Në Shtetet e Bashkuara numri i vdekjeve nga Covid-19 ka arritur në mbi 150,000, ndërsa në disa zona të vendit vazhdojnë të rriten rastet e koronavirusit.

Krizat politike, ekonomike dhe shëndetësore janë një burim shqetësimi i vazhdueshëm për ligjvënësit amerikanë. Por ekspertët kryesorë të shëndetit publik në vend kishin disa lajme inkurajuese të premten, duke i thënë një komisioni të Kongresit se zhvillimi i një vaksine për virusin po ecën me shpejtësi.

Për herë të parë që nga qershori, pati një rënie të numrit të rasteve të reja me Covid-19 në mbarë vendin krahasuar me javën e kaluar. Por me rritjen e numrit të rasteve në disa shtete, ligjvënësit amerikanë të premten kërkuan përgjigje nga ekspertët që po udhëheqin përpjekjet e administratës së Presidentit Trump për ta frenuar përhapjen e virusit.

“A mund të na ndihmoni të kuptojmë pse Evropa kryesisht e ka vënë nën kontroll virusin, por në Shtetet e Bashkuara po shohim një rritje të vazhdueshme të rasteve të reja?”, pyeti ligjvënësi demokrat James Clyburn.

“Nëse shikoni se çfarë ndodhi në Evropë, kur ata u mbyllën, ata e bënë këtë në nivel 95 për qind. Kur ju shikoni në fakt atë që bëmë ne, edhe pse u mbyllëm, edhe pse ajo krijoi një vështirësi të madhe, ne me të vërtetë funksionalisht mbyllëm vetëm rreth 50 për qind të aktivitetit”, u përgjigj Dr. Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive.