·        Kushton shumë për buxhetin shqiptar (800 milionë-1miliard euro për 108 km), ndërkohë që ekziston një rrjet i brendshëm, i cili nuk përmbush standardet për transport normal të njerëzve apo të mallrave

DURRËS, 1 shkurt 2015 – Prishtina nuk ka kundërshtim të ndërtohet hekurudha Shqipëri-Kosovë, nëse Tirana gjen 800 milionë-1 miliard euro për ndërtuar 108 km linjë në territorin shqiptar, ky është thelbi i një deklarate të Ministrit kosovar të Infrastrukturës Lutfi Zharku.

Ndërtimi i kësaj linje konsiderohet i rëndësishëm edhe për ekspertë të çështjeve ekonomike, por jo projekt i domosdoshëm dhe urgjent.

Ibrahim Rexhepi, udhëheqës i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale – STRAS, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se ndërtimi i hekurudhës, si ide, është e mirëseardhur, por në rrethana tjera, apo rrethana kur të dyja shtetet kanë fuqi potenciale investuese.

“Kur porti i Durrësit të bëhet shumë më i pranueshëm apo shumë më me interes për importuesit dhe eksportuesit kosovarë dhe shkëmbimi i mallrave në mes Kosovës dhe Shqipërisë të jetë në shkallë shumë më të lartë. Në nivelin e sotëm, unë mendoj që është një humbje kohe dhe nuk duhet që qeveritë e të dy vendeve të përqendrohen në këtë projekt.

Kjo linjë nuk mund të ketë efekt të madh, qoftë në Kosovë apo Shqipëri. Rrjeti i hekurudhave mund të jetë i shkatërruar, një rrjet jofunksional, një rrjet, i cili nuk përmbush standardet për një transport normal qoftë të njerëzve apo të mallrave, si nga aspekti i sigurisë po ashtu edhe nga aspekti i fuqisë transportuese [bartëse] apo shpejtësisë që mund të zhvillohet”.

SFOND

Ministri i Infrastrukturës i Kosovës Lutfi Zharku, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tha se në mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive, e cila do të mbahet në mars 2015, do të arrihet marrëveshja për fillimin e studimit të para-fizibilitetit, studim ky që pason përgatitjet e projektit.

Për sa sa u përket mjeteve materiale të nevojshme, ministri Zharku tha:

“Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, do të aplikojnë për fonde në kuadër të Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor. Parashikohet që projekti për pjesën e Shqipërisë është prej 800 milionë deri një miliard euro, për shkak se Shqipëria ka [për të ndërtuar] 108 kilometra, kurse Kosova ka vetëm 17 kilometra. Kështu që pjesa më e madhe mbetet nga Qeveria e Shqipërisë. Natyrisht, ne shprehim vullnetin tonë të vazhdojmë nëse qeveria shqiptare gjen zgjidhjen për financimin e saj”.

/përg. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/