (krevatë, batanije dhe ushqime) për të prekurit nga tërmeti dhe familjet në nevojë.
Inxhinierët e përfaqësisë së BE-së në Tiranë, drejtori i Emergjencave Civile, Haki Çako, të cilët më herët kishin kryer inspektime në një pallat shumëkatësh në sektorin "Iliria" në Durrës, të cilit i janë vënë shiritat bllokues pas dëmeve të mëdha, shoqëroheshin nga prefekti Roland Nasto, kryebashkiakja Valbona Sako dhe kreu i komunës, Serjan Mazrreku.





