Ka rezultuar fals alarmi për bombë, që alarmoi qytetin e Elbasanit. Mësohet se ekspertët e fushës së eksplozivëve kanë bërë të mundur hapjen e kontrolluar të pakos së dyshimtë, prej ku ka rezultuar se brenda pakos nuk kishte lëndë plasëse.

Pakoja ishte vendosur në një nga rrugët kryesore të qytetit, përkatësisht në segmentin që lidh bulevardin kryesor me Drejtorinë e Policisë.

Ajo ishte pikasur rastësisht nga kalimtarët, pasi kishin dëgjuar një zhurmë dhe më pas kishin parë pakon e dyshimtë të vendosur në rrugë.

Në vendngjarje mbërritën ekspertë të fushës së eksplozivëve, si dhe një shërbim zjarrfikës, të cilët kanë bërë të mundur hapjen e kontrolluar të pakos.