Ekspertët shëndetësorë po shprehin shqetësimin e tyre për mungesën e disa vlerave të rëndësishme ushqyese në dietën e njerëzve. Studimet tregojnë se shumica e individëve nuk konsumojnë mjaftueshëm fruta, perime dhe ushqime të plota, çka po çon në rënien e disa ushqyesve kyç për shëndetin.

Sipas Departamentit të Bujqësisë dhe Departamentit të Shëndetit të SHBA-së, mungesa e fibrave, kalciumit, vitaminës D dhe kaliumit është bërë një shqetësim serioz i shëndetit publik, pasi lidhet me pasoja të rënda për organizmin.

1. Fibrat

Dietologët theksojnë se fibrat janë thelbësore për shëndetin e tretjes dhe metabolizmit, duke ndihmuar në parandalimin e sëmundjeve të zemrës dhe rregullimin e nivelit të sheqerit në gjak. Ndërsa rekomandohet 25 gramë fibra në ditë për gratë dhe 38 gramë për burrat, shumica e njerëzve konsumojnë më pak se 15 gramë.

2. Kalciumi

Kalciumi nuk është i rëndësishëm vetëm për fëmijët dhe adoleshentët, por për të gjitha moshat. Ai ndihmon në mbajtjen e fortë të kockave dhe funksionimin e zemrës. Ekspertët rekomandojnë që të kombinohet me vitaminën D dhe K2 për të reduktuar rrezikun e osteoporozës dhe frakturave në moshë të madhe.

3. Vitamina D

E njohur për rolin e saj në shëndetin e kockave, vitamina D ndikon edhe në imunitet dhe mund të zvogëlojë rrezikun për sëmundje kronike. Studimet tregojnë se rreth 35% e të rriturve kanë mungesë të kësaj vitamine. Doza ditore e rekomanduar është 600 IU për ata nën 70 vjeç dhe 800 IU për ata mbi 70 vjeç.

4. Kaliumi

Kaliumi është i domosdoshëm për rregullimin e presionit të gjakut, por shumë njerëz nuk e konsumojnë në nivelin e rekomanduar prej 4,700 mg në ditë. Ky mineral gjendet kryesisht te frutat, perimet, bishtajoret dhe farat, të cilat shpesh anashkalohen në dietën moderne.

A janë suplementet zgjidhja?

Ekspertët këshillojnë që këto vlera ushqyese të merren përmes ushqimeve natyrale dhe jo vetëm përmes suplementeve. Dietologia Marissa Karp shpjegon se suplementet mund të ndihmojnë, por nuk zëvendësojnë një dietë të pasur me ushqime të plota. Ndryshime të vogla në dietë, si shtimi i frutave, perimeve dhe ushqimeve të pasura me fibra, mund të bëjnë një ndryshim të madh për shëndetin.